Shtypi turk 15.03.2021

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e premte, 15 mars 2021:

1601481
Shtypi turk 15.03.2021

“Star”Erdogan: Jemi në mesin e shteteve avangardë të botës

Presidenti Recep Tayyip Erdogan mori pjesë me një videomesazh në ceremoninë me rastin e 14 Marsit – Festës së Mjekësisë në Turqi, ku theksoi se njerëzimi po jeton një prej fatkeqësive shëndetësore më serioze të shekullit të fundit. “Ne jemi në mesin e shteteve avangardë të botës në fushatën e vaksinimit (antiCOVID), të cilën e filluan me grupet më të rrezikuara. Dhe pa asnjë dyshim, meritat më të mëdha në këtë sukses i kanë punonjësit tanë të shëndetësisë, të cilët po rendin natën e ditë për t'u rikthyer shëndetin qytetarëve tanë”, deklaroi kreu i shtetit turk mes të tjerash.

“Yenişafak”Turqia dënoi hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem

Ministria e Punëve të Jashtme shprehu shqetësim të thellë dhe dënoi fuqishëm hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Përmes një komunikate të shkruar, MPJ turke deklaroi se “liderët e kombit që ka vuajtur shumë në luftën për pavarësi, injoruan plotësisht gjendjen e rëndë të palestinezëve nën pushtim dhe abuzimet e rënda të të drejtave të njeriut prej disa dekadash”.

“Hürriyet”Linjat Ajrore Turke paralajmërojnë pasagjerët për formularin

Kompania e Linjave Ajrore Turke (THY – Turkish Airlines) bëri me dije se duke nisur nga data 15 mars 2021, pasagjerët që do të vijnë në Turqi, duhet të mbushin gjatë 72 orët të fundit përpara fluturimit formularin e hyrjes në Turqi, të cilin do ta gjejnë në adresën ueb http://register.health.gov.tr të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Vatan”Sukses i jashtëzakonshëm nga droni luftarak “AKINCI”

Mjeti ajror sulmues pa pilot “AKINCI”, forca e re e Turqisë në qiej, ka kaluar me sukses edhe një test tjetër. Siç bën të ditur kompania prodhuese “Baykar”, droni “AKINCI PT-2” (prototipi 2. i mjetit ajror pa pilot «AKINCI») ka përfunduar me rezultate maksimale edhe Testin e Identifikimit të Sistemit të Avancuar. “Çdo test i përfunduar me sukses e çon dronin «AKINCI» edhe një hap më afër detyrës. Të pavarur dhe të lirë në qiejt tanë”, thuhet mes të tjerash në komunikatën e “Baykar”.

“Sabah”Liqeni i Vanit në mesin e të preferuarve të NASA-s

Prania e fotografisë së liqenit të Vanit në konkursin internetor të Administratës Kombëtare Aeronautike dhe Hapësinore (NASA) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për fotografitë e shkrepura nga astronautët me mision prej më shumë se 2 dekadash në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar (ISS), ngjalli gëzim në provincat lindore Van dhe Bitlis të Turqisë. Fotografia në fjalë, e cila shoqërohet nga edhe informacioni se liqeni i Vanit është liqeni i sodës më i madh në botë, mori pëlqimin e mijëra personave në vetëm pak minuta.



Lajme të ngjashme