Analiza e javës – Përshkallëzohen luftimet mes KDP-së dhe PKK-së në Irak

Analizë nga Can Acun, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA) në Ankara në lidhje me konfliktet midis PKK-së dhe forcave peshmerge në veri të Irakut.

1547458
Analiza e javës – Përshkallëzohen luftimet mes KDP-së dhe PKK-së në Irak

Analiza e javës – Përshkallëzohen luftimet mes KDP-së dhe PKK-së në Irak

PKK, një organizatë separatiste terroriste e bllokuar në veri të Irakut me operacionet e koduara “Kthetra-Kurth” të Turqisë, ka filluar së fundmi të përballet me forcat e Administratës Rajonale Kurde (KRG), veçanërisht me KDP-në. Ndërsa forcat e peshmergeve dhe forcat speciale përkatëse, të cilat rrethuan kampet terroriste të PKK-së në rajon, po bëjnë presion mbi PKK-në, marrëveshja midis Erbilit dhe Bagdadit për të larguar PKK-në nga rajoni i Sinxharit ka shkaktuar një tronditje të madhe tek organizata. Forcat HPG të lidhura me PKK-në filluan sulmet e drejtpërdrejta ndaj peshmergeve në Irak, ndërsa YPG, fraksioni sirian i PKK-së, shënjestroi peshmerget në vijën kufitare. Kishte gjithashtu sulme ndaj zyrave të ENKS-së, e cila është e afërt me KDP-në në Siri, ndërsa disave prej tyre iu vu zjarri.  

Për një kohë shumë të gjatë, elementet politike të lidhura me Administratën Rajonale Kurde (KRG) kanë toleruar PKK-në në rajonin e tyre. Organizata terroriste, e cila u instrumentalizua në luftën kundër organizatës terroriste DAESH, ishte gjithashtu e shquar për efektivitetin e saj në verilindje të Sirisë. PKK-ja, e cila ka përdorur gjithmonë kartën kurde, gjithashtu po ndërtonte pothuajse një imunitet në kontekstin e ngritjes së nacionalizmit kurd. Pavarësisht të gjitha presioneve të Turqisë, KRG-ja nuk ndërhyri ndaj PKK-së, por i hapi një zonë të caktuar për tu vendosur. Sidoqoftë, zhvillimet e jetuara muajt e fundit filluan të parandalojnë tolerancën e mëtejshme të PKK-së nga KRG-ja, veçanërisht nga KDP-ja. Para së gjithash, operacionet ndërkufitare të Turqisë të koduara “Kthetra-Kurth” kanë shënjestruar PKK-në gjithnjë e më shumë në Irak dhe i kanë dhënë goditje të rënda organizatës përgjatë vijave kufitare të Turqisë, gjë që ka ndryshuar edhe mënyrën e lëvizjes së PKK-së. Pas kësaj PKK-ja filloi të tërhiqet më në jug drejt zonave ku KDP-ja është më me ndikim. Përveç kësaj, PKK-ja për shkak të operacioneve efektive të Forcave të Armatosura Turke filloi të akuzonte KDP-në për ndihmë ndaj Turqisë dhe e kërcënoi atë duke përdorur gjuhë shumë të rëndë. Duke parë marrëveshjen e arritur midis Erbilit dhe Bagdadit në Sinxhar si një kërcënim kryesor strategjik PKK-ja ndërmori hapa kundërveprimi. Ndërkohë që rriti kërcënimet në një nivel retorik, PKK-ja herë pas here kryente edhe sulme direkt ndaj forcave peshmerge dhe mendonte që kështu KDP-ja do të hedh hap prapa.

Shënjestrimi i tubacioneve të naftës nga PKK-ja në një kohë kur Administrata Rajonale Kurde është në vështirësi ekonomike ishte një veprim i madh që tejkaloi çdo kufi. Presidenti Neçirvan Barzani dhe Kryeministri Mesrur Barzani filluan të mbajnë një qëndrim më të fortë në luftën kundër PKK-së dhe të veprojnë më shumë me Turqinë. Kampet terroriste të organizatës në veri të Irakut filluan të rrethohen nga peshmergët. Dhe herë pas here elementët terroristë u vunë në shënjestër të sulmeve, ndërsa shpesh ka pasur edhe konflikte mes forcave peshmerge dhe PKK-së. Udhëheqja e KCK/PKK-së duke bërë thirrje për opinionin publik kurd, në shënjestër mori KDP-në, ndërsa retorika u bë gjithnjë e më e ashpër. Në fund, PKK-ja mobilizoi gjithashtu edhe elementët e saj në Siri. Së pari në Haseke u vunë në shënjestër zyrat e ENKS-së që është e afërt me KDP-në, të cilat u qëlluan me armë ose iu vu zjarri. YPG më pas sulmoi peshmerget drejtpërdrejt në vijën kufitare në Fishabur.

Tani është vetëm çështje kohe para se të shfaqet dhe përhapet një konflikt në shkallë të gjerë midis palëve. Në deklaratat e tij të fundit, Kryeministri i Administratës Rajonale Kurde (KRG) Mesrur Barzani u bëri thirrje edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), duke synuar jo vetëm PKK/KCK-në, por edhe fraksionin sirian të kësaj organizate. Kjo zbuloi se duhet të prishet ndikimi i Kandilit në Siri. KRG-ja më në fund ka kuptuar realitetin e kërcënimit të PKK-së. Për PKK-në që humbi terren dhe fuqi me operacionet e Forcave të Armatosura të Turqisë të kryera matanë kufirit e që u konfrontua me KDP-në dhe është duke e humbur Sinxharin, mund të thuhet se po i duket fundi i rrugës në Irak.

Autor: Can ACUN



Lajme të ngjashme