Shtypi turk 06.08.2020

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e enjte, 6 gusht 2020:

1468220
Shtypi turk 06.08.2020

 

“Hürriyet”Turqia në veprim për fatkeqësinë e Bejrutit

Turqia ka ndihmuar me materiale dhe pajisje mjekësore Libanin në vështirësi si pasojë e shpërthimit në Bejrut, ku ka dërguar edhe një skuadër kërkim-shpëtimi. Materialet e përgatitura nga Ministria e Shëndetësisë, Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) dhe Gjysmëhëna e Kuqe u çuan në Bejrut me avion ngarkesash. Krahas materialeve e pajisjeve mjekësore dhe ndihmave humanitare, në avion ishin edhe personeli i kërkim-shpëtimit.

“Vatan”Ministri Varank: Kanali i Stambollit një çështje e sigurisë strategjike

Ministri i Industrisë dhe Teknologjisë, Mustafa Varank, bëri një deklaratë të rëndësishme nga llogaria e tij zyrtare në rrjetin social “Twitter”. “2.750 tonë nitrat amoni që shkaktuan shpërthimin, i cili na dogji shpirtin të gjithëve, shkuan në Bejrut duke kaluar nga ngushtica e Stambollit 6 vjet më parë. Kanali i Stambolli, të cilit presidenti ynë i nderuar po i mëshon kaq shumë, nuk është një çështje e thjeshtë, por një çështje e sigurisë strategjike të Turqisë”, shkroi ai.

“Haber Türk”Kryeparlamentari Sentop reagon kundër Francës dhe SHBA-së

Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë, Mustafa Sentop, deklaroi se Franca është shteti i fundit në botë që mund të flasë për të drejtat e njeriut, ligjin, drejtësinë, të drejtat dhe padrejtësitë. “Historia e dy shekujve të fundit tregojnë se Franca është një vend faqezi që e ka të pamundur ta fshijë njollën nga balli”, tha ai. Sa i përket marrëveshjes së një kompanie amerikane të naftës me organizatën separatiste terroriste YPG/PKK, Sentop nënvizoi se “të gjitha pasuritë kombëtare në Siri i përkasin popullit sirian”.

“Star”Turqia mbështet Venezuelën me donacione në shëndetësi

Marrëveshja ndërmjet Turqisë dhe Venezuelës për bërjen e donacioneve në fushën e shëndetësisë u publikua në Fletoren Zyrtare. Në kuadër të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Qeverisë së Republikës Bolivariane të Venezuelës për Donacione në Fushën e Shëndetësisë, nënshkruar në Ankara më datë 11 qershor, Turqia i dhuroi Venezuelës 25 respiratorë, 100 mijë maska kirurgjike, 50 mijë maska “N95”, 35 mijë veshje mbrojtëse, 200 mijë doreza dhe 40 mijë komplete testesh PCR.

“Yeni Şafak”Turqia e treta në botë për ujë të ngrohtë nga dielli

Ndërkohë që në botë vazhdon të përhapet prodhimi i elektricitetit me panele diellore, Turqia është ngjitur në vendin e tretë në botë për prodhimin e ujit të ngrohtë me kolektorë. Pas Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Turqia është vendi që përfiton më shumë nga energjia diellore për të ngrohur ujë duke kursyer energji me vlerë 200 milionë dollarë në vit.

“Yeni Şafak”Plazhet e Mesdheut dhe Egjeut presin dyndje të turistëve gjermanë

Heqja e paralajmërimit zyrtar për udhëtimet turistike në provincat e Antalies, Izmirit, Aidinit dhe Muglas, të gjitha në bregdetin perëndimor të Turqisë dhe veçanërisht të njohura nga turistët gjermanë, u ka rikthyer buzëqeshjen hotelierëve të këtyre zonave. Ulkay Atmaca, president i Shoqatës së Hotelierëve Profesionistë të Turqisë (POYD), theksoi rëndësinë e tregut gjerman për sektorin turk të turizmit. “Ky vendim pas Britanisë së Madhe dhe Rusisë, është shumë i rëndësishëm për ne edhe pse i vonuar. Me një rimëkëmbje të shpejtë, ne presim të kemi një numër të lartë të turistëve gjermanë”, tha ai.



Lajme të ngjashme