Analiza e javës – Operacioni “Kthetra-Shqiponja”

Analizë e Can Acun, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA) në Ankara,rreth Operacionit “Kthetra-Shqiponja” kundër objektivave terroriste në veri të Irakut.

1444048
Analiza e javës – Operacioni “Kthetra-Shqiponja”

Analiza e javës – Operacioni “Kthetra-Shqiponja”

Turqia në njërën anë po kryen operacione ushtarake në territoret e Sirisë e Libisë dhe në anën tjetër po vazhdon të luftojë organizatën terroriste PKK. Në këtë kontekst, Turqia filloi operacionin tokësor dhe ajror të koduar “Kthetra-Shqiponja” në veri të Irakut, në zonat malore paralele me kufirin e saj, ndërkohë që komandot turke kanë marrë që tani kontrollin e shumë lartësive dominuese duke zbarkuar nga ajri. Me një kuptim të ri të doktrinës së sigurisë në vitet e fundit, për t'i eliminuar kërcënimet që përtej kufirit, Turqia po e godet organizatën terroriste në pozicionet e saj në Irak dhe Siri.

Ndërkohë që lufton prej gati 4 dekadash kundër organizatës separatiste terroriste PKK, e cila ka një ideologji marksist-leniniste; Turqia përvetësoi një doktrinë të re të sigurisë duke ndryshuar strategjinë e saj ushtarake gjatë viteve fundit.Përmes kësaj strategjie të re kundër organizatës terroriste, Turqia po vë në shënjestër zonat ku organizata dislokohet përtej kufirit, për t'i eliminuar kërcënimet pa mbërritur në Turqi. Një rol përcaktues në këtë pikë ka luajtur edhe shtrirja e organizatës terroriste në një hapësirë të gjerë në territoret e Irakut dhe Sirisë duke përfituar nga kaosi në rajon. Kështu, Turqia po bën përpjekje për të parandaluar edhe vendosjen e kontrollit të PKK-së mbi territore të ndryshme në rajon, edhe përgatitjen e terrenit për t'u aftësuar që të kryejë sulme terroriste brenda Turqisë duke shfrytëzuar mundësitë logjistike përtej kufirit. Teksa viteve të fundit ka ndërmarrë operacione ushtarake të shkallës së gjerë sidomos në Siri, të tilla si “Mburoja e Eufratit”, “Dega e Ullirit” dhe “Burimi i Paqes”, Turqia vazhdon ta godasë organizatën terroriste PKK direkt edhe në Irak. Ky proces që nisi me Operacionin “Vendosmëria”, u pasua nga seria e operacioneve “Kthetra” dhe tani po vazhdon me Operacionin “Kthetra-Shqiponja”.

Duke goditur zonat malore, në të cilat kjo organizatë terroriste është dislokuar në veri të Irakut, Turqia ka për qëllim të shkatërrojë infrastrukturën logjistike të organizatës në këtë zonë. Po ashtu, duke marrë kontrollin e kodrave apo lartësive dominuese të zonës, synohet parandalimi i mobilizimit dhe lëvizjes së lirshme të organizatës terroriste në akset Irak-Turqi dhe Irak-Siri. Ndër objektivat e Turqisë është po ashtu rrethimi dhe neutralizimi i terroristëve të PKK-së në malin Kandil.

Natyrisht, krahas operacioneve ushtarake, Turqia po bën përpjekje të mëdha edhe për të shkatërruar strukturën komanduese të organizatës terroriste duke neutralizuar të ashtuquajturit drejtues të lartë të saj, të cilët identifikohen përmes inteligjencës efikase në terren. Këtu shohim që me efektivitet shumë të lartë po përdoren veçanërisht edhe mjetet ajrore pa pilot (dronët) që janë projektuar e prodhuar nga industria kombëtare e mbrojtjes së Turqisë. Falë këtyre dronëve, Turqia është tani në gjendje ta luftojë organizatën terroriste PKK me një efikasitet shumë më të lartë sesa në të kaluarën.

 

Autor: Can Acun - Ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA), Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme