Turqia ndihmon Shqipërinë për flotën e re të Emergjencave Civile

Strukturat e Emergjencave Civile, pjesë e Forcave të Armatosura Shqiptare do të jenë shumë herë më të mirëpajisura dhe më dinjitoze në përballimin e fatkeqësive natyrore. 1.250 uniforma të reja, të cilat përmbushin të gjitha standardet e sigurisë, u dhuruan nga qeveria turke.

Turqia ndihmon Emergjencat Civile Shqiptare

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük si dhe drejtues të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka shprehu falënderimet më të thella për popullin dhe qeverinë turke, duke cituar edhe shprehjen miku i mirë në kohë të vështira”. Duke folur për marrëdhëniet e bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve, ambasadori Yörük theksoi: "Marrëdhëniet e bashkëpunimit ushtarak përbëjnë një nga dimensionet më të rëndësishme të marrëdhënieve të veçanta të Republikës së Turqisë dhe Republikës së Shqipërisë. Në sajë të marrëveshjes së bashkëpunimit financiar ushtarak, ne që prej afro 25 viteve arrijmë të ofrojmë kontributin tonë për Forcat e Armatosura Shqiptare, aleates tonë në NATO. Njëkohësisht ne vazhdojmë punën dhe bashkëpunimin me Ministrinë e Mbrojtjes për të bërë të mundur rritjen e kapaciteteve të forcave civile në një afat të mesëm dhe afat të gjatë. Në këtë kontekst ne sot u dorëzojmë vëllezërve shqiptarë 6 autoambulanca tërësisht të kompletuara, 400 uniforma zjarrfikse, 500 uniforma që do të përdoren gjatë operacioneve të fatkeqësive natyrore të përmbytjeve, 100 uniforma speciale zjarrfikse, 250 uniforma të ndryshme për kërkim-shpëtimi dhe 160 çadra të llojeve të ndryshme. Vlera e të gjithë këtyre materialeve dhe pajisjeve kap shifrën 1,5 milionë dollarë", përfundoi ambasadori turk Yörük.


Fjalët Kyçe: Murat Ahmet Yörük , Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka , ndihmat turke