Shtypi turk 04.08.2020

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e martë, 4 gusht 2020:

1466856
Shtypi turk 04.08.2020

 

“Star”Kryeparlamentari Sentop: Nuk do të lejojmë që Armenia të realizojë ambiciet e saj

Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë, Mustafa Sentop, realizoi të hënën një bisedë telefonike me Kryetaren e Kuvendit Kombëtar të Azerbajxhanit, Sahiba Gafarova. Pasi e uroi homologen azerbajxhanase me rastin e festës së Kurban Bajramit, Sentop i shprehu asaj mbështetjen e Turqisë kundër sulmeve të fundit të Armenisë. “Ne s'do të lejojmë kurrë që Armenia të realizojë ambiciet e saj kundër Azerbajxhanit dhe Turqisë”, theksoi ai.

“Vatan”Në Mesdheun Lindor tani është e pamundur të përjashtohet Turqia

Gazeta amerikane “The Wall Street Journal” publikoi të hënën një artikull rreth strategjisë së Turqisë në Mesdheun Lindor. Në këtë analizë, ku theksohet se manovra e Turqisë për të filluar një program detarie të mirëfilltë në këtë rajon ishte diçka që duhej parashikuar dhe pritur, tërhiqet vëmendja se tentativat që synojnë përjashtimin e Turqisë nga ekuacioni energjetik në Mesdheun Lindor, janë të destinuara të dështojnë përballë vendosmërisë së Ankarasë.

“Yeni Şafak”Evropa nuk përplaset me Turqisë

Evangelos Apostolakis, ish-komandant i Forcave Detare dhe ish-ministër i Mbrojtjes Kombëtare të Greqisë, vuri theksin mbi rëndësinë e Turqisë duke paralajmëruar se gjeopolitikisht dhe ekonomikisht Bashkimi Evropian do të zgjidhte Turqinë në vend të Greqisë. Ai tha se Presidenti Recep Tayyip Erdogan është një lider i fortë dhe se Turqia – nën udhëheqjen e tij – ka tendencën e ngritjes si një fuqi rajonale serioze në Mesdheun Lindor. “Turqia merr pjesë në të gjitha platformat gjeopolitike dhe shikohet si një aktor mjaft serioz”, saktësoi admirali grek në pension.

“Haber Türk”Tregjet në Turqi u rimëkëmbën me shpejtësi

Pavarësisht masave të vendosura për frenimin e përhapjes së pandemisë së shkaktuar nga lloji i ri i koronavirusit (COVID-19), tregjet në Turqi kanë filluar të rimëkëmben vrullshëm. Në gjysmën e parë të këtij viti, shitjet e banesave në Stamboll kanë shënuar një rritje me 16% duke arritur në mbi 106 mijë, kurse shitjet e automobilave në të gjithë territorin e Turqisë kanë arritur në 203 mijë, nga 156 mijë copë që ishin më parë. Nga ana tjetër, firmat e reja të themeluara në Stamboll gjatë 7 muajve të kaluar të 2020-s janë 30 mijë e 509, një rritje me gati 10% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Hürriyet”Turqia qendër e rritjes

Tankut Turnaoglu – ndihmëspresident i parë dhe menaxher i përgjithshëm i “Procter & Gamble” për Turqinë, Kaukazin dhe Azinë Qendrore – një prej kompanive më të mëdha në botë për produktet e higjienës dhe kujdesit personal, tërhoqi vëmendjen se Turqia është ndër qendrat më të rëndësishme të rritjes në Evropë. Pasi nënvizoi se Turqia është vendi me rritjen më të shpejtë të Evropës gjatë 3 viteve të fundit, Turnaoglu vijoi me këto fjalë: “Filiali «P&G Turkiye» është gjithashtu kampion i eksporteve, lider në kategori si veglat e rrojës dhe kujdesi pas rrojës, produktet e kujdesit për gratë, produktet e kujdesit për bebet, si dhe produktet e higjienës shtëpiake dhe kujdesit për rrobat.”



Lajme të ngjashme