Shtypi turk 07.01.2019

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e martë, 7 janar 2020:

1336153
Shtypi turk 07.01.2019

“Sabah”Deklarata të rëndësishme nga Erdogani

Presidenti Recep Tayyip Erdogan mbajti të hënën një fjalim me rastin e ceremonisë së përurimit të selisë së re të Organizatës së Inteligjencës Kombëtare (MIT), e ashtuquajtur “KALA” (KALE), ndërtuar në lagjen “Baglica” të Etimesgutit, një prej distrikteve të Ankarasë. Ai theksoi se MIT-ja po realizon misione shumë të rëndësishme në çështje mjaft kritike. Duke folur për arritjet e inteligjencës turke, kreu shtetit turk tha se që prej fillimit të krizës siriane në veçanti, MIT-ja ka merita madhore në suksesin e operacioneve ndërkufitare të vendit. “Shërbimi turk i inteligjencës po kryen tani denjësisht edhe misionet që i janë ngarkuar në Libi. Unë besoj me shpirt se ju do të vazhdoni të mbroni interesat e shtetit dhe kombit tonë”, shtoi Presidenti Erdogan.

“Haber Türk”Çavusoglu: Vrasja e Soleimanit, një kërcënim serioz për stabilitetin rajonal

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, deklaroi të hënën se vrasja me një sulm ajror amerikan e gjeneralit Qasem Soleimani, komandant i Forcës së Jerusalemit, njësi speciale e Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC), paraqet një kërcënim serioz për stabilitetin e rajonit. “Ne do të vazhdojmë të punojmë me vendet e tjera gjatë ditëve në vijim për zgjidhjen e këtij problemi ose për uljen e tensionit ndërmjet SHBA-së dhe Iranit”, tha Çavusoglu gjatë mbledhjes vlerësuese të politikës së jashtme turke për vitin 2019.

“Vatan”Turqia eksporton 158 mijë tonë lajthi të qëruar në 4 muaj

Shoqata e Eksportuesve të Lajthisë dhe Produkteve të Lajthisë së Detit të Zi (KFMIB) njoftoi të hënën se Turqia ka siguruar 1 miliard e 93 milionë e 537 mijë e 514 dollarë të ardhura duke eksportuar 158 mijë tonë lajthi të qëruar në 4 muaj. Sipas njoftimit në fjalë, gjatë periudhës 1 shtator-31 dhjetor 2019, e cila përbën katërmujorin e parë të sezonit eksportues 2019-2020, një kuintal (100 kg) lajthi natyrale standarde e qëruar është shitur me një çmim prej 661 dollarësh.

“Star”Sektori automobilistik arrin perfomancën “e dytë më të lartë” eksportuese në vitin 2019

Eksportet e sektorit turk të automobilistikës u realizuan në nivelin e 30,6 miliardë dollarëve në vitin 2019. Asambleja e Eksportuesve të Turqisë (TIM) bëri me dije të hënën se sektori në fjalë shënoi vitin e kaluar jo vetëm performancën e dytë më të lartë eksportuese deri më sot, por njëherësh kapi në bazë mujore edhe mesataren e 2,25 miliardë dollarëve në shitjet e jashtme.

“Hürriyet”Turizmi i Antalies në vitin 2019 theu rekordin historik në tregun rus

Qytetarët rusë formuan 1/3 e turistëve të huaj që vizituan Antalien gjatë 2019-s. Sipas të dhënave të Drejtorisë Rajonale të Kulturës dhe Turizmit – Antalie, numri i turistëve të huaj në këtë qytet të Turqisë është rritur me 17,14 për qind në krahasim me vitin 2018. “Nga gjithsej 15 milionë e 644 mijë e 108 turistë që zgjodhën Antalien në vitin 2019, vetëm të ardhurit nga Rusia ishin 5 milionë e 582 mijë e 763”, theksohet në raportin e publikuar nga institucioni i lartpërmendur.



Lajme të ngjashme