Shtypi turk 27.08.2020

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e enjte, 27 gusht 2020:

1480238
Shtypi turk 27.08.2020

 

“Hürriyet”Paralajmërim i ashpër nga Presidenti Erdogan

Presidenti Recep Tayyip Erdogan mbajti të mërkurën një fjalim në programin festiv të organizuar në Pakun Kombëtar të Manzikertit në rrethin Mush, me rastin e 949-vjetorit të Fitores së Manzikertit. “Frika nuk e vonon vdekjen. Turqia do të marrë atë që i takon në Mesdhe, në Egje dhe në Detin e Zi. Ne jemi të vendosur që të bëjmë gjithçka nevojitet për këtë në aspektin politik, ekonomik dhe ushtarak. I ftojmë bashkëbiseduesit tanë që të ndreqin veten dhe të qëndrojnë larg gabimeve që do të çonin në shkatërrimin e tyre”, deklaroi kreu i shtetit turk.

“Haber Türk”Antalia pret 100 mijë turistë në 3 ditë

Turizmi është rigjallëruar në Antalie dhe qyteti ka pritur 100 mijë udhëtarë në 3 ditë, të cilët kanë ardhur nga jashtë shtetit me 510 avionë. “Kjo është një shifër tepër e rëndësishme. Ne shohim që në Antalie kanë ardhur 1 milion e 300 mijë pasagjerë nga linjat ndërkombëtare prej fillimit të vitit. Pothuajse gjysma e kësaj shifre është realizuar në muajin gusht”, bëri me dije drejtori i përgjithshëm i Aeroportit të Antalies, Deniz Varol.

“Vatan”Rusia e hapur për prodhimin e përbashkët të helikopterëve me Turqinë

Andrey Boginsky, drejtor i përgjithshëm i Helikopterëve të Rusisë, njoftoi se vendi i tij është i hapur për bashkëpunim me Turqinë në teknologjitë dhe prodhimin e helikopterëve. “Çështja ka të bëjë me gjendjen e tregut dhe të ardhmen e gamës së prodhimit. Ne jemi të gatshëm të bisedojmë për bashkëpunim në këtë fushë”, u shpreh Boginsky.

“Star”Një ekonomiste turke në postin e lartë të FMN-së

Ekonomistja turke, Ceyla Pazarbaşioglu, është emëruar ne krye të Departamentit të Strategjisë, Politikës dhe Rishikimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Organizata bëri me dije se Pazarbaşioglu, e cila aktualisht mban postin e nëndrejtoreshës së Bankës Botërore (BB) për Rritjen e Drejtë, Financën dhe Institucionet, do ta fillojë detyrën e re më datë 15 shtator.

“Sabah”Në Kulluoba zbulohet paletë pikture 5.000-vjeçare

Në gërmimet e gradishtës Kulluoba, të cilat vazhdojnë që nga viti 1996 në komunën Seyitgazi të rrethit Eskisehir, u gjet një paletë pikture 5.000-vjeçare prej guri. Arkeologët theksojnë se kjo paletë është përdorur për të pikturuar enët e baltës.



Lajme të ngjashme