Analiza e javës – 15 Korriku pas 4 vitesh

Analizë e profesorit të asociuar Murat YEŞİLTAŞ, Drejtor i Studimeve të Sigurisë pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA) në Ankara.

1456487
Analiza e javës – 15 Korriku pas 4 vitesh

Analiza e javës – 15 Korriku pas 4 vitesh

Kanë kaluar katër vjet nga përpjekja për grusht shtet ushtarak që u ndërmor më 15 korrik 2016 nga organizata terroriste gyleniste FETO për të rrëzuar qeverinë e zgjedhur në Turqi. 

 

Prapa dështimit të grushtit të shtetit qëndrojnë shumë arsye. Më e rëndësishmja nga këto ishte që populli doli në rrugë për ta parandaluar atë dhe t'i rezistojë puçistëve. Si rezultat populli arriti sukses, ndërsa puçistët dështuan. Qëndrimi i institucionit politik kundër grushteve të shtetit ishte një tjetër arsye e rëndësishme që qëndron prapa dështimit. Në të vërtetë, më 27 prill 2007, qeveria civile reagoi ashpër në përgjigje ndaj deklaratës së Forcave të Armatosura të Turqisë kundër qeverisë duke thënë që ky ishte një veprim që tejkalon mandatin e ushtrisë. Ky qëndrim bëri që politika civile të forcohej dhe hapi një periudhë historike për demokratizimin e marrëdhënieve civilo-ushtarake.

Pas 15 korrikut, shumë zhvillime të rëndësishme ndodhën në politikën e brendshme dhe të jashtme turke. Procesi i spastrimit nga FETO, i cili filloi menjëherë pas përpjekjes për grusht shteti në politikën e brendshme, u menaxhua me sukses. Personat që kishin lidhje me FETO-n në fusha kritike si siguria, drejtësia, shëndetësia dhe arsimi u larguan nga pozicionet e tyre; shumica prej tyre u gjykuan dhe u shpallën fajtor. Më të rëndësishmit në mesin e tyre ishin ata të larguar nga Forcat e Armatosura të Turqisë. Personeli ushtarak, që ishin në detyra kritike, u hoqën nga postet e tyre dhe u përjashtuan nga ushtria. Në mënyrë të ngjashme u dëbuan edhe mijëra oficerë policie që ishin në krye të forcës policore dhe kishin marrëdhënie me FETO-n.

Reformat në sektorin e sigurisë pas 15 korrikut ishin gjithashtu të rëndësisë jetike. Në këtë kontekst, Komandat e Xhandarmërisë dhe Rojës Bregdetare iu bashkëngjitën Ministrisë së Brendshme, ndërsa Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, duke e ndryshuar rolin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm mbi komandantët e forcave, doli më shumë në pah. Rezultati i parë i spastrimit të burokracisë së sigurisë nga FETO dhe i reformës së sektorit të sigurisë ishte në luftën kundër terrorizmit. Ndërkohë që një strategji më efektive u vu në jetë kundër PKK-së, Operacioni “Mburoja e Eufrat” u nis kundër DAESH-it në Siri, ndërsa u minimizua edhe zona e ndikimit të të dy organizatave terroriste. 

Me anë të një referendumi të mbajtur më 16 prill 2017 në Turqi ndryshoi sistemi i qeverisjes dhe u kalua në sistem presidencial. Me këtë ndryshim mori fund edhe sistemi parlamentar, ndërsa me zgjedhjet e para të bëra më pas Turqia filloi të zbatojë plotësisht sistemin e ri. Ndërkaq në politikën e jashtme 15 korriku shkaktoi pothuajse një thyerje. Qeveria, e cila para 15 korrikut akoma nuk ishte vënë në veprim për të përdorur ushtrinë e saj të fortë për të minimizuar problemet e sigurisë të shkaktuara nga kriza siriane, ajo një muaj pas përpjekjes për grusht shtet organizoi një operacion ushtarak kundër organizatës terroriste DAESH në Siri. Rezultat i kësaj ishte edhe sinjali që Turqia hyri në një periudhë të re në politikën siriane. Me anë të Operacionit “Mburoja e Eufratit”, Turqia spastroi vijën e saj kufitare nga organizata terroriste DAESH, ndërsa pamundësoi praninë e organizatës terroriste PKK në perëndim të lumit Eufrat. Kështu menjëherë pas operacionit “Mburoja e Eufratit” në shënjestër ishte PKK-ja. Me anë të operacionit në Afrin që filloi më 20 janar 2018, organizata terroriste u largua nga ky vend. Në këtë mënyrë Turqia filloi të luaj një rol më aktiv në Siri. Ndërkaq me anë të Operacionit “Burimi i Paqes”, që u krye në tetor të vitit 2019, Turqia në shënjestër mori PKK-në në lindje të Eufratit dhe kështu arriti të parandalojë që ajo të jetë aktive në Siri dhe të krijojë një shtet në veri të këtij vendi. Turqia gjithashtu ndërmori një iniciativë për zgjidhjen e krizës në Idlib dhe në mars 2020 i dha një goditje të rëndë regjimit sirian. Të gjitha këto operacione ushtarake pas 15 korrikut mundësuan që Turqia të bëhet më aktive në tryezën e diplomacisë.

Një fushë tjetër, ku ky aktivitet ishte më i rëndësishëm, është fusha e Libisë. Turqia, e cila zgjodhi metodat diplomatike për zgjidhjen e krizës libiane që vazhdon prej vitit 2011 e këtej, më 4 korrik të vitit 2019 mbështeti Qeverinë e Pajtimit Kombëtar në Libi, të njohur edhe nga OKB-ja, kundër puçistit Haftar, i cili përpiqet për ta rrëzuar qeverinë legjitime. Në këtë kuadër Turqia nënshkroi një marrëveshje me qeverinë legjitime të Libisë dhe parandaloi që forcat e Haftarit të vënë në dorë kryeqytetin Tripoli. Më pas ajo bëri që Haftari të tërhiqet dhe prishi plotësisht lojën për të cilën bëheshin përpjekjet për t’u zbatuar në rajon mbi Libinë. Si rezultat, 15 korriku ishte një moment i thyerjes nga shumë aspekte për Turqinë. Krahas rritjes së rezistencës në politikën e brendshme, ajo filloi të luaj një rol më aktiv dhe të pavarur në politikën e jashtme. Natyrisht që rezistenca dhe aktiviteti bënë që konkurrentët e Turqisë të mblidhen më shumë. Ajo në veçanti u përball me presionin gjeopolitik veçanërisht në Lindjen e Mesme. Nga ana tjetër me Perëndimin, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas 15 korrikut Turqia jetoi kriza të vështira për t’u riparuar.

Katër vjet pas 15 korrikut Turqia përballet me shumë sfida, por performaca e treguar gjatë këtyre viteve i japin energjinë e nevojshme për t’i kapërcyer këto sfida. Kjo energji është e sigurt dhe duhet parë si një shans për një politikë të jashtme efektive dhe një Turqi më demokratike.

Autor: prof. asoc. Murat YESILTAS



Lajme të ngjashme