Shtypi turk 15.09.2021

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e mërkurë, 15 shtator 2021:

1706447
Shtypi turk 15.09.2021

“Hürriyet”: Erdogan: Në rritjen ekonomike të Turqisë kemi dalë mbi periudhën përpara pandemisë

Presidenti Recep Tayyip Erdogan tha se me rritjen e shpejtë të prodhimit industrial, eksporteve, punësimit dhe rritjes së arritur në periudhën e fundit, Turqia ka avancuar mbi periudhën përpara pandemisë së llojit të ri të koronavirusit (Kovid-19). “Shifrat tregojnë se rritja pozitive në ekonomi do të vazhdojë të rritet" tha Erdogan.

“Vatan”: Qartësohet programi i Erdoganit në SHBA

Presidenti Erdogan do të jetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërmjet datave 19-22 shtator. Nga foltorja e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, Erdogan do të japë mesazhe të rëndësishme mbi emigracionin, ndryshimet klimatike dhe epideminë. Erdogan gjithashtu do të takohet me Presidentin, Joe Biden dhe Kryeministrin izraelit, Naftali Bennett. Erdogan, i cili pritet të prezantojë librin e tij "Një botë më e drejtë është e mundur", do të bëjë edhe inaugurimin e Shtëpisë Turke.

“Yeni Şafak”: Kërkohet model për kthimin në shtëpi

Pas refugjatëve sirianë, rritja e presionit të emigracionit nga Afganistani, ka rritur ndjeshmërinë e bashkësisë ndërkombëtare ndaj problemit të emigrimit. Në këtë kontekst u përshpejtua diplomacia për kthimin e sigurt të refugjatëve në shtëpitë e tyre. Duke pritur tre mysafirë nga Kombet e Bashkuara (OKB) dhe Evropa në dy javët e fundit, Turqia pret një zgjidhje të përbashkët të problemit me bashkësinë ndërkombëtare. Si zgjidhje, fokusi është në zgjerimin e korridorit të sigurt në veri të Sirisë, si dhe zgjerimin e shtëpive dhe përmirësimin e kushteve të kampit për sirianët (në territoret e tyre).

“Star”: Nënshkruhet me Turqinë: Ushtria e Katarit hyn në një periudhë të re

Midis Institutit Yunus Emre dhe Shkollës së Gjuhëve të Huaja të Forcave të Armatosura të Katarit u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kurseve të gjuhës turke. Duke bërë një deklaratë për këtë temë, Drejtori i Institutit, Selçuk Kurşat Koca tha: " Instituti Yunus Emre në Doha vazhdon përpjekjet e tij për të çuar më tej marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve miqësore dhe vëllazërore, pra Turqisë dhe Katarit, në fushën e arsimit dhe kulturës.”

“Sabah”: Pjesëmarrje rekord në TEKNOFEST

Festivali i 4-t i Aviacionit, Hapësirës dhe Teknologjisë (TEKNOFEST) i cili synon të transformojë Turqinë në një shoqëri prodhuese të teknologjisë me parullën "Lëvizja e Teknologjisë Kombëtare", do të mbahet në Aeroportin “Ataturk” të Stambollit më 21-26 shtator të këtij viti. Në TEKNOFEST, ku vitin e kaluar aplikuan 16 mijë e 34 ekipe, rekordi i këtij viti u thye me 39 mijë e 684 ekipe të cilat kanë aplikuar. Konkurset mbahen në 35 kategori të ndryshme, nga automjetet elektrike në mjetet ajrore pa pilot, nga raketat në sistemet autonome, nga modeli i satelitëve e deri në sistemet nënujore.



Lajme të ngjashme