Libia pas Samitit të Berlinit

Vlerësimi i profesorit të asociuar Murat Yesiltas, Drejtor i Studimeve të Sigurisë pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA) në Ankara.

Libia pas Samitit të Berlinit

Libia pas Samitit të Berlinit

Samiti i Libisë, i cili u mbajt javën e kaluar në Berlin, kryeqytetin e Gjermanisë, për momentin ka ndaluar konfliktin në vazhdim në Libi, por nuk dha rezultate që mundësojnë zgjidhjen e plotë të krizës libiane. Për zgjidhjen e krizës në këtë vend, para së gjithash duhet të bien dakord aktorët përkatës të bashkësisë ndërkombëtare, ata rajonalë dhe aktorët lokalë në Libi. Samiti i Berlinit dha një bazë diplomatike për marrëveshjen e aktorëve, por nuk siguroi një konsensus të plotë. Që prej prillit 2019 e ashtuquajtura Ushtria Kombëtare Libiane e udhëhequr nga Halife Haftar, ka kryer operacione ushtarake për të rrëzuar Qeverinë e Pajtimit Kombëtar (GNA), i vetmi përfaqësues i Libisë, i konsideruar i ligjshëm nga OKB-ja. Haftari mbështetet nga shtetet si Egjipti, Arabia Saudite dhe Franca, e veçanërisht nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Ndërkaq është një ironi e madhe që Franca mbështet puçistin Haftar. Sepse Franca, një nga anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pothuajse mbështet krimet e luftës të kryera nga Haftar në Libi dhe mbyllë sytë ndaj operacioneve të paligjshëm kundër qeverisë legjitime të njohur nga OKB-ja.

Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Egjipti janë mbështetësit më të mëdhenj të Haftarit në Libi. Falë bazës ajrore që operohet prej Emirateve të Bashkuara Arabe në Libi dhe mbështetjes së dhënë, forcat e Haftarit arritën të vënë nën kontroll një pjesë të konsiderueshme të vendit. Egjipti gjithashtu i dha mbështetje ushtarake Haftarit në këtë proces dhe madje dislokoi trupat e vet në terren. Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Arabia Saudite favorizojnë një udhëheqje autoritare dhe ushtarake në Libi. Pas Pranverës Arabe, kjo u bë politika kryesore e këtyre vendeve.

 

Nëse shikojmë në deklaratën e përbashkët që përbëhet prej 55-pikave e që u njoftua pas Samitit të Berlinit, kuptohet se bilanci aktual ushtarak në fushë mund të prodhojë më shumë rezultate në favor të Haftarit dhe mbështetësve të tij. Sepse kjo komunikatë injoron ndërhyrjet e paligjshme ushtarake të Haftarit dhe e bën atë një aktor të ligjshëm. Në këtë pikë kuptohet se shumë aktorë të huaj, veçanërisht Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilët investojnë në Haftarin, duan ta bëjnë që ndikimi politik dhe ushtarak i Haftarit mbi Tripolinë të jetë i përhershëm. Kështu, Haftar dëshiron të ketë një zë në të ardhmen e vendit duke pasur nën kontroll Ministrinë e Naftës dhe Bankën Qendrore të Libisë. Më e rëndësishmja është që edhe pse nga Samiti i Berlinit doli mesazhi për vazhdimin e embargos për armë të rënda në Libi dhe tërheqjen e elementëve të huaj nga ky vend, mund të thuhet se Emiratet e Bashkuara Arabe nuk e respektuan këtë. Kjo e ndërlikon edhe më tej situatën në terren dhe zgjidhjen politike në këtë vend.

Ndërkaq Turqia, e cila gjatë krizës ishte pranë Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, gjatë Samitit të Berlinit zgjodhi të mbajë një qëndrim për zgjidhje politike. Edhe pse Turqia nuk ishte plotësisht e kënaqur me secilin nga pikat e komunikatës përfundimtare të samitit, ajo duke qëndruar pranë Qeverisë së Pajtimit Kombëtar tregoi se ata nuk janë vetëm. Sikur Turqia të mosndërhynte marrja nën kontroll të kryeqytetit Tripoli nga forcat e Haftarit ishte vetëm çështje kohe. Marrëveshja e nënshkruar midis Libisë dhe Turqisë më 27 nëntor 2019 e mundësoi këtë në masë të madhe. Tani Turqia është një nga palët e rëndësishme në Libi edhe nga aspekti ushtarak edhe nga ai diplomatik. Ajo është e vetëdijshme që çështja nuk mund të zgjidhet në mënyrë ushtarake, ndërsa në Berlin bëri një thirrje më të fuqishme për zgjidhje diplomatike të krizës së Libisë.

 

Samiti i Berlinit nuk solli një zgjidhje të përhershme për problemin e Libisë, por tregoi se çfarë harte rrugore do të ndiqet tani e tutje. Nëse Haftar dhe mbështetësit e tij insistojnë në një zgjidhje ushtarake, kjo mund të bëjë që kriza libiane të thellohet edhe më shumë. Ky botëkuptim mund të shkaktojë një krizë më të thellë rajonale, siç është kriza siriane, dhe do të bëhet shkaktar i thellimit dhe destabilizimit të rajonit. Prandaj, është e nevojshme që Samiti i Berlinit të shihet si një mundësi për zgjidhje të krizës.

 

Autor: Prof. asc. Murat Yesiltas, Drejtor i Studimeve të Sigurisë pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA) në Ankara.



Lajme të ngjashme