Shtypi turk 25.07.2017

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga shtypi turk për sot, e martë, 25 korrik 2017:

777325
Shtypi turk 25.07.2017

Star” – Uniteti i qëndrueshëm në botën islame është domosdoshmëri

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, bëri deklarata të rëndësishme pas turneut të vizitave në Arabinë Saudite, Kuvajt dhe Katar. “Bëmë një hap të rëndësishëm në rrugën për të rindërtuar stabilitetin dhe klimën e besimit reciprok. Jemi të detyruar që të rindërtojmë atë që është shembur. Uniteti dhe solidariteti në botën islame duhet të jetë i qëndrueshëm; s’duhet t’u japim shans përçarjeve dhe kërcënimeve të ndërsjella. Ne shprehëm qartë se çfarë presim dhe këto do t’i ndjekim nga afër”, tha Presidenti Erdogan.

HaberTürk” – Xhamia Al-Aksa është drita e syrit tonë

Kreu i Shtetit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, përfundoi kontaktet në vendet e Gjirit dhe u kthye në Ankara, ku reagoi me tone edhe më të ashpra kundër praktikave të Izraelit në Xhaminë Al-Aksa. “Barazimi i terroristëve me myslimanët, që shkojnë atje për të kryer obligimet fetare, është errësim i arsyes. Me kësisoj mosrespektimesh të ligjit, Izraeli nuk dëmton vetëm veten e tij, por të gjithë rajonin. Xhamia Al-Aksa është drita e syrit e të gjithë myslimanëve. Ne s’mund të heshtim ndaj nëpërkëmbjes së vendeve tona të shenjta”, theksoi presidenti turk.

Sabah” – Ndarja e portofolave në kabinetin e ri

Kabineti i ri qeveritar i Turqisë u mblodh për herë të parë në Pallatin “Çankaya”, nën drejtimin e Kryeministrit Binali Yildirim. Në këtë takim të Këshillit të Ministrave u përcaktuan portofolat e zëvendëskryeministrave. Zëdhënës i qeverisë u bë zv/kryeministri Bekir Bozdag, që kishte postin e ministrit të Drejtësisë në kabinetin e mëparshëm. Në daljen e tij të parë publike me këtë detyrë të re, Bekir Bozdag reagoi fuqishëm kundër praktikave të Izraelit në Xhaminë Al-Aksa. “Izraeli është përgjegjës dhe ka për detyrë që të respektojë e të ruajë shenjtërinë dhe statusin historik të Xhamisë Al-Aksa. Presim që të përmbushen përgjegjësitë. Kërkojmë që të hiqen kufizimet, të cilat po u imponohen myslimanëve që duan të kryejnë ritet fetare”, deklaroi zv/kryeministri Bozdag.

Yeni Şafak” – Gjigantët botërorë vërtiten nga turbinat eolike turke

Turqia, vend ky që është duke përshpejtuar hapat në lidhje me prodhimin e energjisë së rinovueshme, po jetëson një projekt të çmendur edhe në prodhimin e turbinave të erës, krahas atij për panelet diellore. Gjigantët botërorë do të paraqesin të enjten ofertat e tyre për tenderin e hapur nga Ministria turke e Energjetikës dhe Burimeve Natyrore për ndërtimin e një impianti eolik me kapacitet të instaluar 1.000 MW. Kompania fituese e tenderit do të prodhojë turbina eolike me burime kombëtare turke jo më pak se niveli 65 për qind.

Vatan” – Niveli më i lartë i sigurisë

Në Aeroportin “Ataturk” të Stambollit ka nisur përdorimi i 10 skanerëve truporë, të cilët u instaluan pas ndalimit të aparateve elektronike në fluturimet drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pasagjerët hyjnë në këtë skaner dhe pastaj kthehen dy herë majtas e djathtas për t’u filmuar sikurse në rastin e radiografisë së dhëmbëve. Aparati elektronik në fjalë evidenton një nga një të gjitha lëndët mbi trupin e pasagjerit, përfshi ato plastike, qeramike dhe të lëngshme. Autoritetet turke të sigurisë kanë marrë nga 4 skanerë truporë gjithashtu për aeroportet e Ankarasë dhe Izmirit.



Lajme të ngjashme