Shtypi turk 27.01.2021

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e mërkurë, 27 janar 2021:

1572332
Shtypi turk 27.01.2021

“Yenişafak”Erdogan: Në vendin tonë do të vijnë së afërmi 50 milionë doza të vaksinës

Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi të martën se ndryshe nga vendet e tjera, Turqia arriti ta lërë pas me vështirësi minimale procesin e lidhur me koronavirusin e ri shkaktar të sëmundjes COVID-19. “Vendet më të zhvilluara në botë aktualisht nuk po gjejnë dot vaksina. Me hapat që ndërmorëm për vaksinimin, ne filluam t'i marrim vaksinat tona me shpejtësi. Shpresoj që 50 milionë doza të vaksinës të vijnë në vendin tonë në fazën e parë”, theksoi ai gjatë fjalës së rastit në Ceremoninë e Emërimeve Sociale, organizuar në Kompleksin Presidencial në Ankara.

“Habertürk”Jetësohet projekti që do të zbulojë në kohë mutacionin e koronavirusit

Turqia vuri në jetë Projektin e Fuqizimit të Kapacitetit Kombëtar në Luftën me COVID-19, i cili mbështetet nga Bashkimi Evropian përmes Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA) dhe do të zbatohet nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Ky projekt që synon shkurtimin e kohës së testit dhe zbulimin në kohë të mutacionit të virusit përmes analizës së gjenomës, pritet të përforcojë luftën e Turqisë kundër llojit të ri të koronavirusit.

“Star”Fqinji viziton Turqinë për platformën e bashkëpunimit

Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Mohammad Javad Zarif, ka filluar një turne rajonal për të krijuar një platformë bashkëpunimi gjashtëpalëshe në Kaukaz. Me këtë objektivë, shefi i diplomacisë iraniane pritet të vizitojë edhe Turqinë brenda kësaj jave.

“Sabah”Në Bagdad për t'i dhënë mbështetje ushtrisë irakiane

Ministria e Mbrojtjes Kombëtare njoftoi të martën se një grup këshilltarësh ushtarakë turq ka shkuar në Bagdad për t'i dhënë mbështetje Forcave të Armatosura të Irakut miqësor e vëllazëror, në kuadër të Misionit të NATO-s në Irak (NM-I).

“Hürriyet”Aeroporti i Stambollit dhe “Turkish Airlines” vazhdojnë kryesimin në Evropë

Sipas Agjencisë Evropiane të Sigurisë së Trafikut Ajror (EUROCONTROL), Aeroporti i Stambollit dhe kompania e Linjave Ajrore Turke (Turkish Airlines - THY) kryesuan në Evropë edhe gjatë javës së tretë të janarit. EUROCONTROL-i bëri me dije se THY-ja i la pas rivalët e saj evropianë javën e kaluar me një mesatare prej 596 fluturimesh në ditë. Në të njëjtin raport, Aeroporti i Stambollit renditet i pari në mesin aeroporteve të Evropës me një mesatare prej 484 fluturimesh ditore gjatë periudhës 18-24 janar.



Lajme të ngjashme