Shtypi turk 15.06.2020

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e hënë, 15 qershor 2020:

1436262
Shtypi turk 15.06.2020

“Sabah” - Erdogani bën inaugurimin historik

Pista e tretë e pavarur, Rezidenca Shtetërore dhe xhamia e Aeroportit të Stambollit, i cili kryeson renditjet botërore të kapacitetit dhe trafikut në kategorinë e rivalëve të ngjashëm, u përuruan të dielën me një ceremoni ku i pranishëm ishte edhe Presidenti Recep Tayyip Erdogan. “Do të vazhdojmë të shërbejmë dhe të prodhojmë vepra. Aeroporti ynë priti 65 milionë pasagjerë brenda një kohe të shkurtër. Stekën do ta ngremë edhe më lartë”, deklaroi kreu i shtetit turk gjatë fjalës së rastit.

“Hürriyet” - “Do ta bëjmë Turqinë qendër botërore të financës pa interes”

Ministri i Thesarit dhe Financave të Turqisë, Berat Albayrak, mori pjesë të dielën me videolidhje në Konferencën 12. Ndërkombëtare të Ekonomisë dhe Financës Islame, ku deklaroi se qëllimi i tyre është ta bëjnë Turqinë një qendër botërore të financës pa interes.

“Haber Türk” - Protestë për George Floyd përpara Konsullatës së Përgjithshme të SHBA-së në Stamboll

Vdekja e afroamerikanit George Floyd si pasojë e dhunës policore në qytetin Mineapolis të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u protestua të dielën edhe përpara Konsullatës së Përgjithshme të SHBA-së në Stamboll. Dhjetëra demonstrues me fotografi të 46-vjeçarit Floyd u mblodhën përpara objektit diplomatik amerikan në Sariyer të Stambollit dhe zhvilluan një protestë paqësore nën masat e sigurisë. Protestuesit hodhën slogane antiraciste për një farë kohe dhe pastaj u larguan pa asnjë incident.

“Vatan” - Shtyhet vizita në Turqi e ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes së Rusisë

Ankaraja zyrtare njoftoi shtyrjen e vizitës së planifikuar për të dielën të delegacionit rus me autoritete ushtarake dhe të sigurisë, kryesuar nga ministri i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov dhe ministri i Mbrojtjes, Sergey Shoygu. Sipas një komunikate të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, takimet do të realizohen në një datë të mëvonshme.

“Star” - Turqia merr presidencën e radhës së Grupit Këshillimor për Industrinë e NATO-s

Turqia mori të dielën presidencën e radhës së Grupit Këshillimor për Industrinë e NATO-s (NIAG), i cili përfshin edhe nëngrupet e punës që përcaktojnë nevojat teknologjike aktuale të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut.



Lajme të ngjashme