Rrënohet muri në Mitrovicë

Institucionet e Kosovës rrënuan të dielën e parë të shkurtit murin e ngritur nga serbët në pjesën veriore të Komunës së Mitrovicës.

Mitrovicë, 05.02.2017

Muri i rrënuar gjatë ditës së diel (5 shkurt 2017) nga institucionet e Kosovës ishte ngritur befasisht nga serbët dhe kishte shkaktuar tensione kohën e fundit në Kosovë. Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se ky akt i rrëzimit, ka pasuar pas konsultimeve të vazhdueshme me Presidentin Thaçi,Kryetarin e Kuvendit Veseli, komunitetin serb si dhe faktorin ndërkombëtar. Kryeministri i Kosovës tha se pas rrëzimit të murit, aty do të ndërtohet një shesh. Kryeparlamentari Kadri Veseli ka kërkuar nga të gjithë qytetarët dhe faktori politik që të mos bien pre e asnjë provokimi e as nxitjeje. Ministri i Ambientit Ferat Shala hodhi poshtë pretendimet se sipas marrëveshjes me palën serbe, është paraparë ndërtimi i një muri tjetër pak më larg vendit ku u rrëzua muri. Shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini ka thënë se angazhimi konstruktiv që është parë gjatë dy takimeve të fundit, në kuadër të dialogut në Bruksel, ka sjellë rezultate.


Fjalët Kyçe: muri në Mitrovicë , rrënohet muri në Mitrovicë , bisedimet Prishtinë-Beograd , Asociacioni i Komunave Serbe , integrimi evropian