Shtypi turk 07.04.2021

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e mërkurë, 7 prill 2021:

1616596
Shtypi turk 07.04.2021

“Star”Deklaratë nga Kalin pas takimit të rëndësishëm me BE-në

Zëdhënësi i Presidencës, Ibrahim Kalin, bëri me dije se takimi i Presidentit Recep Tayyip Erdogan me Presidenten e Komisionit të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Presidentin e Këshillit të BE-së, Charles Michel, u zhvillua në një atmosferë përgjithësisht pozitive. Kalin theksoi se Presidenti Erdogan shpalosi perspektivën e Turqisë për të ardhmen e marrëdhënieve me Unionin dhe vuri në pah se objektivi final i Turqisë në procesin e saj me BE-në është anëtarësimi me të drejta të plota.

“Yenişafak”Samit për BE-në në Kompleksin Presidencial

Pas takimit të gjatë afro 3 orë në Presidencë, Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Charles Michel, deklaroi gjatë një konference shtypi nga Zyrat e Delegacionit të BE-së në Turqi se “Unioni është i gatshëm të paraqesë një agjendë konkrete për të forcuar bashkëpunimin në ekonomi dhe emigracion, si dhe lidhjet ndërshoqërore.” Kurse Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, duke iu referuar marrëveshjes tregtare të vitit 1995 mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian, u shpreh me këto fjalë: “Ne do të merremi me vështirësitë aktuale në zbatimin e Unionit Doganor dhe do të punojmë për ta azhurnuar atë.”

“Hürriyet”Artikull plot lëvdata nga “Bloomberg”

Gazeta ekonomike “Bloomberg”, me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raportoi se veçanërisht pas suksesit të arritur nga Azerbajxhani në Karabakun Malor qëndrojnë mjetet ajrore luftarake pa pilot të Turqisë. “Dronët e armatosur «TB2» të prodhuar nga kompania «Baykar» ndryshuan fatin e luftimeve në Libi dhe Azerbajxhan”, vlerësoi gazeta amerikane mes të tjerash.

“Vatan”Tërë bota do të ketë mundësi të blejë përmes “turkishsouq.com”

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Adil Karaismailoglu, bëri me dije të martën se nëpërmjet platformës “turkishsouq.com” po eksportohen produkte në 47 vende të botës, mes të cilave vlen të përmenden Mbretëria e Bashkuar, Italia, Suedia, Portugalia, Rusia, Australia, Kanadaja dhe Brazili. “Gati 300 mijë produkte të vendit tonë kanë hyrë në tregun botëror me anë të kësaj platforme”, u shpreh ministri Karaismailoglu mes të tjerash.

“Sabah”Aeroporti i Stambollit në majë të Evropës me mbi 17 mijë fluturime

Sipas raportit të Organizatës Evropiane për Sigurinë e Lundrimit Ajror (EUROCONTROL) mbi trafikun ajror gjatë periudhës 1-31 mars, Aeroporti i Stambollit renditet në krye të listës me 17 mijë e 407 fluturime gjatë muajit të tretë të vitit 2021.



Lajme të ngjashme