Analiza e javës: Kriza politike në Tunizi

Tunizia, demokracia e vetme që ka mbetur nga revolucionet e Pranverës Arabe, ka hyrë në një krizë të thellë.

1682983
Analiza e javës: Kriza politike në Tunizi

Analiza e javës: Kriza politike në Tunizi

Presidenti Kais Saied njoftoi të dielën mbrëma (25 korrik 2021) ngrirjen e të gjitha kompetencave të Parlamentit për një muaj, pezullimin e imunitetin të deputetëve, shkarkimin e Kryeministrit Hichem Mechichi dhe se do të merrte drejtimin e pushtetit ekzekutivin me një kryeministër të emëruar prej tij.

Kriza më serioze në vend që nga Revolucioni Jasemin i vitit 2011, në të vërtetë ishte diçka e paralajmëruar. Qytetet tuniziane ishin skenë protestash që nga janari i këtij viti për shkak të pandemisë së koronavirusit, përkeqësimit të shërbimeve publike, papunësisë dhe akuzave për korrupsion. Gjithashtu që nga janari ka pasur një mosmarrëveshje intensive ndërmjet Presidentit Saied dhe Kryeministrit Mechichi. Saiedi nuk miratonte emërimin e 11 ministrave, përfshi këtu edhe ministrin e Punëve të Brendshme.

Saiedi, i zgjedhur president i Tunizisë në raundin e dytë të zgjedhjeve të vitit 2019, është një profesor i drejtësisë. Si një i huaj në politikë, ai njihet për bindjet e tij opozitare ndaj forcave politike. Kritik i ashpër i demokracisë përfaqësuese dhe mbështetës i fuqishëm i demokracisë së drejtpërdrejtë, Kais Saiedi shfaq tipare populiste dhe gëzon simpatinë e masave që ankohen se sistemi parlamentar nuk prodhon zgjidhje për problemet e vendit që prej revolucionit të vitit 2011.

Zyrat e Lëvizjes Ennahda, forca politike më e madhe në Parlament, kanë qenë vazhdimisht të sulmuara kohët e fundit. Dhe tani Presidenti Saied mori të gjithë pushtetin ekzekutiv e gjyqësor duke ngrirë gjithashtu legjislativin. Megjithatë duket shumë e vështirë që Saiedi, i cili e bëri këtë grusht shteti me mbështetjen e ushtrisë, të gjejë një zgjidhje për problemet politiko-ekonomike të Tunizisë. Ndoshta i frymëzuar nga grushtshteti egjiptian i Sisit në vitin 2013, Saiedi mendon se në Tunizi do të vijnë para nga vendet e Gjirit. Dihet që Emiratet e Bashkuara Arabe kanë qenë aktive në Tunizi prej një farë kohe. Në këtë aspekt, zhvillimet në Tunizi mund të jenë ballafaqim me një lëvizje statuskuoiste të re të Gjirit.

Kryetari i Parlamentit dhe njëherësh udhëheqësi i Lëvizjes Ennahda, Rached Ghannouchi, i përshkroi vendimet e Saiedit si një “përpjekje për grusht shteti kundër revolucionit dhe rendit kushtetues”, ndërsa i bëri thirrje popullit tunizian që të kundërshtojë paqësisht grushtin e shtetit. Demokracia 10-vjeçare e ngadaltë dhe çalamane e Tunizisë hyri tashmë në një epokë sprove mjaft serioze. Grushtshteti i bërë nga Presidenti Saied kundër legjitimitetit politik jo vetëm që tërheq vëmendjen mbi krizën politike të Tunizisë, vend i konsideruar si demokracia e vetme në botën arabe, por njëherësh kërcënon të zhdukë edhe atë që rezulton si shembulli më i suksesshëm i përvojës së adaptimit të islamistëve me demokracinë në botën arabe. Gjenerali puçist i Libisë, Khalifa Haftar, preferoi ta lidhte grushtin e shtetit të 25 korrikut në Tunizi me çështjen e Vëllazërisë Myslimane.

Gjatë dekadës së fundit, Ennahda dhe Ghannouchi ndiqnin një politikë të ekuilibruar. Ata bënë jo pak lëshime për qarqet laike, herë duke mos nxjerrë një kandidat presidencial dhe herë duke formuar një koalicion me partitë e majta dhe liberale. Madje në vitin 2016, kjo forcë politike dhe lideri i saj e përshkruan veten si “demokratë myslimanë” duke u shprehur po ashtu se “Islami politik nuk ka më vend në Tunizi”.

Në kongresin e saj të 10-të, Ennahda shpalli vendimin për ndarjen e “kauzës” dhe “politikës” – domethënë largoi organizimin fetar nga radhët e partisë. Kjo krizë e fundit është sprova e ashpër e demokracisë tuniziane, po aq sa edhe e Lëvizjes Ennahda e liderit të saj, Rached Ghannouchi. Ankaraja, nga ana e saj, e kundërshtoi “grushtin e shtetit kundër rendit kushtetues” në Tunizi dhe kërkoi rivendosjen e demokracisë sa më parë që të jetë e mundur. Ndërsa kryeqytetet perëndimore heshtin. Ato preferuan sërish që të mbrojnë interesat e tyre konkrete dhe jo vlerat (demokracinë).

Javët e ardhshme janë jashtëzakonisht kritike për të ardhmen e Tunizisë dhe rajonit të Afrikës së Veriut. Tërheqja nga demokracia në Tunizi mund të ketë një ndikim negativ të mëtejshëm në rajon. Zgjidhja e vetme është krijimi i një klime politike që do të siguronte stabilitet, duke mbrojtur demokracinë.

 

Autor:  Prof. dr. Murat Yesiltas - Drejtor i Kërkimeve të Sigurisë në Fondacionin për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA), Ankara

Shqipëroi:  Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme