Shtypi turk 21.05.2019

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga shtypi turk për sot, e martë, 21 maj 2019:

1205351
Shtypi turk 21.05.2019

“Star”Komenti i parë nga Rusia për propozimin e Presidentit Erdogan për S-500

Duke vlerësuar fjalët e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për të prodhuar bashkërisht me Rusinë sistemet S-500, një propozim ky që erdhi pas marrëveshjes aktuale për blerjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore S-400, ekspertët rusë theksojnë se bashkëpunimi në këtë fushë është i mundshëm. Turqia pati njoftuar më parë se me Rusinë është i mundshëm edhe bashkëpunimi për prodhimin e avionëve gjuajtës të gjeneratës së pestë.

“Sabah”Çmim ndërkombëtar për Aeroportin e Stambollit

I konsideruar si porta e re e Turqisë, Aeroporti i Stambollit është vlerësuar me çmim nga revista e përmuajshme e udhëtimeve me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “Global Traveler”, e cila mban kontakte të vazhdueshme me konsumatorët që kanë qasje globale, udhëtojnë shpesh, konsumojnë produkte luksi dhe provojnë shanset e udhëtimeve apo akomodimeve “premium”. Revista “Global Traveler” i përcaktoi markat që do të merrnin çmim me anë të pyetjeve të hapura dhe anketave të drejtpërdrejta, të cilat ua dërgoi lexuesve të saj me postë elektronike mes datave 1 tetor 2018 – 31 janar 2019.

“Yeni Şafak”Mesdheu Perëndimor i Turqisë eksportoi 62 milionë $ domate në 4 muaj

Shoqata e Eksportuesve të Mesdheut Perëndimor, ku bëjnë pjesë rrethet Antalia, Isparta dhe Burdur, ka eksportuar në 141 shtete të botës fruta-perime të freskëta me vlerë 157 milionë e 493 mijë e 977 dollarë gjatë periudhës janar-prill. Plot 130 milionë e 438 mijë dollarë të kësaj shume janë të ardhurat nga eksporti i perimeve të freskëta. Eksporti më i madh nga Antalia, Isparta dhe Burduri është bërë në drejtim të Rusisë me 23 milionë e 460 mijë 208 dollarë dhe Gjermanisë me 23 milionë 435 mijë 861 dollarë.

“Haber Türk”Fillon numërimi drejt zeros për Ekspresin Turistik të Orientit

Aktivitetet e realizuara për të rritur interesin ndaj Ekspresit të Orientit, shpërndarja e shumtë e udhëtimeve në median sociale, vlerësimi i tij si një opsion pushimesh të jashtëzakonshme dhe bashkëpunimet me operatorët turistikë kanë bërë që kërkesa për këtë itinerar udhëtimi të rritet çdo ditë e më shumë. Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Cahit Turhan, bashkë me ministrin e Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy, do të përcjellin Ekspresin Turistik të Orientit në udhëtimin e tij të parë, i cili do të realizohet nga Ankaraja në Kars më datë 29 maj. Udhëtimi i trenit në fjalë, i cili do të përshkojë 1.300 km duke qëndruar në 53 stacione, do të zgjasë rreth 25 orë.

“Hürriyet” Dyndje turistësh të huaj në Luginën Ihlara

Pranvera ka sjellë me vete një dyndje të madhe vizitorësh në Luginën Ihlara, e cila ndërthur historinë me bukuritë natyrore dhe është një nga 10 sitet arkeologjike më të frekuentuara në Turqi. Gjatë vitit të kaluar, këtë vend përrallor e vizituan gjithsej 501 mijë e 158 turistë, një rritje kjo me 19 për qind në krahasim me 2017-n. Falë shtëpive e kishave të gdhendura në shkëmbinj dhe bimësisë së larmishme, Lugina Ihlara, 14 km e gjatë, i lë gojëhapur turistët në çdo stinë të vitit. Kapadokia e famshme nis gjithashtu me Luginën Ihlara, e cila ndodhet në qytezën Guzelyurt të rrethit Aksaray. Rrjedhimisht, turistët vendas dhe sidomos atë të huaj që shkojnë posaçërisht për të parë Kapadokian, bëjnë patjetër një ndalesë edhe në Luginën Ihlara.



Lajme të ngjashme