"Washington Post" për vendimin e Arabisë Saudite për Dosjen Khashoggi: Tallje me drejtësinë

"Vendimi i Gjykatës saudite është një turp ndaj familjes Khashoggi dhe ndaj të gjithë atyre që kërkojnë një llogaridhënie të vërtetë në këtë çështje, përfshirë edhe shumicën dypartiake në Kongresin Amerikan", thuhet në artikullin e "Washington Post".

"Washington Post" për vendimin e Arabisë Saudite për Dosjen Khashoggi: Tallje me drejtësinë

Bordi editorial i gazetës "Washington Post" lidhur me vendimin e gjyqësorit të Arabisë Saudite për çështjen e gazetarit Jamal Khashoggi ka reaguar nëpërmjet një artikulli me titull "Vendimi i Arabisë Saudite për Khashoggin tallje me drejtësinë".

"Arabia Saudite, lidhur me vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi ka marrë një vendim, i cili tallet në mënyrë të paturpshme me drejtësinë", thuhet në artikullin në fjalë, në të cilin pavarësisht se 5 persona u dënuan me vdekje dhe 3 të tjerë me burgim është shprehur reagimi për "pastrimin" dhe mosdrejtimin e asnjë akuze ndaj këshilltarit mbretëror, Suud al-Qahtani dhe ish-zëvendës shefit të inteligjencës saudite, Ahmed al-Asiri, të cilët janë emra të afërt me princin saudit, Muhammed bin Selman.

 

"Vendimi i gjykatës është një turp kundër familjes Khashoggi"

Në artikull thuhet se "Aktgjykimi i gjykatës është një turp ndaj familjes Khashoggi dhe ndaj të gjithë atyre që kërkojnë një llogaridhënie të vërtetë në këtë çështje, përfshirë edhe shumicën dypartiake në Kongresin Amerikan".

"Pranimi i vendimit në fjalë nga komuniteti ndërkombëtar, përveçse është një gabim moral është edhe i rrezikshëm", thuhet në artikullin ku paralajmërohet se "Kjo situatë do t‘i dërgojë drejtuesit të pakujdesshëm saudit (Muhammed bin Selman) mesazhin se aventurizmi i vrasjes tolerohet".

Ndër të tjera në artikull është kritikuar edhe vendimi i prokurorit saudit se vrasja e Khashoggit nuk ishte planifikuar më parë ndërsa lidhur me këtë rikujtohet se në raportin e Raportueses së Posaçme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Agnes Callamard, është konstatuar se vrasja e Khashoggit ka qenë një "ekzekutim i qëllimshëm dhe me paramendim".

 

Kritika ndaj qëndrimit të Trumpit

Në artikull vëmendja është tërhequr edhe në qëndrimin e Administratës së Donald Trumpit lidhur me këtë vrasje, ku është shprehur opinioni se "Po të mos ishte mbështetja e presidentit Trump, nuk do të ishte e mundur që Muhammed bin Selman të pengonte vendosjen e drejtësisë në mënyrë kaq të qetë".

Artikulli i bën thirrje Kongresit Amerikan që të kërkojë nga drejtori i CIA-s sa më shpejtë të jetë e mundur një raport të detajuar mbi vrasjen e Khashoggit. 

Vendimi i gjykatës së Arabisë Saudite për Khashoggin

Kryeprokuroria e Arabisë Saudite njoftoi se ka dënuar me vdekje 5 të akuzuar si dhe 3 të tjerë me gjithsej 24 vite burg në rastin e vrasjes së gazetarit saudit Khashoggi në tetor 2018 brenda në ndërtesën e Konsullatës saudite në Stamboll.

Ndërkohë që nuk është drejtuar asnjë akuzë ndaj Suud al-Qahtani, i cili njihet si personi që ka drejtuar vrasjen e Khashoggit. Po ashtu Prokuroria saudite nuk ka ngritur akuza as ndaj ish-konsullit saudit në Stamboll, Mohammed al-Otaibi, i cili ka gisht në vrasjen e Khashoggit. Ndër të tjera Prokuroria njoftoi edhe lirimin e ish-zëvendës shefit të inteligjencës saudite, Ahmed al-Asiri i cili është i përfshirë në vrasjen e gazetarit Khashoggi. (Agjencia Anadolli - AA)



Lajme të ngjashme