Shtypi turk 03.05.2019

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga shtypi turk për sot, e premte, 3 maj 2019.

1194383
Shtypi turk 03.05.2019

Star” – Strategjia e Turqisë duhet të jetë shembull për Evropën

Baronesha Philippa Stroud, anëtare e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar që nga viti 2015 dhe njëherësh kolumniste e rregullt e gazetës “The Times”, ka publikuar një artikull rreth përshtypjeve të saj në kufirin Turqi-Siri. “Strategjia e Turqisë duhet të jetë shembull për Evropën”, ka shkruar ajo duke shpjeguar se Turqia po demonstron një mikpritje të jashtëzakonshme për afro 3,5 milionë refugjatë sirianë. Pasi ka nënvizuar se lufta civile në Siri u ka marrë jetën gati 400 mijë njerëzve dhe ka shkaktuar zhvendosjen e miliona të tjerëve, Baronesha Stroud ka tërhequr vëmendjen se “më shumë se gjysma e popullsisë siriane prej 20 milionë banorësh ka nevojë për ndihma humanitare”.

Yeni Şafak” – Avioni Luftarak Kombëtar do të ekspozohet për herë të parë në Paris

Drejtori i përgjithshëm i Kompanisë së Industrisë Turke të Aviacionit dhe Hapësirës (TUSAS-TAI), prof. dr. Temel Kotil, ka bërë me dije se një model i Avionit Luftarak Kombëtar (TFX), me përmasa origjinale, do të ekspozohet për herë të parë këtë vit në Panairin Ndërkombëtar Ajror të Parisit (Paris Air Show). “Ne kemi përparuar duke ngritur të gjitha komplekset e infrastrukturës në lidhje me Projektin e Avionit Luftarak Kombëtar. Ky është projekti ynë më i madh. Kur ta kemi përfunduar, Turqia do të jetë në gjendje të thotë se nuk ka më asnjë dallim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia dhe Kina në aspektin teknologjik”, ka thënë ai. Prof. Kotil ka theksuar gjithashtu se kompania e drejtuar prej tij po realizon aktualisht edhe 5 projekte helikopterësh. “Pas 5 vitesh, ne do jemi në mesin e 4-5 prodhuesve më të mëdhenj të helikopterëve në botë. Kemi rreth 400 inxhinierë helikopterësh, megjithatë këtë numër jemi duke e rritur”, është shprehur kreu i TAI-t.

Hürriyet” – Droni kombëtar turk shndërrohet në lojë mobile

Në Panairin 14. Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes (IDEF’19), ku po ekspozohen një sërë prodhimesh të reja të industrisë turke të mbrojtjes, është shënuar edhe një risi e ndryshme. “Anka-S”, një prej mjeteve ajrore të telekomanduara që janë prodhuar nga industria turke e mbrojtjes, është transformuar në lojë mobile aksioni. Zhvilluar për 7 muaj nga kompanitë “Udo” dhe “Otto Games”, loja me titullin “Operasyon: ANKA” demonstron forcën dhe aftësitë superiore të dronit kombëtar turk ndaj rivalëve të tjerë botërorë. Në këtë lojë, e cila synon t’u prezantojë brezave të ardhshëm dhe të rinjve investimet në rritje dhe zhvillimin në industrinë e mbrojtjes, kërkohet që të plotësohen disa misione të caktuara përmes dronit luftarak “Anka-S”, i cili është i pajisur me sisteme të ndryshme armatimi, ndërsa me paratë e fituara mund të perfeksionohen mjetet dhe armët ekzistuese apo të prodhohen të reja.

Haber Türk” – Ekspresi i Orientit do të realizojë udhëtimin e parë turistik më 29 maj

Ekspresi Turistik i Orientit, i cili do të jetë sivëllai i trenit të famshëm “Orient Express” dhe do të ketë një kapacitet prej 120 pasagjerësh, do të vizitojë vendet historike dhe turistike në linjën Ankara-Kars. Treni Ekspres i Orientit, që do të udhëtojë në një prej 4 itinerareve hekurudhore më të bukura në botë, do të ofrojë shërbime cilësore me çmime ekonomike për pasagjerë të çdo moshe, sidomos për të rinjtë, të pasionuarit e natyrës dhe fotografisë. Më datë 29 maj, Ekspresi i Orientit do të niset nga Ankaraja në orën 20:00 dhe nga Karsi në 23:00 (me kohën lokale), për të përshkuar një udhëtim magjepsës rreth 27 orë të gjatë. Ekspertët janë të mendimit që kjo linjë do të bëhet shumë shpejt një destinacion ndërkombëtar dhe frymëzim për hapjen e linjave të reja.

Sabah” – Prodhohen domate me ndriçim led në ambient të mbyllur

Një firmë turke në Antalie ka prodhuar armatura led, të cilat çlirojnë energji diellore, për t’u përdorur sidomos në prodhimin bujqësor të vendeve nordike. Kjo firmë, e cila arriti të prodhojë me sukses domate përmes ndriçimit led të instaluar në serra që s’marrin diell, e ka eksportuar sistemin në fjalë të ndriçimit led në Maqedoni, Greqi dhe Turkmeni, si dhe ka bërë marrëveshje me Rusinë gjithashtu.



Lajme të ngjashme