Shtypi turk 17.05.2021

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e hënë, 17 maj 2021:

1640829
Shtypi turk 17.05.2021

“Sabah”Deklaratë nga Erdogani për Palestinën dhe Republikën Turke të Qipros së Veriut

Duke folur në një intervistë ekskluzive për gazetën “Sabah”, Presidenti Recep Tayyip Erdogan u shpreh me këto fjalë: “Kushdo që hesht përballë kësaj gjakderdhjeje të shkaktuar nga shteti terrorist i quajtur Izrael, duhet ta dijë se do të vijë dita që ky proces do të godasë edhe atë vetë. (...) Gjithashtu ne do të mbrojmë deri në fund të drejtat e turqve qipriotë. Por më lejoni t'ju them kaq gjë: Ne s'i besojmë askujt përveç vetes sonë.”

“Vatan”Kombet e Bashkuara duhet t'i përfshijnë krimet e Izraelit urgjentisht në agjendën e tyre

Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM), Mustafa Sentop, potencoi se thirrja e OKB-së në adresë të Izraelit dhe Palestinës për t'u dhënë fund luftimeve mes tyre, nuk është e mjaftueshme. “Organizata e Kombeve të Bashkuara duhet t'i përfshijë urgjentisht në agjendën e saj masakrat civile, terrorin shtetëror dhe krimet kundër njerëzimit të Izraelit”, deklaroi ai.

“Haber Türk”Heshtja karshi sulmeve izraelite është e papranueshme

Ambasadori Feridun Sinirlioglu, përfaqësues i përhershëm i Republikës së Turqisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, vuri në pah se heshtja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së përballë sulmeve të Izraelit është diçka e papranueshme dhe propozoi se “duhet të krijohet një mekanizëm ndërkombëtar për mbrojtjen e palestinezëve”.

“Yeni Şafak”Model libian për Palestinën

Admiral i dorëhequr, Cihat Yayci, ideator i marrëveshjes detare të nënshkruar nga Turqia dhe Libia, i propozoi Ankarasë zyrtare që të firmosë edhe me autoritetet palestineze një marrëveshje për përshenjimin (delimitimin) e zonave të juridiksionit detar, sikurse veproi me Tripolin. Pasi tërhoqi vëmendjen se Turqia mund të jetë fqinje e Palestinës nga deti, Yayci vijoi me këto fjalë: “Marrëveshja e delimitimit të platformës kontinentale, të cilën ne e nënshkruam me Republikën Turke të Qipros së Veriut (RTQV) në vitin 2011, krijon një precedent. Kjo marrëveshje është e vlefshme edhe pse RTQV-ja nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara. Kjo marrëveshje mund të firmoset gjithashtu me Palestinën.”

“Star”Ndihmat e SHBA-së për Izraelin janë çnjerëzore

Ndërsa sulmet e Izraelit ndaj palestinezëve në Gazë vazhdojnë, senatori demokrat amerikan, Bernie Sanders, reagoi ndaj administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila i siguron Izraelit ndihma ushtarake me vlerë rreth 4 miliardë dollarë çdo vit. “Përdorimi i ndihmës amerikane për të mbështetur shkeljet e të drejtave të njeriut është e paligjshme. Ne duhet të bëjmë thirrje për një armëpushim urgjent”, tha Sanders.



Lajme të ngjashme