Operacioni “Mburoja e Pranverës”

Vlerësimi i profesorit të asociuar Murat YEŞİLTAŞ, Drejtor i Studimeve të Sigurisë pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA) në Ankara.

1372575
Operacioni “Mburoja e Pranverës”

Operacioni “Mburoja e Pranverës”

Zhvillimet e javëve të fundit në Idlib tregojnë se konflikti në Siri ka hyrë në një fazë të re. Rezistenca e fortë e Turqisë ndaj tentativës së elementëve ajrorë dhe tokësorë të regjimit të Esadit të mbështetur nga Rusia për të shtënë në dorë kontrollonin e autostradave strategjike M4 dhe M5, bëri që Idlibi të vendoset në fokus të agjendës botërore. Së fundmi martirizimi i 33 ushtarëve turq nga forcat e regjimit të Esadit më 27 shkurt e thelloi edhe më shumë krizën e Idlibit, gjë që solli edhe një kundërpërgjigje gjithëpërfshirëse të Turqisë ndaj regjimit. Operacioni i Turqisë bëri që të gjithë aktorët të rishikojnë edhe një herë pozicionet e tyre në krizën siriane.

Operacioni i koduar “Mburoja e Pranverës” zbuloi kapacitetin e vërtetë të Turqisë. Gjatë luftës siriane Turqia dhe Siria kurrë më parë nuk janë përballur në një dimension kaq të madh. Edhe pse hapësira ajrore e Sirisë është e mbyllur për avionët luftarakë turq, Turqia përdori dronë të armatosur dhe hyri në hapësirën ajrore siriane, ku asgjësoi të gjitha objektivat e lëvizshme të regjimit përreth Idlibit. Në ditën e dytë (sipas të dhënave zyrtare), regjimi sirian humbi më shumë se 2 mijë e 500  ushtarë dhe milicë që luftonin në radhët e tij. Përveç kësaj, në operacionet ajrore turke regjimi humbi afër 100 tanke, ndërsa dy avionë luftarakë SU-24 dhe një L-36 u rrëzuan nga ana e Turqisë. Humbjet e regjimit nuk janë të kufizuara vetëm me këto, gjatë operacioneve janë asgjësuar edhe sistemet e mbrojtjes ajrore, bateritë e artilerisë dhe shumë automjete të blinduara të regjimit. Prandaj Turqia në vend se të jepte një kundërpërgjigje proporcionale për sulmet ndaj ushtarëve të saj, ajo ndoqi një strategji ushtarake që i shkaktoi humbje të mëdha regjimit të Esadit. Me sulmet me dronë të armatosur Ankaraja zyrtare bëri që të kalohet në një fazë të re në historinë e luftës.

Qëllimi përfundimtar i strategjisë është mjaft i qartë; të detyrojë regjimin të tërhiqet në vijën origjinale të Marrëveshjes së Soçit. Sidoqoftë, lajmet nga terreni tregojnë se regjimi nuk do të tërhiqet nga pozicionet e tij pavarësisht humbjeve të mëdha. Si provë për këtë mund të paraqitet ndryshimi i vazhdueshëm i kontrollit të qytezës Serakib, e cila ka rëndësisë strategjike në kontrollin e autostradave M4 dhe M5. Edhe pse Moska nuk mori asnjë qëndrim kundër humbjeve të mëdha të regjimit në ditën e parë të operacionit, duket se ajo ka zbuluar një pozicion të qartë më pas. Moska, e cila futi policinë e saj ushtarake në Serakib, ka vendosur në plan të parë praninë e saj ushtarake përballë mundësisë së zgjerimit të operacioneve të Turqisë. Kjo në mënyrë të pashmangshme sjell me vete supozimin e qëndrimit më të kujdesshëm të Turqisë. Sepse të dyja vendet nuk janë për përballje të drejtpërdrejtë. Turqia insiston në kufijtë origjinalë të marrëveshjes së Soçit, ndërsa Moska ka një qëllim tjetër. Por, të dy aktorët janë kundër përshkallëzimit të konfliktit.

Putin dhe Erdoan u takuan në 5 mars dhe shtuan 3 artikuj të rinj në Marrëveshjen e Soçit, nënshkruar në vitin 2018. Në këtë mënyrë, ata parandaluan thellimin e mëtejshëm të krizës duke siguruar formimin e një linje të re armëpushimi në krizën e Idlibit. Me shpalljen e armëpushimit u ra dakord për caktimin e një korridori sigurie në thellësinë 6 kilometra në veri dhe jug të autostradës M4. Nga ana tjetër u ra dakord për fillimin e patrullimeve të përbashkëta turko-ruse në rrugën M4. Kështu Turqia bllokoi shfaqjen e një krize të re refugjatësh duke penguar përparimin e regjimit dhe Rusisë, dhe fitoi kohë për të mbrojtur pozicionet e opozitës siriane. Edhe pse në samitin e Moskës nuk u arrit një zgjidhje e qëndrueshme për krizën e Idlibit, u parandalua thellimi i krizës përmes një formule të përkohshme. Nuk ka asnjë garanci që Rusia dhe regjimi nuk do të ndërmarrin një sulm të ri tani e tutje, sidoqoftë Turqia mund të parandalojë ringjalljen e krizës në Idlib në ditët në vijim duke konsoliduar dominimin e saj mbi zonën aktuale. Rezultati më i rëndësishëm i samitit të Moskës ishte se dimensionet e tjera të marrëdhënieve turko-ruse u konsideruan si më të rëndësishme dhe nuk u lejua që ato të rrezikohen për shkak të Idlibit. Sidoqoftë, në fund të ditës, marrëdhëniet bilaterale u dëmtuan nga kriza e Idlibit.

Autor: Murat YEŞİLTAŞ



Lajme të ngjashme