Shtypi turk 05.12.2018

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e mërkurë, 5 dhjetor 2018:

1100737
Shtypi turk 05.12.2018

Haber Türk: Deklaratë nga Presidenti Erdoan

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) u kthye dje në kryeqytetin Ankara pas vizitave në Paraguai dhe Venezuelë, të realizuara pas Samitit të Liderëve të G-20 në Argjentinë. Në konferencën për shtyp në Aeroportin Esenboa (Esenboğa), ndër të tjera Erdoan tha: “Do të vazhdojmë të zhvillojmë marrëdhëniet bilaterale dhe shumëpalëshe me Amerikën Latine dhe rajonin e Karaibeve”. Erdoan bëri të ditur gjithashtu se në takimet dypalëshe theksoi nevojën për të qenë në solidaritetit kundër çdolloj forme të terrorit.   

Hürriyet”: Binali Jëlldërëm: Kinën e shohim si një vend strategjik dhe mik

Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM), Binali Jëlldërëm (Binali Yıldırım) u shpreh se Kina në skajin lindor dhe Turqia në skajin perëndimor të Azisë janë dy vende strategjike. Kryeparlamentari Jëlldërëm shkoi për një vizitë zyrtare në Pekin, kryeqytetin e Kinës, ku u prit në rezidencën shtetërore, Congnanhay nga Kryeministri i Kinës, Li Keqiang. “Bëhet fjalë për dy vende të rëndësishme në itinerarin e Rrugës Historike të Mëndafshit, që shtrihet nga lindja e Azisë në qendër të Evropës. Ne e shohim Kinën si një vend mik dhe strategjik për Turqinë” tha Binali Jëlldërëm në takimin me kryeministrin e Kinës.

Sabah: Performancë muzikore e veçantë për Emine Erdoan në Venezuelë

Bashkëshortja e Presidentit Erdoan, Emine Erdoan, e cila e shoqëroi atë gjatë vizitës në Amerikën e Jugut, u prit me një program të veçantë nga ana e Cilia Flores de Maduro, bashkëshortja e Presidentit të Venezuelës, Nicolas Madura Moros. Sistemi Kombëtar i Orkestrave dhe Korit të të Rinjve dhe Fëmijëve, që nga qarqet ndërkombëtare njihet si EL SISTEMA, dha një koncert për nder të Emine Erdoan. Në koncertin me një përzgjedhje të veçantë, krahas këngëve të njohura “Duke shkuar në Yskydar”, “Ecëm së bashku” dhe “Nusja e Verdhë”, u këndua edhe Himni Turk.     

Vatan: Turqisë do t’i vijnë “këmbësorë të komanduar”

Do të rritet llojshmëria dhe numri i mjeteve tokësore të komanduara nga larg, të cilat i janë ofruar për përdorim forcave turke të sigurisë. Presidenca e Industrisë së Mbrojtjes (SSB) intensifikoi punimet për rritjen dhe shumëllojshmërinë e zgjidhjeve vendore në fushën e sistemeve të komanduara. Në këtë kuadër, duke përdorur fuqinë e lartë të zjarrit dhe aftësinë e veprimit të platformave të komanduara në shërbimet logjistike, zbulim-kërkimi në territoret me rrezik dhe shërbimet e transportit, planifikohet përdorimi i tyre për t’ju afruar armikut dhe asgjësimit të tij, nëse do të jetë i nevojshëm.

Star: Serialet turke jetojnë “epokën e artë” në Liban

Që nga viti 2007, kur serialet turke filluan të transmetohen pas dublimit në arabisht, në Liban vazhdojnë të zënë vendin e parë ndër serialet e huaja, që transmetohen në këtë vend. Libanezët, në vend të serialeve siriane, egjiptiane dhe meksikane, prej 10 vjetësh preferojnë dramat turke. Ndërkohë që meshkujt shpjegojnë se ndjekin këto seriale për të mësuar gjuhën turke, femrat bëjnë të ditur se krahas fuqisë së përmbajtjes së ngjarjes që shtjellohet në serial dhe performancës së aktorëve, ndjekin këto seriale për shkak të interesit që kanë për bukuritë gjeografike, kulturën dhe modën e Turqisë.    



Lajme të ngjashme