Shtypi turk 21.06.2016

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e martë, 21 qershor 2016:

515051
Shtypi turk 21.06.2016

Yeni Şafak”: “Brifing me hartë”

Këshilli i Ministrave u mblodh edhe një herë në Kompleksin e Presidencës nën drejtimin e Presidentit Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan). Komandantët e forcave përkatëse, me në krye Shefin e Shtabit të Përgjithshëm gjeneralarmate Hulusi Akar si dhe drejtues të departamenteve të sigurisë e informuan parinë e shtetit mbi operacionet që vazhdojnë në kuadër të luftës me terrorin. Situata e fundit në përpjekjen antiterror iu sqarua në mënyrë të detajuar mbi harta. Në lidhje me procesin e ndërtimit dhe rilindjes që vazhdon në zonat ku kanë përfunduar operacionet brifing dhanë ministritë e linjës të ngarkuara me detyrë në këtë drejtim.

Vatan”: “Putini shet diamantin e zi”

Federata e Rusisë po përgatitet të shesë me një çmim rekord “Rosneft”-in, kompaninë më me vlerë që ka, me mendimin se kjo do të përbënte zgjidhje për vështirësitë ekonomike që kalon vendi. Kryetari i Shtetit të Federatës së Rusisë, Vladimir Putin vazhdon bisedimet me Kinën dhe Indinë për shitjen e 19,5% të aksioneve të gjigandit të naftës “Rosneft” me seli në Moskë.

Sabah”: “Merkel: Heqja e sanksioneve varet nga Minsku”

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se sanksionet që zbaton Evropa ndaj Rusisë do të hiqen vetëm në rast se Moska fillon e zbaton plotësisht marrëveshjen e Minskut që është arritur për Ukrainën. Zëdhënësi i Merkelit, Steffen Seibert në deklaratën që bëri tha se sanksionet në fjalë mund të hiqen në qoftë se Rusia i plotëson të gjitha këto detyrime, duke iu referuar marrëveshjes së arritur muajin e kaluar në samitin e G7-s në lidhje me qëndrimin që do të mbahet ndaj Moskës. “Në qoftë se hapat e hedhur nga Rusia do ta bënin të pashmangshme një gjë të tillë, atëherë ne jemi të gatshëm që të marrim masa shtesë me qëllim për t’ia rritur koston që do ti shkaktonte kjo Rusisë”.

HaberTürk”: “Obama do të kërkojë punë në Linkedin”

Presidenti në detyrë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Barack Obama, i cili pas përfundimit të garës për zgjedhjet presidenciale të nëntorit do ta dorëzojë kolltukun në fillim të 2017-s, thotë se “Pas rreth shtatë muajve do të jem një njeri që kërkon punë dhe jam i lumtur për këtë. Do të hap një llogari edhe në Linkedin dhe do të shikoj se çfarë do të më dalë përpara”. (Linkendin është një platformë sociale në internet për profesionistët, që ka për synim ndërtimin e komunikimit mes personave të botës së biznesit me njerëz të tjerë profesionistë si dhe shkëmbimin e informacionit).

Hürriyet”: “Rrënojat Ani Ören, kandidat për në UNESCO”

Ministria turke e Kulturës dhe Turizmit është vënë në veprim për të futur në Listën e UNESCO-s për Veprat Historike të Trashëgimisë Botërore rrënojat e vjetra “Ani Ören”, të cilat kanë një të kaluar 5 mijë vjeçare. Ministria ka dërguar në Kars një ekip profesionistësh prej 5 vetash për të bërë për 2 ditë xhirime në këtë vendbanim të lashtë me qëllim për t’ia paraqitur më pas UNESCO-s. Filmi prezantues dhe fotografitë që do të bëhen këtu pasi të jenë përgatitur në formën e dokumentarit do të dorëzohen në Këshillin e UNESCO-s për listën e qendrave historike me seli në Francë. Këshilli pasi ta vlerësojë kërkesën e Turqisë në gusht do të deklarojë se do të përfshihen apo jo në Listën Botërore të Qendrave Historike rrënojat “Ani Ören”.



Lajme të ngjashme