Shtypi turk 03.12.2019

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e martë, 3 dhjetor 2019:

Shtypi turk  03.12.2019

Yeni Şafak” – Erdoan dhe Putin do të takohen në Stamboll më 8 janar

Sipas një deklarate të Kremlinit thuhet se Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) dhe Kryetari i Shtetit të Rusisë, Vladimir Putin më 8 janar do të takohen në Stamboll. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitriy Peskov kishte deklaruar të hënën se Putin dhe Erdoan planifikojnë që në janar të 2020-s të vënë në punë gazsjellësin “Rrjedha Turke”, i cili gazin rus do ta çojë në Evropë duke kaluar nën detin e Zi dhe territorin e Turqisë. Pritet që përurimi i këtij projekti gjigand të bëhet gjatë vizitës së Putinit.

Vatan” – Marrëveshja që do ti bëjë Turqinë dhe Libinë fqinjë në Mesdhe

Në 27 nëntor Presidenti Recep Tayyip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) dhe Kryetari i Këshillit Presidencial të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar të Libisë, Fayez Al-Sarraj firmosën [në Stamboll] "Memorandumin e Mirëkuptimit për Kufizimin e Juridiksioneve Detare". Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Çështjeve Politike Dypalëshe dhe Detarisë-Aviacionit dhe Kufirit, Ambasadori Çataj Erxhijes (Çağatay Erciyes) publikoi në median sociale hartën që tregon kufijtë pas nënshkrimit të marrëveshjes që i bën Turqinë dhe Libinë vende fqinje në detin Mesdhe. Postimi në fjalë është ripostuar edhe nga llogaria zyrtare e Ministrisë Punëve të Jashtme në «Twitter».

Haber Türk” – Ministria e Mbrojtjes Kombëtare (MSB): ‘Turqia do ti përmbushë detyrat e saj në NATO’

Oficeri i Prezantimit i Departamentit të Marrëdhënieve me Publikun në MSB, koloneli i Këmbësorisë Olxhaj Denizer (Olcay Denizer) në një konferencë shtypi që mbajti të hënën në Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare (MSB) tha se Turqia ka dhënë kontribute të rëndësishme në sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar në kuadër të NATO, ku ajo është anëtarësuar në 18 shkurt të vitit 1952. “NATO ka pasur një rol të rëndësishëm në garantimin e sigurisë së vendit tonë, po ashtu edhe vendi ynë gjithmonë i ka përmbushur dhe do të vazhdojë ti përmbushë përgjegjësitë që i takojnë”,- nënvizoi koloneli Denizer.

Hürriyet” – Ministri Albayrak: “Vazhdon të shtohet përshpejtimi pozitiv i rritjes [ekonomike] të Turqisë”

Falë përshpejtimit pozitiv që ka kapur në tremujorin e tretë të këtij viti Turqia është rritur me 0,9%. Ministri i Thesarit dhe Financave, Berat Albayrak në një postim që ka bërë në «Twitter» thotë se sipas treguesve paraprakë për çerekun e katërt të vitit shtytja pozitive e Turqisë vazhdon të shënojë rritje. “Për të realizuar objektivin tonë për një rritje vjetore 5% do të fokusohemi në rritjen e vlerës së shtuar në industri, të përshpejtojmë rimëkëmbjen në anën e investimeve në veçanti, dhe në forcimin e sektorëve të mbështetur në prodhim e punësim”,- shkruan ministri Albayrak.

Star” – Ekonomisti me famë botërore, Nouriel Roubini: Rritja në Turqi do të ndjekë trendin pozitiv

Ekonomisti i njohur në botë, Nouriel Roubini ka thënë se ekonomia turke ka dalë nga periudha e stanjacionit, si pasojë e krizës valutore në gjysmën e dytë të vitit të kaluar dhe e presioneve financiare. “Deficiti tregtar ka pësuar rënie falë eksportit më konkurrues. Rritja ekonomike në Turqi do të ndjekë trendin pozitiv dhe vitin e ardhshëm rritja do të jetë rreth 3%”,- ka thënë Roubini sipas “Star”.



Lajme të ngjashme