Shtypi turk 05.01.2022

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e mërkurë, 5 janar 2022:

1757358
Shtypi turk 05.01.2022

“Habertürk”Presidenti Erdogan: Më të vështirën e kemi hedhur pas shpine

Presidenti Recep Tayyip Erdogan u shpreh të martën në lidhje me masat e ndërmarra në ekonomi. “Më të vështirën e kemi hedhur pas shpine. Tani e tutje është koha të tregojmë se po i afrohemi objektivave tona hap pas hapi. Me paketën e masave që shpallëm, ne shpuam flluskën e dollarit dhe do ta shpëtojmë vendin tonë nga ky imazh duke shpuar gjithashtu flluskën e inflacionit”, deklaroi kreu i shtetit turk.

“Hürriyet”Rekord historik në eksportet e produkteve minerare

Ministri i Energjetikës dhe Burimeve Natyrore, Fatih Donmez, bëri me dije se 2021-shi ishte një vit plot suksese për sa i përket sektorit të energjisë dhe minierave. “Në vitin 2021 kemi thyer rekordin e historisë republikane të vendit duke eksportuar produkte minerare me vlerë 5 miliardë e 930 milionë dollarë”, theksoi ai.

“Star”Analizë e spikatshme në Kinë: Projekti i Turqisë, mundësia më e mirë në histori

Një artikull i botuar në “China Daily”, ndër gazetat më prestigjioze në Kinë, vlerëson se “Korridori Qendror i Turqisë ka hyrë në periudhën e mundësive më të mira historike dhe është në prag të rritjes së shpejtë”. Pasi tërheq vëmendjen mbi potencialin e projektit në fjalë, artikulli i ditores kineze thekson se rruga më e shkurtër nga Kina në Evropë kalon përmes Turqisë.

“Yeni Şafak”Indonezia mund të blejë luftanije nga Turqia

Portali “Oryx Blog”, i fokusuar mbi çështjet e industrisë ushtarake dhe të mbrojtjes, ka publikuar një artikull të analistëve holandezë Stijn Mitzer dhe Joost Oliemans mbi eksportin e anijeve patrulluese të Turqisë në Indonezi. Autorët nënvizojnë sidomos se luftanijet e projektuara nga turqit do të eksportohen shumë shpejt në të gjithë botën. “Vlen të theksohet gjithashtu se ambasadori i Indonezisë në Ankara, dr. Lalu Muhamad Iqbal, ka njoftuar fillimin e disa bisedimeve rreth mundësisë që vendi i tij të blejë një anije luftarake nga Turqia”, shkruhet mes të tjerash në këtë artikull.

“Sabah”Linjat Ajrore Turke nisin fluturimet për në Cebu të Filipineve

Kompania “Turkish Airlines” ka nisur fluturimet për në qytetin Cebu të Filipineve, pas atyre të rregullta në vazhdim drejt kryeqytetit Manila. Fluturimet do të kryhen 3 ditë në javë në formën Stamboll-Manila-Cebu.



Lajme të ngjashme