Shtypi turk 22.12.2021
Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e mërkurë, 22 dhjetor 2021.

“Hürriyet” - Presidenti Erdogan: Shtylla kryesore e vizionit tonë për vitin 2053 do të jetë arsimi dhe kultura
Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) mori pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së Çmimit të Madh Presidencial për Kulturën dhe Artin, organizuar të hënën në Kompleksin Presidencial. "Shtylla kryesore e vizionit tonë për vitin 2053 do të jetë arsimi dhe kultura", tha udhëheqësi turk në fjalën që mbajti në këtë aktivitet.
“Haber Türk” - Kryetari i Parlamentit turk, Shentop paralajmëroi Maqedoninë e Veriut kundër FETO-s
Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM), Mustafa Shentop (Şentop) në fjalën që mbajti në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut ka bërë një paralajmërim për FETO-n. “Ne dëshirojmë që Maqedonia e Veriut të marrë parasysh realitetin e rrezikut kombëtar dhe kërcënimit që përbën FETO jo vetëm për Turqinë, por edhe për të gjitha vendet ku ajo është prezente”,- theksoi kryeparlamentari turk.
“Vatan” - Ministri Akar ka pritur Shefin e Shtabit të Bosnje Hercegovinës
Ministri i Mbrojtjes Kombëtare Hulusi Akar është takuar me Shefin e Shtabit të Bosnjë-Hercegovinës, Gjenerallejtnant Senad Masoviç. Ministri Akar ka shprehur nevojën për përshpejtimin e trajnimeve ushtarake dhe për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Star” - Kryeministri i Nigerit, Mahamadou: Ne kemi nevojë për Turqinë në luftën tonë kundër terrorizmit
Kryeministri i Nigerit, Ouhoumoudou Mahamadou ka theksuar se në luftën kundër terrorizmit, Nigeri ka nevojë për përvojën dhe mbështetjen me pajisje të Turqisë. "Turqia është shumë më e përparuar se Nigeri në aspektin e pajisjeve ushtarake, aviacionit dhe mjeteve fluturuese pa pilot (dronëve). Turqia mund të kontribuojë në shumë fusha në luftën e Nigerit kundër terrorizmit",- ka thënë Mahamadou.
“Sabah” - TOGG rrugës për në SHBA
TOGG, automobili i parë kombëtar dhe prodhim vendor i Turqisë, hapin e parë të tij në skenën botërore do ta hedhë në SHBA. Makina turke do të marrë pjesë në Panairin e Elektronikës së Konsumatorit “CES 2022”, që do të zhvillohet midis 5 dhe 8 janarit në Las Vegas dhe ku kompanitë më të mëdha të teknologjisë në botë do të prezantojnë produktet e tyre të reja.