Sociologjia e ndryshimit dhe Turqia

Psikologu amerikan, Abraham Maslov (Abraham Harold Maslow) me anë të teorisë “Hierarkia e nevojave” analizon sjelljet e njeriut.

Sociologjia e ndryshimit dhe Turqia

Sociologjia e ndryshimit dhe Turqia

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Jemi në epokën e ndryshimit. Proceset e globalizimit, duam apo nuk duam ne, po e ndryshojnë jetën tonë në shumë fusha në mënyrë shumë-dimensionale. Së bashku me proceset e globalizimit, në shumë shoqëri me zhvillim të shpejtë ekonomik, përjetohen edhe shumë trazira (përmbysje). Në këtë program dëshiroj të vlerësoj gjendjen sociologjike dhe sociologjinë në ndryshim të Turqisë. 

Maslovi dhe hierarkia e nevojave  

Psikologu amerikan, Abraham Maslov (Abraham Harold Maslow) me anë të teorisë “Hierarkia e nevojave” analizon sjelljet e njeriut. Sipas tij njerëzit fillimisht veprojnë me motivin për të siguruar nevojat themelore, dhe pasi ti kenë siguruar këto nevoja ata përpiqen të përmbushin nevojat e tjera, të cilat mund të quhen të nivelit të mesëm dhe të lartë. Ai i ngjason nevojat që motivojnë njerëzit me një piramidë dhe i ndan ato në 5 kategori që fillojnë nga më e gjera deri tek më e ngushta. Në themelin e piramidës (Piramida e Maslovit) qëndrojnë nevojat fiziologjike, ku zënë vend nevoja të tilla si: ushqimi, uji e strehimi. Pas sigurimit të këtyre nevojave, në nivelin e dytë (shkalla e dytë e piramidës) vijnë nevoja të tilla si: puna, prona, shëndeti e siguria. Në nivel të tretë vjen përkatësia, dashuria, pranimi nga të tjerët e jeta sociale. Në nivelin e katërt është vetëvlerësimi, vlerësimi nga të tjerët e respekti. Statusi, suksesi, reputacioni, njohja dhe përpjekja për të treguar veten zë vend në këtë shkallë të piramidës. Kurse në majën e saj, niveli  5-të, pra në shkallën më të ngushtë vjen arritja individuale (realizimi i vetvetes). Në këtë nivel, njerëzit janë shumë larg shkallës së nevojave themelore, që ata kanë në fazën e parë. Të qenurit më krijues, qëndrimet më të moralshme dhe parimore dhe përpjekjet për të realizuar diversitetin vetjak janë pritshmëritë dhe motivimet e njerëzve në këtë nivel.

Sipas Maslovit, pasi është siguruar një nevojë, e humbet kuptimin dhe vlerën dhe motivi për të plotësuar këto lloj nevojash.

Zhvillimi i shpejtë dhe rezultatet

Analiza e hierarkisë së nevojave të Maslovit, që parashikohet për njerëzit, mund të përdoret në të njëjtën mënyrë edhe për shoqëritë.

Së bashku me proceset e globalizimit, disa shoqëri kanë shënuar një rritje shumë të shpejtë në një kohë shumë të shkurtër. Vende si Kina, Brazili, India së bashku me Turqinë janë ndër vende të tilla (me zhvillim të shpejtë). Turqia nga një një vend me të ardhura vjetore 2.000 mijë dollarë për frymë para se vendi të fillonte të qeverisej nga AK Parti, brenda një periudhe, që për shoqëritë konsiderohet shumë e shkurtër, u bë një vend me të ardhura mbi 10 mijë dollarë për njeri.

Ky ndryshim i shpejtë ekonomik padyshim që ka pasur pasqyrime në të gjitha fushat e jetës si: ekonomi, kulturë, arsim, familje e politikë. Kurse niveli i shpërndarjes së drejtë të zhvillimit ekonomik është një temë tjetër.  

Reflektimet e zhvillimit ekonomik

Preferencat ekonomike që ndryshojnë: Pasurimi pesëfish i shoqërive në një kohë të shkurtër do të ndryshojë ndjeshëm edhe preferencat ekonomike të individëve të saj. Familjet që kanë qenë kursimtare gjatë gjithë jetës do ta kenë të vështirë të kuptojnë stereotipitë e shpenzimeve dhe konsumit të fëmijëve të tyre. Nga aspekti i Turqisë, kjo gjendje është e mundur të vihet re tek preferenca e telefonave celularë. Bëhet e ditur se në Turqi, kohëzgjatja e ndryshimit të smartfonëve është shumë e lartë mbi mesataren e botës. 

