Shtypi turk

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga shtypi turk për sot, e premte, 18 mars 2016:

453457
Shtypi turk

Hürriyet": Gjendet një varrezë e re dëshmorësh në Çanakala

Zemra e Turqisë rreh sot për ushtarët e martirizuar 101 vite më parë në Çanakala. Ndërkohë që në të katër anët e vendit po organizohen ceremoni dhe aktivitete me rastin e këtij përvjetori, në fshatin Beshjoll, pikërisht në vendin ku ngriheshin shtabi dhe spitali fushor i Komandës së Armatës së 16-të, është zbuluar pas një shekulli një tjetër varrezë e dëshmorëve të rënë në Betejat Tokësore të Çakanakalasë. Varret e rreth 600 ushtarëve në fjalë do të jenë varreza e parë e dëshmorëve në zonën e quajtur Anafartallar.

Star": Dyndje investimesh të huaja në Turqi për inat të terrorit

Turqia vazhdon të renditet në krye të vendeve më të preferuara nga investitorët e huaj. Pavarësisht sulmeve terroriste të muajve të fundit, shumë firma të huaja nuk kanë hequr dorë nga Turqia. Në 3 muajt e fundit, biznesmenët e huaj kanë vendosur të investojnë në Turqi me miliarda dollarë në sektorë kritikë si turizmi, ndërtimi, transporti dhe veçanërisht automobilistika. Mes kompanive, që kanë marrë vendim për të investuar në Turqi, ka edhe gjigantë botërorë.

HaberTürk": Firma franceze e barnave transferon në Turqi linjën e prodhimit

Kompania franceze e medikamenteve, “Servier", ka vendosur për të transferuar në Turqi një pjesë të linjës prodhuese të saj në Evropën Perëndimore. Firma në fjalë, e cila ka regjistruar një xhiro të konsoliduar prej 4 miliardë eurosh në vitin 2014, ka gjithsej 21 mijë e 400 punonjës në 146 vende të botës. “Servier" është kompania më e madhe e pavarur farmaceutike në Francë dhe e dyta franceze në botë.

Sabah": Bibliotekë për Stambollin dhe mevlevihane për Konjën

Ministri turk i Kulturës dhe Turizmit, Mahir Unal, njoftoi se në Stamboll do të ndërtohet një bibliotekë gjigante, ndërsa në Konja një mevlevihane (teqe mevlevite) e madhe. Unal sqaroi se biblioteka në Stamboll do të ndërtohet në Kazermën Rami, që është në restaurim e sipër. Kjo do të jetë biblioteka më kolosale e Turqisë dhe do të ketë një kapacitet prej 10 milionë librash. Ndërsa mevlevihaneja e madhe, që do të ndërtohet në Konja, do të jetë qendra e ceremonive të Sheb-i Arusit.

Yeni Şafak": Do të hapet dogana e 22-të aeroportuale

Aeroporti Ordu-Giresun, i cili u përurua në maj të vitit të kaluar, po përgatitet për fluturimet jashtë shtetit. Planifikohet që fluturimet e para ndërkombëtare nga ky aeroport të fillojnë andej nga gjysma e vitit drejt Këlnit në Gjermani dhe Grazit në Austri. “Kemi intensifikuar nismat për këtë, pasi Këlni dhe Grazi janë dy qytete evropiane, ku jetojnë më shumë mërgimtarë turq. Po ashtu, duhet të përshpejtojmë edhe procedurat për hapjen e pikës doganore në Aeroportin Ordu-Giresun. Aktualisht, në 55 aeroporte civile të Turqisë ka gjithsej 21 dogana dhe kjo do të jetë dogana e 22-të aeroportuale e vendit", sqaroi kryetari i Bashkisë Ordu, Enver Yilmaz.


Lajme të ngjashme