Shtypi turk 20.05.2019

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e hënë, 20 maj 2019:

Shtypi turk 20.05.2019

Yeni Şafak” – Avioni kombëtar luftarak i Turqisë do të dalë nga hangari në 2023

Kreu i Industrisë turke të Mbrojtjes, Ismail Demir tha se avionët F-16 që përdor tani ushtria turke do të zëvendësohen me avionin luftarak kombëtar. “Linjat e përgjithshme të avionit tashmë janë qartësuar. Vazhdojnë punimet për nënsistemet e aeroplanit, i cili nga hangari do të dalë në vitin 2023. Në faza të caktuara të programit mund të ketë ortakëri të reja me firma të huaja”, theksoi Demir.

Star” – Turqia do të vazhdojë të mbrojë interesat e saj në Mesdheun Lindor

Ministri i Energjetikës dhe Burimeve Natyrore, Fatih Dënmez (Dönmez) tha se ata do të vazhdojnë të ndërmarrin hapa në drejtim të realizimit të objektivave për një Turqi të madhe dhe të fuqishme. “Asnjë nuk mund të na pengojë që të realizojmë objektivat tona për sa kohë që ne do të jemi një, viganë dhe energjikë. Të drejtat e vendit tonë, popullit tonë dhe të Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV) në Mesdheun Lindor ne i kemi mbrojtur, i mbrojmë dhe do të vazhdojmë ti mbrojmë edhe në të ardhmen”, tha ministri Dënmez.

Vatan” – Investimet aziatike në Turqi arrijnë në 466 milionë dollarë

Investimet direkte që kanë bërë në Turqi personat jorezidentë në mars të vitit 2019 janë llogaritur në 820 milionë dollarë. Kurse në vitin 2018 për njëjtën periudhë kjo shifër ka qenë 835 milionë dollarë. Investimet më të shumta për këtë periudhë erdhën nga investitorët aziatikë, 466 milionë dollarë; të ndjekur këta nga investitorët evropianë me 342 milionë dollarë, ata amerikanë me 10 milionë dollarë edhe afrikanë me 2 milionë dollarë. Sipas këtyre të dhënave 56,8% e investimeve të drejtpërdrejta që janë realizuar në muajin mars në Turqi kanë ardhur nga vendet e Azisë.

Haber Türk” – Potenciali historik dhe kulturor do të integrohet në turizëm

Zëvendësministri i Kulturës dhe Turizmit, Nadir Alpaslan tha se Turqia me historinë dhe kulturën e saj qëndron mbi një thesar me pasuri të pashoqe në botë. Historia e njerëzimit e ka nisur rrugëtimin në këto toka dhe është zhvilluar deri në ditët e sotme. Gjatë kësaj aventure historike njerëzimi ka lënë mbi këto toka vepra të jashtëzakonshme. Ne po tregojmë një kujdes të jashtëzakonshëm në punën tonë për ruajtjen dhe përdorimin e këtyre veprave dhe jemi duke përgatitur edhe një legjislacion shumë të gjerë në këtë drejtim, sqaron zv/ministri Alpaslan cituar nga ditorja “Haber Türk”.

Hürriyet” – Irem Yaman hyri në histori! 2 herë kampione bote

Sportistja kombëtare turke, Irem Yaman fitoi medalje ari në Kampionatin Botëror të Tekvandos në kategorinë 62 kg për femra, që u zhvillua në Mançester të Anglisë. Në ditën e fundit të aktivitetit Irem Yaman doli në tapet në garën e peshës 62 kg për femra dhe në finale ajo u përball me brazilianen Caroline Santos. Yaman e mundi rivalen 21-7 dhe fitoi titullin kampione bote. Irem është sportistja e parë turke që ka fituar dy herë titullin kampione bote në tekvando.



Lajme të ngjashme