Analiza e javës – Politika ruse e Turqisë

Analizë e Can ACUN ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA) në Ankara në lidhje me politikën ruse të Turqisë.

1509884
Analiza e javës – Politika ruse e Turqisë

Analiza e javës – Politika ruse e Turqisë

Rusia me vendndodhjen gjeografike dhe fuqinë e saj ekonomike dhe ushtarake gjithmonë ka qenë një vend i rëndësishëm për Turqinë. Nëse shikojmë në historinë e afërt shohim se në kontekstin e politikës së Rusisë për rajonin në ekuacionin e Luftës së Ftohtë ekziston një qasje konkurruese për shkak të pjesëmarrjes së Turqisë në bllokun Perëndimor. Sidoqoftë, vërehet se politika përkatëse ka ndryshuar, veçanërisht pas qeverisë së AK Partisë dhe përpjekjes për grusht shteti të 15 korrikut. Turqia për shkak të marrëdhënieve të saj me Rusinë tanimë është pozicionuar si një baraspeshë mes bllokut Perëndimor dhe Kinës në rritje.

Tentativa e dështuar për grusht shteti e 15 korrikut solli revizione rrënjësore në qasjet e politikës së jashtme të Ankarasë. Në fakt, kur shikojmë në vitet e fundit, qasja ndaj Izraelit, ngjarjeve të Parkut Gezi, politikës së Turqisë në lidhje me Sirinë, mbështetjen e jashtme të dhënë për FETO-n kanë ndikuar negativisht në marrëdhëniet me botën Perëndimore. Një Turqi ambicioze, e cila shënoi rritje eko/politike dhe ushtarake, që është më e pavarur dhe e përqendruar në interesat e saj, nuk mund të tretet nga bota perëndimore. Në këtë kontekst, mbështetja e tentativës së dështuar të FETO-s për grusht shtet qoftë në mënyrë të drejtpërdrejt ose indirekte në një periudhë kur marrëdhëniet po tensionoheshin, bëri që Turqia të hyjë në kërkim të ekuilibrit në politikën e jashtme. Më pas së bashku me Kinën edhe Rusia zuri një pozicion të fortë në rrjetin e marrëdhënieve të Turqisë. Nga ana tjetër partneriteti në vazhdim në kontekstin e procesit të Astanës për Sirinë, negociatat e kryera në Libi dhe zona të tjera të konfliktit, marrëdhëniet e vazhdueshme në industrinë e mbrojtjes dhe energjisë bërthamore kanë qenë tema të rëndësishme të marrëdhënieve me Rusinë. Marrëdhënia e sapoformuar midis dy vendeve do të thotë gjithashtu në thelb një përgjigje e përbashkët ndaj mënyrës së veprimit të SHBA-së që formohet nga instrumentalizimi i politikës së sanksioneve të njëanshme.

Sigurisht, nuk është e mundur të flitet për një aleancë të plotë ose partneritet strategjik midis dy vendeve. Ato kanë interesa të kundërta në Siri dhe Libi. Pikëpamja e Rusisë mbi "çështjen kurde" ngre shqetësime serioze në Ankara. Sidoqoftë, përkundër të gjitha këtyre sfidave, kërcënimi nga bota Perëndimore i detyron të dy vendet të veprojnë së bashku. Nga aspekti i Turqisë, rrjeti i marrëdhënieve të reja me Kinën dhe Rusinë nuk mund të lexohet si një zhvendosje plotësisht alternative në perëndim, por më shumë si vendosje e ekuilibrit Turqi-Lindje-Perëndim nga aspekti konjuktural, ndërsa duhet parë edhe si një kërkim i një ekuilibri të ri që do t’i maksimizojë interesat e saj.

Autor: Can ACUN



Lajme të ngjashme