Shtypi turk 10.09.2019

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e hënë, 10 shtator 2019:

Shtypi turk 10.09.2019

“Sabah”Mesazh shumë i qartë nga Turqia për Mesdheun Lindor

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, deklaroi të dielën se askush s’do t’ia dalë të pengojë aktivitetet e vendit të tij në Mesdheun Lindor. Në kuadër të vizitës së tij në Republikën Turke të Qipros së Veriut (RTQV), Çavusoglu mori pjesë në një takim me qytetarët në Yeni Erenkoy. Ai theksoi gjatë fjalës së rastit se Turqia është dhe do të vazhdojë të jetë në krah të popullit turkoqipriot pa hezituar aspak dhe pa bërë asnjë lëshim.

“Star”Albayrak takon sekretarin amerikan të Tregtisë, Ross

Ministri i Thesarit dhe Financave të Turqisë, Berat Albayrak, u takua të hënën me sekretarin amerikan të Tregtisë, Wilbur Ross. Ai u prononcua me një sërë mesazhesh nga llogaria e tij në “Twitter” për takimin e realizuar në Stamboll. Pasi bëri me dije se me sekretarin Ross patën një takim të frytshëm, ku i bënë një shqyrtim gjithëpërfshirës bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Albayrak u shpreh me këto fjalë: “Ne ritheksuam vendosmërinë dhe përkushtimin tonë për të arritur objektivin e 100 miliardë dollarëve në vëllimin tregtar ndërmjet dy vendeve tona.”

“Vatan”Publikohen statistikat e akomodimit për muajin korrik

Ministria e Kulturës dhe Turizmi të Turqisë publikoi të hënën statistikat e akomodimit për muajin korrik 2019. Sipas të dhënave në fjalë, kapaciteti i komplekseve turistike është shfrytëzuar në nivelin 75 për qind gjatë muajit të shtatë dhe në 50,68 për qind gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti.

“Haber Türk”Rusia lidere në eksportin turk të fruta-perimeve të freskëta

Sipas të dhënave të Shoqatës së Eksportuesve të Detit të Zi Lindor (DKIB), në 8 muajt e kaluar të këtij viti Turqia ka eksportuar në 114 vende të botës 1 milion e 964 mijë e 812 tonë fruta dhe perime të freskëta duke siguruar 1 miliard e 207 milionë e 84 mijë e 507 dollarë të ardhura. Vendin e parë në eksportin turk të fruta-perimeve të freskëta për këtë periudhë e ka zënë Federata e Rusisë me 375 milionë e 386 mijë e 968 dollarë.

“Hürriyet”Arritja e mjekut turk rrit shkallën e suksesit në luftën kundër kancerit

Mjeku turk, Yadigar Genç dhe ekipi i tij, të cilët jetojnë në qytetin Këln të Gjermanisë, kanë zhvilluar një teknikë kuruese të re për të luftuar kancerin me anë të imunoterapisë. Suksesi në trajtimin e kancerit u rrit ndjeshëm duke ngarkuar proteinat e kancerit në qelizat luftarake të prodhuara nga gjaku i vetë pacientit dhe duke përdorur viruse onkolitike.



Lajme të ngjashme