Shtypi turk 02.10.2019

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e mërkurë, 2 tetor 2019:

1280260
Shtypi turk 02.10.2019

«Yeni Şafak»Erdoan: Nuk na ka mbetur asnjë ditë për të humbur për zonën e sigurt në Siri

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) ka thënë se Turqisë nuk i ka mbetur zgjidhje tjetër përveçse të ndjekë rrugën e saj në lidhje me zonën e sigurt që do të krijohet në Siri. “Ne kemi në plan të vendosim 2 milionë njerëz në zonën e sigurt 30 km të thellë që do të krijojmë nga lumi Eufrat e deri në kufirin me Irakun, në mënyrë që të përfshijë edhe Menbixhin”,- u tha Presidenti Erdoan gazetarëve të martën.

«Sabah»Erdoan: Rezervat valutore të Bankës Qendrore i kanë kaluar të 100 miliardë dollarët

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) tha të martën se rezervat valutore të Bankës Qendrore kanë arritur në nivelin e 103 miliardë dollarëve, duke shtuar se ata e vazhdojnë me sukses procesin e ekuilibrimit të ekonomisë dhe kalimit sërish në trendin e rritjes. “Nuk do të bëjmë asnjëherë lëshime nga disiplina jonë financiare. Periudhën 4-vjeçare pa zgjedhje që kemi përpara (deri në 2023) do ta vlerësojmë në mënyrën më të mirë të mundur duke ndjekur hartën tonë rrugore sipas planit të 11-të ekonomik. Do të vazhdojmë të punojmë natë e ditë derisa ekonomia jonë të jetë një nga 10 ekonomitë më të mëdha të botës”,- ka nënvizuar Presidenti Erdoan cituar nga “Sabah”.

«Vatan» – Bota e biznesit mbështet paketën e re ekonomike (YEP)

Në Turqi është publikuar Programi i Ri Ekonomik (YEP), që është edhe harta rrugore që do të ndjekë ekonomia turke në tre vitet e ardhshme. Sipas programit në fjalë, objektivi për inflacionin vjetor është që në vitin 2020 të bjerë në 4,9%. Biznesi është i mendimit se objektivi i vendosur në programin e ri ekonomik për një rritje të lartë ekonomike ka emocionuar dhe i ka dhënë moral edhe sektorit privat. Parashikohet që ndërmarrja e hapave të planifikuar do të luajë rolin e trampolinës në ekonomi dhe do të sigurohet kështu kalimi në procesin e një rritjeje të fuqishme dhe të qëndrueshme.

«Haber Türk»Fitch përmirëson parashikimet për rritjen ekonomike të Turqisë

Agjencia e klasifikimit të kredive “Fitch Ratings” në raportin e Perspektivës Ekonomike Globale që publikoi të martën ka revizionuar në kahun pozitiv parashikimin për rritjen e ekonomisë turke. Sipas Fitch në vitin 2020 ekonomia e Turqisë do të rritet me 3,1%, kurse në vitin 2021 rritja do të jetë 3,6%. Agjencia parashikon një rimëkëmbje të shkallës së gjerë për ekonominë turke në vitin 2020.

«Hürriyet»Numri i turistëve i kaloi 31 milionët

Numri i turistëve që kanë ardhur në Turqi në periudhën janar-gusht 2019 është më shumë se 31 milionë. Rusia renditet në krye të vendeve që kanë dërguar më së shumti turistë në Turqi gjatë kësaj periudhe 8-mujore, 4,8 milionë turistë. Kurse qyteti turk që ka pritur më shumë turistë është Antalia me 10,3 milionë. Pas Antalies vjen Stambolli me 9,9 milionë. Nga ana tjetër Stambolli hyri në 10 qytetet evropiane që kanë mirëpritur më shumë turistë në muajin gusht.



Lajme të ngjashme