Shtypi turk 28.09.2020
Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e hënë, 28 shtator 2020:

“Vatan” – Vendim për kundërsulm nga Azerbajxhani
Vazhdon konflikti i nxehtë në vijën e frontit Azerbajxhan-Armeni. Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit njoftoi vendimin e saj për kundërsulm përgjatë vijës së frontit kundër aktiviteteve luftarake të Forcave të Armatosura të Armenisë dhe për të garantuar sigurinë e popullatës civile. Përleshjet filluan mëngjesin e së dielës pasi forcat armene hapën zjarr kundër vendbanimeve civile azerbajxhanase në vijën e frontit Armeni-Azerbajxhan. Ushtria azerbajxhanase nisi një kundërsulm të fuqishëm dhe çliroi disa vendbanime nga pushtimi.
“Haber Türk” – Mbështetje e plotë nga Turqia për Azerbajxhanin
Presidenti Recep Tayyip Erdogan theksoi se Armenia, e cila i shtoi edhe një sulm të ri agresionit të saj kundër Azerbajxhanit, e tregoi sërish se ajo është kërcënimi më i madh për paqen dhe qetësinë në rajon. “Kombi turk, si gjithmonë, qëndron edhe sot pranë vëllezërve të tij azerbajxhanas me të gjitha mundësitë që zotëron”, u shpreh kreu i shtetit turk.
“Sabah” – Mesazh solidarësie për Azerbajxhanin nga Republika Turke e Qipros së Veriut
Presidenti i Republikës Turke të Qipros së Veriut, Mustafa Akinci, dënoi sulmet armene ndaj territoreve azerbajxhanase. Përmes një komunikate me shkrim, Akinci tërhoqi vëmendjen se problemi i Karabakut Malor ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë, i cili kërkon zgjidhje prej dhjetëra vitesh, është shndërruar përsëri në një konflikt të nxehtë. “Në emër të popullit turk të Qipros, unë i përcjell popullit miqësor dhe vëllazëror të Azerbajxhanit ndjenjat tona të solidarësisë”, tha presidenti turkoqipriot.
“Yeni Şafak” – Kundërajror i ri për Forcat e Armatosura të Turqisë
Forcat e Armatosura Turke po përgatiten të shtojnë në inventarin e tyre sistemin e armës kundërajrore të kalibrit 25 milimetra, një prodhim tërësisht vendës dhe kombëtar që kaloi me sukses testet e qitjes. Arma në fjalë, e cila mund të përdoret në autoblinda dhe platforma armësh të telekomanduara, do të jetë në gjendje të shërbejë si armë kryesore në të gjitha kushtet atmosferike dhe mjediset luftarake.
“Star” – Mbyllet me sukses “Teknofest 2020”
Edicioni III i “Teknofest 2020”, i cili këtë viti u organizua në Gaziantep dhe është festivali më i madh në botë i aviacionit, hapësirës dhe teknologjisë, u mbyll me një entuziazëm të lartë. Emrat më të suksesshëm të garave dhe konkurseve, të cilat u organizuan në 21 kategori në kuadër të këtij festivali 4-ditor, u vlerësuan me çmime prestigjioze. Fluturimet akrobatike të mrekullueshme, të cilat u realizuan përgjatë evenimentit “Teknofest 2020” nga skuadra “Yjet Turke” dhe “Solo Turk”, u ndoqën me interes të madh duke dhuruar emocione unike. Me duartrokitje të shumta u prit edhe shfaqja e helikopterëve “Atak”. Entuziazmi, emocionet dhe adrenalina vijuan në maksimum përgjatë 4 ditëve të festivalit.