Shtypi turk 26.01.2021

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e martë, 26 janar 2021.

1571345
Shtypi turk 26.01.2021

“Sabah”: Kalin: Është e mundur të zgjidhen të gjitha problemet, përfshirë Egjeun

Dje në Zyrën e Punës në Pallatin Dolmabahçe në Stamboll u mbajt raundi i 61-të i bisedimeve eksploruese mes Turqisë dhe Greqisë. Pas takimit zëdhënësi i Presidencës Ibrahim Kalın bëri një deklaratë në llogarinë e tij në Twitter ku tha se “Është e mundur të zgjidhen të gjitha problemet, përfshirë Egjeun”.

“Haber Turk”: BE dëshiron të vazhdojë vrullin pozitiv me Turqinë

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Josep Borrell tha se pas kontaktit me ministrin e Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu javën e kaluar në Bruksel, me Turqinë kanë rënë dakord të vazhdojnë vrullin pozitiv të arritur javëve të fundit.

“Star”: Hidhen firmat për prodhimin e vaksinës ruse në Turqi

Janë hedhur firmat në marrëveshjen për prodhimin në Turqi të vaksinës ruse antiCOVID “Sputnik V”. Kreu i bordit drejtues të Industrisë Farmaceutike “VisCoran”, Ozturk Oran tha: “Pas përfundimit të transferit të teknologjisë dhe procedurave të nevojshme pranë Ministrisë së Shëndetësisë do të merret licenca për përdorimin e vaksinës. Më pas në Turqi do të bëhet prodhimi pilot dhe do të kalohet në prodhim serik”.

“Hurriyet”: 19 kuzhinierë do të prezantojnë Turqinë

Ministria e Kulturës dhe Turizmit, zgjodhi 19 kuzhinierë të njohur turq të prezantojnë Turqinë jashtë vendit. Në listë janë të përfshirë emrat si Somer Sivrioglu, i njohur për programin e tij “Masterchef”, Kemal Demirasal, i cili ishte një surfist profesionist para se të bëhej kuzhinier, kasapi Nusret Gokçe, i njohur në të gjithë botën për mënyrën e hedhjes së kripës, Aylin Yazıcıoğlu, e njohur si kuzhiniere në kryeqytetin Paris të Francës dhe Arda Turkmen i njohur me programet e tij ushqimore në televizion.

“Yeni Safak”: Turqia eksportoi 3 mijë tonë çaj në 30 vende

Vitin e kaluar 3 mijë e 64 tonë çaj u eksportuan në 30 vende të botës nga Rize. Krahasuar me një vit më parë, u shënua një rritje prej 8 për qind në sasinë e çajit të eksportuar, ndërsa vlera e eksportit u rrit me 5 për qind.



Lajme të ngjashme