Panairi “Harmonia e kulturave” u mbajt në Tiranë

Fondacioni “ALSAR”, zhvilloi gjatë kësaj jave ceremoninë e hapjes së panairit “Harmonia e kulturave”, një veprimtari kjo e realizuar në bashkëpunim me studentët e huaj që studiojnë në Shqipëri, tashmë e shndërruar në një traditë që ndiqet e pasurohet ndër vite.

Harmonia e kulturave 2019

Në këtë veprimtari gjatë fjalës së tij përshëndetëse kryetari i Fondacionit ALSAR , Mehdi Gurra ndër të tjera u shpreh se “Është viti i katërt që organizojmë këtë aktivitet, i cili synon të nxisë, kultivojë dhe zhvillojë kulturën kombëtare te të rinjtë, si dhe të promovojë rritjen e ndërgjegjësimit për marrëdhëniet ndërmjet kulturave. Duke e konsideruar diversitetin kulturor si “Trashëgiminë e përbashkët të njerëzimit” dhe ruajtjen e tij – një aksion konkret dhe etik të pandashëm nga respekti për dinjitetin njerëzor. Kulturat ndihmojnë popujt të jetojnë në harmoni. Në këtë kontekst modeli i harmonisë dhe tolerancës fetare në Shqipëri përbën një aspekt shumë pozitiv të kulturës së shoqërisë shqiptare, që është një udhërrëfyes që na mëson të jetojmë në harmoni me diferencat". Krahas shumë përfaqësuesve të trupit diplomatik i pranishëm në hapjen e panairit ishte edhe sekretari i parë i ambasadës së Turqisë në Tiranë, Orhan Ayraç, i cili gjatë fjalës së tij theksoi se stendat e vendeve të ndryshme në këtë panair janë një mundësi që studentët dhe të rinjtë të prezantojnë kulturën e tyre nga vendet që përfaqësojnë dhe të gjejnë pikat e lidhjes mes tyre. "Njerëzimi ka një gjë të përbashkët, krijimin e paqes dhe harmonisë midis popujve. Dhe sa herë që institucionet dhe organizatat e ndryshme përpiqen dhe realizojnë krijimin e lidhjeve ata bëjnë krijimin e urave dhe bëjnë vërtetë një gjë shumë të mirë, që krijojnë mundësinë e lidhjes dhe komunikimit", u shpreh Ayraç. Në këtë panair u prezantuan kulturat e këtyre shteteve: Shqipëri, Turqi, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Gjermani, Spanjë, Kuvajt, Itali, Palestinë, Egjipt, si dhe një stendë promovuese edhe për Preshevën.

Studentët prezantuan vendet historike të shteteve që përfaqësojnë, kulturën, artin, veshjet tradicionale, monumentet historike, etj. Gjatë aktivitetit u shfaq edhe dokumentari ”Harmonia e kulturave”. Në përmbyllje të këtij aktiviteti studentëve përfaqësues iu akorduan certifikata vlerësimi dhe mirënjohjeje.


Fjalët Kyçe: Harmonia e kulturave , Fondacioni ALSAR , Mehdi Gurra , Orhan Ayraç , Tiranë