Epidemia e koronavirusit dhe bashkëpunimi ndërkombëtar

Analizë e profesorit të asociuar Murat YEŞİLTAŞ, Drejtor i Studimeve të Sigurisë pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA) në Ankara.

1390414
Epidemia e koronavirusit dhe bashkëpunimi ndërkombëtar

Analiza e Javës - Epidemia e koronavirusit dhe bashkëpunimi ndërkombëtar

Përhapja e koronavirusit vazhdon të tronditë botën. Ekzistojnë parashikime optimiste dhe pesimiste se kur dhe në cilën fazë do të përfundojë kjo epidemi. Skenari i mirë është që epidemia mund të vihet nën kontroll në fund të majit, ndërsa skenari i keq është se kjo epidemi duhet të trajtohet në dimensione shumë të ndryshme. Prandaj, mund të nevojitet edhe një vit për të vënën nën kontroll epideminë, ndërsa një cikël i dytë mund të ndodhë brenda këtij viti. Nga ana tjetër, mundësia që skenari i keq mund të ketë rezultate shumëdimensionale është mjaft e fortë. Përveç dëmit që do të shkaktojë në shëndetin publik global, koronavirusi mund të bëjë që ekonomia globale të përballet me një recesion të rëndë.

ShBA-ja është kthyer në qendër të epidemisë dhe kjo mjafton për të kuptuar rëndësinë e situatës. Sipas deklaratave të Trumpit, ShBA-ja falë masave të marra ka parandaluar vdekjen e 2 milion njerëzve. Sidoqoftë, shifrat e tanishme të cituara nga Trumpi nuk janë aspak shpresëdhënëse. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mendojnë se nga epidemia mund të vdesin midis 100 dhe 200 mijë qytetarë amerikanë. Ndërkaq është e diskutueshme se sa transparente është Kina, e cila ka dalë nga pozicioni i epiqendrës në këtë proces, kur njofton se epidemia është në fazën e rimëkëmbjes dhe rikuperimit. Shumë njerëz dhe ekspertë pohojnë se Kina po fsheh shifrat. Edhe pse çdo vend po zhvillon luftën e vet kombëtare, zgjidhja prapëseprapë duhet të jetë ndërkombëtare. Tani të gjitha vendet e kanë kuptuar këtë. Si do të ndodhë kjo? Kjo duhet të jetë pyetja që duhet të merret në konsideratë.

Duke marrë parasysh rrjedhën e epidemisë në shkurt dhe mars mund të themi se bashkëpunimi ndërkombëtar nuk është aspak shpresëdhënës. Çdo vend zgjodhi të hedh hapa vet për të eliminuar problemin e tij. Edhe institucionet që duhet të jenë më kompetente dhe më efikase në epidemi, siç është Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), nuk vepruan shpejt për të marrë masat e nevojshme. Kjo situatë shkaktoi kritika ndaj OBSh-së. Kina, e cila doli në pah në bashkëpunim ndërkombëtar, ka ofruar ndihmë për shumë vende menjëherë pasi pretendoi se ka vënë nën kontroll epideminë. Kina ka ofruar ndihmë shëndetësore për shumë vende të Evropës, veçanërisht Italisë.

BE-ja ka qenë e dobët në marrjen e vendimeve dhe zbatimin e tyre si institucion. Në institucionet shtetërore të disa qyteteve të Italisë, Spanjës dhe Francës u hoqën flamujt e BE-së dhe u ngritën flamuj kombëtar. Vendet që dërguan ndihma në Evropë nuk kufizohen vetëm me Kinën. Në mesin e vendeve që dërguan ndihma ndodhet edhe Rusia. Kjo është një situatë e papritur nga aspekti i historisë së Evropës. Edhe Turqia është në mesin e vendeve që dërguan ndihma. Siç dihet Turqia ka qenë vendi i parë që dërgoi ndihma në Kinë në kohën kur epidemia ishte në kulmin e saj. Ankaraja zyrtare dërgoi ndihmë mjekësore në shumë vende evropiane dhe të Lindjes së Mesme, me në krye në ShBA.

Padyshim, pika ku bashkëpunimi ndërkombëtar është më i rëndësishëm është ajo e luftimit të epidemisë. Edhe pse ka disa lajme të mira në lidhje me gjetjen e vaksinave për të luftuar koronavirusin, ende nuk është arritur ndonjë zgjidhje e kënaqshme. Mjekësia është një nga fushat ku prodhohen më shumë njohuri të përbashkëta. Sidoqoftë, tani për tani vendet janë duke bërë përpjekje për ta gjetur të parët vaksinën në luftën kundër pandemisë. Ata janë në garë me njëri-tjetrin për testet më të besueshme dhe më të shpejta të koronavirusit. Nga ana tjetër, kjo fushë është gjithashtu jashtëzakonisht e rëndësishme për tregun global farmaceutik. Privatësia, procesi i gjatë dhe besueshmëria parandalojnë bashkëpunimin në këtë fushë.

Fusha për të cilën bashkëpunimi ndërkombëtar do të ketë më shumë nevojë pas koronavirusit është ekonomia. ShBA-ja dëshiron të minimizojë efektet ekonomike të epidemisë duke shpenzuar më shumë se 2 trilionë dollarë. Shuma e parave të ndara për të luftuar epideminë në një shkallë globale ka arritur në 5 trilionë dollarë. Sidoqoftë, mbetet e pasigurt sesi epidemia do të shkaktojë dëme në ekonominë globale. Si pasojë, do të duhet më shumë se një vit që sistemi ekonomik global të rikthehet në rrjedhën normale pasi të jenë identifikuar dëmet në ekonomitë kombëtare dhe globale. Më e nevojshme në këtë periudhë është bashkëpunimi ndërkombëtar. Prandaj, lufta tregtare Kinë-ShBA duhet të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të dy superfuqitë më shumë duhet të preferojnë bashkëpunimin sesa konfliktin në lidhje me funksionimin e rendit ekonomik. Nga ana tjetër, FMN, Banka Botërore dhe institucione të tjera ekonomike do të duhet të përcaktojnë një metodë të zakonshme të luftës kundër Covid-19.

Një fushë tjetër e bashkëpunimit ndërkombëtar që duhet të adresohet është fusha e konfliktit që tashmë po vazhdon. Duhen ndërmarrë hapa më të qëndrueshëm në periudhën pas koronavirusit për t'i dhënë fund konflikteve në rajonin e Lindjes së Mesme dhe të Afrikës së Veriut duke filluar nga Libia e deri në Jemen. Shkaku më i madh i krizës globale të refugjatëve janë konfliktet e brendshme. Kombinimi i një epidemie globale, siç është koronavirusi, me një normë shumë të lartë të përhapjes dhe një krizë si ajo e refugjatëve, mund ta vendos politikën botërore në një krizë të pakthyeshme. Efektet e epidemisë së koronavirusit do të vazhdojnë të diskutohen për një kohë të gjatë. Pas koronavirusit, do të duhet të rimendojmë botën në të cilën jetojmë. Ende ka një mundësi për të marrë mësime dhe për të korrigjuar gabimet njerëzore.

Autor: Murat YEŞİLTAŞ



Lajme të ngjashme