Shtypi turk 11.06.2020

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e enjte, 11 qershor 2020:

1434044
Shtypi turk 11.06.2020

“Sabah”Reagim i ashpër nga Turqia për nismën pushtuese të Izraelit

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, reagoi fuqishëm ndaj planit të Izraelit për të aneksuar territoret palestineze. Duke paralajmëruar se pushtimi do të shkatërrojë të gjitha shpresat për një paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, Çavusoglu tha: “Nëse fuqia okupuese (Izraeli) kalon vijën e kuqe, atëherë ne duhet të tregojmë si vende islame se kjo do të ketë pasoja.”

“Hürriyet”Turqia është pranë qeverisë legjitime në Libi

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar, theksoi se Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) gëzon njohjen e Kombeve të Bashkuara dhe përfaqëson të gjithë Libinë. Akar vuri në pah se Turqia është pranë qeverisë legjitime në Libi dhe vijoi me këto fjalë: “Ne kemi një histori rreth 500-vjeçare me vëllezërit tanë libianë. Ne s'mund të qëndronim indiferentë ndaj problemeve të vëllezërve tanë atje.”

“Star”Pohim historik nga Gjermania: S'ka armëpushim pa Turqinë në Libi

Prof. dr. Andreas Dittmann nga Universiteti i Giesenit në Gjermani tërhoqi vëmendjen se pa Turqinë nuk do të ketë një armëpushim në Libi. Ai potencoi se forcat e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA), të mbështetura nga Turqia, arritën një fitore absolute kundër milicisë së puçistit Khalifa Haftar. Nga ana tjetër – shtoi prof. Dittmann – thirrja e Egjiptit për armëpushim nuk është asnjanëse dhe si e tillë është e papranueshme.

“Yeni Şafak”Fluturimi i parë pas kufizimit të udhëtimeve: Dyndje turistësh

Ndalimi i udhëtimeve jashtë shtetit, një masë që aplikohej prej një kohe të gjatë për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19), u shfuqizua duke filluar nga e mërkura e 10 qershorit; kurse fluturimi i parë ndërkombëtar drejt Antalies, kryeqytet i turizmit në Turqi, u realizua nga Gjermania. Mes 6 avionëve të një kompanie ajrore private gjermane, të cilët zbritën të mërkurën në Antalie, i pari ishte nga Mynihu dhe i dyti nga Dyseldorfi. Pasagjerët iu nënshtruan kontrolleve shëndetësore dhe do të qëndrojnë 14 ditë në karantinë.

“Vatan”Stambollit do t'i shkojë shumë transformimi në qendër financiare

Ministri i Thesarit dhe Financave, Berat Albayrak, deklaroi se Turqia po bën një punë të vazhdueshme dhe efikase për të zgjeruar tregjet e kapitalit dhe gamën e instrumenteve investuese. Duke vlerësuar arritjen e nivelit më lartë historik prej 150 miliardë lirash turke në totalin e fondeve investuese, Albayrak tha se “Stambollit do t'i shkojë shumë transformimi në qendër financiare”.



Lajme të ngjashme