Shtypi turk

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga shtypi turk për sot, e martë, 22 mars 2016:

Shtypi turk

Hürriyet": Hajde Asya, na gëzo!

Vajza 2,5-vjeçare turke, Asya, e cila u plagos rëndë në sulmin kamikaz të ditës së shtunë, 19 mars 2016, në Rrugën “Istiklal" të Stambollit, me pasojë vdekjen e 4 personave dhe plagosjen e 39 të tjerëve, po mbahet në gjumë me anestezi pas operacioneve në kokë dhe në sy. E gjithë Turqia po dërgon mesazhe inkurajuese për vogëlushen Asya, e cila mori plagë të rënda bashkë me prindërit e saj. Një nga mesazhet më prekëse ishte: “E shtrenjta Asya, hajde na gëzo! Do të ble lodra dhe një karrocë fëmijësh të re për ty!" Letër për Asyan ka shkruar edhe nxënëse 10-vjeçare. “Unë quhem Nergis; mund të jem e vogël në moshë, por zemrën e kam të madhe. Mjaft më, mallkuar qoftë terrori! Përse vdesin njerëzit? Tani nuk dua të vdesin më të tjerë", shkruante ajo.

Sabah": Dijarbakëri nuk i shkoi pas qejfit

Në Parkun e Nevruzit, banorët e Dijarbakërit i prenë faturën udhëheqësve të Partisë Demokratike të Popujve (HDP), e cila ka lënë mënjanë paqen dhe i ka varur shpresat te hendekët, gropat dhe barrikadat. Qytetarët e zonës shpalosën zgjedhjen e tyre duke mos u vënë veshin provokimeve dhe kërcënimeve të HDP-së dhe të organizatës terroriste, PKK. Populli i Dijarbakërit i ktheu shpinën apelit të HDP-së. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Policisë, në Parkun e Nevruzit, në zonën Baglar të Dijarbakërit, këtë vit janë mbledhur vetëm 15 mijë vetë, ndërkohë që në festimet e vitit të kaluar pjesëmarrës ishin 500 mijë persona. Interesim për kremtimet e sivjetme nuk kanë treguar as të ftuarit dhe as gazetarët vendas e të huaj.

HaberTürk": Ministrit turk i Energjetikës, apel Kinës për bashkëpunim në qymyrgur

Ministri turk i Energjetikës dhe Burimeve Natyrore, Berat Albayrak, po udhëton drejt Kinës për bashkëpunim dhe ftesë për investime në fushën e energjisë. Vizita në Kinë e ministrit Albayrak fillon sot dhe përfundon më 25 mars. Kjo vizitë parashikon tre stacione, ku i pari është kryeqyteti Pekin. Albayrak do të shëtisë Impiantin Eolik të Pekinit, ku do të bisedojë me disa nga firmat më të rëndësishme në botë për energjinë e erës. Më tej ai do të ketë takime me autoritete të Bankës Kineze për Zhvillim dhe të disa institucioneve financuese të këtij vendi, të cilëve do t'iu shpjegojë klimën e sigurt për investime në vendin e tij dhe do t'u bëjë thirrje investitorëve kinezë për të financuar në Turqi. Në fund të programit në Pekin, ministri Albayrak do të takohet me drejtuesit e gjigantëve kinezë të qymyrgurit, të cilët do t'i ftojë në Turqi për investime dhe për të themeluar partneritete të reja.

Star": Gjuajtësit “F-16" do të zëvendësohen nga avionët kombëtarë “FX"

Nënsekretari i Industrisë turke të Mbrojtjes, prof. dr. Ismail Demir, u prononcua në një dalje publike lidhur me avionin luftarak “vendor dhe kombëtar", tip “FX", që do të jetë gjuajtësi i së ardhmes. “Kemi marrë shumë mësime të dobishme nga avionët 'F-16'. Nuk do të bashkëpunojmë me ata, që nuk lejojnë transferimin e plotë të teknologjisë. Projektimi i avionit 'FX' do të përfundojë në 2019-n dhe në vitin 2023 do të prodhojmë prototipin. Jemi vonë, por do të mësojmë të bëjmë edhe avionë", tha prof. dr. Demir.

Vatan": Shfaqje speciale për avionët e “Turkish Airlines"

Në Nju-Jork të SHBA-ve është shfaqur të dielën premiera e filmit “Batman v Superman: Dawn of Justice", sponsor kryesor i të cilit është kompania ajrore turke, “Turkish Airlines" (THY). Menjëherë pas shfaqjes së tij nëpër kinematë botërore, më datë 25 mars, filmi i shumëpritur do të shfaqet edhe në avionët e Linjave Ajrore Turke.



Lajme të ngjashme