Shkollat prestigjioze turke «Maarif» zgjerohen edhe në qytete të tjera të Shqipërisë

Me rastin e hapjes së vitit të ri shkollor 2019-2020 në Shqipëri janë organizuar ceremoni solemne në institucionet arsimore të sistemit parauniversitar të fondacionit turk «Maarif».

Shkollat turke «Maarif» në Shqipëri

Pjesë e aktivitetit të organizuar në Tiranë për hapjen e vitit të ri shkollor në gjimnazin «New York High School» dhe shkollën 9-vjeçare «New York Basic Education» ishin ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, përfaqësuesja e Fondacionit Turk Maarif, Aşkın Asan, koordinatori i zyrës së Fondacionit «Maarif» në Shqipëri, Fatih Cankurt, prindër dhe nxënës. Ambasadori Yörük, në fjalën e tij përshëndetëse duke folur për rritjen e institucioneve arsimore të Fondacionit Turk «Maarif» në Shqipëri, tha se kjo është diçka konkrete e dëshirës së familjeve shqiptare që ju kanë besuar fëmijët e tyre institucioneve arsimore të «Maarif»-it. "Ky emocion kaq i fuqishëm ka ardhur si pasojë e një bashkëpunimi kaq të mirë që kemi midis shkollave tona, midis prindërve dhe midis dy vendeve tona për shekuj me radhë. Shkollat ndërkombëtare «Maarif» duke filluar që nga viti kur janë krijuar e deri në ditët e sotme janë duke ecur përpara me hapa të sigurt për një të ardhme akoma më të ndritur. Shpresoj që ky vit shkollor të jetë sa më i mbarë për të gjithë ne", theksoi në fjalën e tij ambasadori turk. Përfaqësuesja e Fondacionit «Maarif», Aşkın Asan, tha se fondacioni është krijuar me qëllim për t’u përhapur në mënyrë ndërkombëtare kudo jashtë Turqisë. "Ne si Turqi e kemi parë Shqipërinë dhe shqiptarët si një lidhje e fortë prej shekujsh dhe shumë afër zemrës tonë. Lidhja që kemi mes Turqisë dhe Shqipërisë është shumë e rëndësishme. Fondacioni Turk «Maarif» është krenar për të gjitha lidhjet që ka kudo në botë. Ajo që është e rëndësishme për ne është të përgatisim të gjithë nxënësit tanë në mënyrën më të mirë të mundshme", tha Asan. Duke iu drejtuar nxënësve, Asan u shpreh se "Ju si nxënës jeni shumë me fat pasi Fondacioni Turk «Maarif» funksionon më 35 vende të botës dhe kemi rreth 300 shkolla dhe 30 mijë nxënës". Drejtoresha e gjimnazit «New York High School», Lidra Meidani, nga ana e saj theksoi: "Ceremonia e sotme na bën të ndiejmë edhe njëherë kënaqësinë dhe përgjegjësinë e një fillimi të ri në një rrugë tashmë të ndriçuar nga përvoja dhe sukseset e viteve. Ne jemi të vetëdijshëm se mësimdhënia dhe edukimi shtron gjithmonë detyra të reja. Dëshira jonë për të qenë më të mirët na bën të ecim përpara duke e konsideruar çdo vit të ri shkollor si një shteg të ri drejt synimeve tona”.

Nga ana tjetër, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2019-2020 në Shqipëri është inauguruar gjimnazi «IMSA High School Elbasan», që administrohet nga Fondacioni Turk «Maarif». Në ceremoninë e organizuar në ambientet e shkollës që ndodhet në territorin e Bashkisë së Elbasanit, ishin të pranishëm përfaqësuesja e Fondacionit Turk «Maarif», Prof. dr. Aşkın Asan, nënkryetari i Bashkisë së Elbasanit, Ervin Saraçi, koordinatori i zyrës së Fondacionit «Maarif» në Shqipëri, Fatih Cankurt, sekretarja e Përgjithshme e Prefekturës së Elbasanit, Eva Bica, prindër dhe nxënës. Ndërkaq ka filluar edhe procesi edukativ në kopshtin «IMS Farm Kindergarten Albania».


Fjalët Kyçe: «New York Basic Education» , «New York High School» , «IMS Farm Kindergarten Albania» , «IMSA High School Elbasan» , shkollat e fondacionit «Maarif» , fondacioni turk Maarif