Shtypi turk 19.01.2022

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e mërkurë, 19 janar 2022:

1765079
Shtypi turk 19.01.2022

“Vatan”Turqia i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar për Bosnjë-Hercegovinën

Presidenti Recep Tayyip Erdogan tha se mbështetja e Serbisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës është shumë, shumë e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit. Duke bërë thirrje për shmangien e hapave që do të dëmtonin integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës, Erdogan tha: “Është e qartë se komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë bashkërisht për të kapërcyer krizën në Bosnjë-Hercegovinë.”

“Haber Türk”Erdogan: Duhet ta fshijmë luftën nga historia e politikës

Kreu i shtetit turk deklaroi se nuk e sheh pushtimin e Ukrainës nga Rusia si një qasje realiste. “Ne duhet t’i vendosim mbi tavolinë e t’i diskutojmë këto çështje edhe me Presidentin rus, Vladimir Putin. Sepse tashmë këto rajone nuk mund ta pranojnë më luftën. As nuk do të ishte e drejtë. Tani duhet ta fshijmë luftën nga historia e politikës”, u shpreh shefi i Ankarasë zyrtare.

“Star”Erdogan: Nëse nafta bëhet mjet paqeje, ne do ta përdorim atë

Duke vlerësuar mundësinë e bashkëpunimit me Izraelin në Mesdheun Lindor, Presidenti Recep Tayyip Erdogan njoftoi se (homologu izraelit) Isaac Herzog mund të realizojë një vizitë në Turqi. “Ne politikanët jemi për paqen. Nëse nafta bëhet një mjet paqeje, ne do ta përdorim atë. Nëse kjo bazohet në parimin fito-fito (win-win), ne do të bëjmë më të mirën e mundshme”, saktësoi ai.

“Hürriyet”Rritja e ekonomisë turke do të jetë mbi 10%

Bordi Koordinues i Ekonomisë u mblodh nën kryesimin e ndihmëspresidentit Fuat Oktay dhe pas takimit publikoi një deklaratë me shkrim. “Vihet re se indekset e shpallura për tremujorin e fundit të vitit 2021 tregojnë që trendi i rritjes vazhdon. Kështu, pritet që rritja reale e prodhimit të brendshëm bruto (PBB) në vitin 2021 të jetë mbi 10%”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga Bordi Koordinues i Ekonomisë së Turqisë.

“Yeni Şafak”Industria turke e lojërave hyn vrullshëm edhe në vitin 2022

Turqia është një nga vendet lidere në botë për zhvillimin e lojërave celulare (mobile) me më shumë se 500 studio prodhuese. “Dream Games”, kompani turke e lojërave celulare që arriti të marrë një investim të ri prej 255 milionë dollarësh, kapi vlerën e 2,75 miliardë dollarëve duke u bërë një prej firmave më të çmuara të lojërave celulare në botë. Nga ana tjetër, “Spyke Games”, gjithashtu mes kompanive më të fuqishme turke në këtë sektor, arriti të marrë një investim prej 55 milionë dollarësh.



Lajme të ngjashme