Shtypi turk 24.12.2020
Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e enjte, 24 dhjetor 2020:

“Haberturk”: Mesazhi i Erdoganit për SHBA-të dhe BE-në
Presidenti Recep Tayyip Erdogan bëri të ditur se në vitin 2021 do të hapet një faqe e re në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimin Evropian (BE). Duke vënë në dukje se presin që BE-ja të largohet nga verbëria strategjike që bën që Turqia të largohet prej saj, Erdogan tha se ata besojnë se Presidenti i ri i SHBA-së, Joe Biden, do t'i kushtojë vëmendjen e duhur marrëdhënieve turko-amerikane.
“Star”: Anija “Oruç Reis” niset për në Mesdheun Lindor
Anija e studimeve sizmike “Ourç Reis” u nis nga porti i Antalies për të vazhduar me punime në Mesdheun Lindor. Anija, e cila përfundoi punimet sizmike dydimensionale në platformën Demre, më 30 nëntor u kthye në portin e Antalies për furnizim dhe mirëmbajtje. Pas shpalljes së Navtex-it të ri për punimet në Mesdheun Lindor që do të vazhdojnë deri më 15 qershor 2021, anija “Oruç Reis” u nis nga porti i Antalies.
“Yeni Safak”: Është ardhur në fund të ndërtimit të luftanijes më të madhe të Turqisë
Luftanija më e madhe e Turqisë “TCG Anadolu” do të lëshohet në det vitin e ardhshëm. Luftanija e gjatë 232 metra dhe e gjerë 32 metra, do të mund të bartë 30 fluturake si helikopterë, avionë luftarakë dhe dronë. Në rast të nevojës kjo anije gjigande do të ofrojë mbështetje mjekësore për afërsisht 1 mijë persona dhe do të mund të përdoret edhe si spital gjatë operacioneve të dërgimit të ndihmave humanitare.
“Sabah”: Bateritë me litium do të prodhohen në Turqi
Ndërsa makinat elektrike përhapen me shpejtësi nëpër botë, kërkesa për elementin e litiumit që do të përdoret në bateritë e këtyre automjeteve gjithashtu u rrit. Litiumi, i cili përdoret për bateri në tableta, telefona celularë dhe pajisje mobile, do të përdoret gjithashtu edhe në baterinë e makinës vendore. Hapja e fabrikës pilot për prodhimin e litiumit dhe përbërësve të tij ETİ në Eskisehir, do të bëhet të shtunën me një ceremoni ku do të marrë pjesë edhe Presidenti Recep Tayyip Erdogan.
“Vatan”: BE-ja dërgon 485 milionë euro ndihmë për refugjatët në Turqi
Komisioni i Bashkimit Evropian (BE), ka njoftuar se do të sigurojë 485 milionë euro financa për projektet në vitin 2021 për të mbështetur refugjatët në Turqi. Në deklaratën e bërë nga Komisioni i BE-së, thuhet se me fondin që do të sigurohet, do të plotësohen nevojat e 1.8 milion refugjatëve dhe do të sigurohet mbështetje për arsimimin e më shumë se 700 mijë fëmijëve.