Marrëdhëniet familjare: Zhvillimi ekonomik ndryshon rrënjësisht marrëdhëniet bashkëshortore dhe ato me fëmijët. Në gjendjen e mëparshme, në mënyrë relative familjet ishin më nevojtare dhe fëmijët ishin më të respektuar dhe më të bindur. Me zhvillimin ekonomik, ndërkohë që familjet pasurohen, edhe pjesëtarët e familjes janë më të lirë dhe mbajnë një qëndrim edhe më kritikues. 

Arsimi: Ndërkohë që në një nivel më të ulët të ardhurash arsimi më shumë është parë si një qëllim për të ngritjen e individit dhe “për të shpëtuar veten”, në një nivel më të lartë të ardhurash arsimi instrumentalizohet.  

Kulturë-art-estetikë: Me rritjen e nivelit të të ardhurave shtohet edhe interesi dhe shqetësimi për kulturën, artin dhe estetikën si dhe rriten pritshmëritë për këto fusha.

Politikë: Në botën e viteve 1980 shtetet ishin relativisht më autoritare, ndërsa qytetarët më tolerantë. Në ditët tona, pavarësisht se shtetet janë më demokratike, qytetarët janë më kritikues. Proceset globale, së bashku me zhvillimet ekonomike, ashtu si familjet, ndryshojnë edhe marrëdhëniet individ-shtet-shoqëri.

Ky ndryshim sigurisht që do të ndikojë nga afër edhe politikën dhe retorikën politike. Si një sociologji e re sigurisht që nevojitet në lloj i ri gjuhe/stili/retorike/të punuari. Ashtu si në hierarkinë e Maslovit, premtimet për nevojat themelore ndaj shoqërive, të cilat janë me nivel të mesëm edhe të lartë, nuk do t’u përgjigjen pritshmërive politike të kësaj shoqërie. Disa shpenzime për ata që kanë të ardhura prej 2 mijë dollarësh mund të shihen si “krehër për tullacin”. Kurse për ata që kanë të ardhura prej 10 mijë dollarësh, të flasësh për nevojat themelore, është e pavlershme.   

Ndryshimi i shpejtë dhe kultura

Në vendet me ritëm të lartë ndryshimi, mund të thuhet se fusha më problematike është kultura. Me zhvillimin ekonomik, komunikimin global dhe informatikën, shumë gjëra mund të ndryshojnë shumë shpejt. Por kjo nuk ndodh me kulturën, ajo ndryshon ngadalë dhe pasqyrimi i kësaj vihet re së tepërmi në fusha të tilla si: arsim, politikë, marrëdhënie femër-mashkull. Ndërkohë që ndryshojnë statuset shoqërore, dëshmojmë përplasje në fushën e kulturës për shkak se kultura shoqërore nuk ndryshon me të njëjtin ritëm.

Komunikimi global dhe informatika

Ndryshimi sociologjik nuk mund të shpjegohet vetëm me zhvillimin ekonomik. Zhvillimet teknologjike ndryshojnë edhe marrëdhëniet individ-familje-shtet-shoqëri. Më parë, ndërkohë që individët kishin një proces socializimi me familjarët, miqtë dhe në ambientin shkollor si dhe marrëdhënie ballë për ballë, nëpërmjet teknologjisë së zhvilluar dhe veçanërisht përmes medias sociale, sot individët kanë një proces socializimi në nivel global dhe me marrëdhënie virtuale. Procese të tilla socializimi janë të vlefshme edhe për qytetarët dhe mund të themi se dhe ashtu si familjet edhe shteti, tashmë zotërojnë një ndikim më të kufizuar ndaj individëve. 

 

Në krijimin e sociologjisë së re së bashku me zhvillimin ekonomik një ndikim të madh ka edhe komunikimi global dhe informatika. Ajo që kryesisht i shtyn shoqëritë, shtetet, familjet të ndryshojnë është fakti se me anë të komunikimit global dhe mjeteve të informatikës, njohin më nga afër se si janë marrëdhëniet individ-shtet-shoqëri dhe ato familjare në vende dhe familje të tjera.

Si përfundim le të themi që, nëse ka një pikë-kthesë, një moment të thyerjes, me shumë mundësi ne jemi duke e dëshmuar të gjithë së bashku atë. Ndërkohë që fëmijët tanë janë brezi i parë i periudhës së re, prindërit tanë duken si brezi i fundit i një tradite njëmijë vjeçare. Si një brez që është mes dy periudhash, ndërkohë që zotërojmë eksperiencën, traditën njëmijë vjeçare, nga ana tjetër jemi në krye të një periudhe të re. Në një mjedis, ku sociologjia ndryshon me shpejtësi, me shumë mundësi nuk duhet të mbetemi në të shkuarën. Një qasje e Mevlanës na bën dritë për arsimin, marrëdhëniet familjare dhe sidomos për gjuhën (retorikën) politike:

“Iku me të djeshmen shpirti im

Të gjitha fjalët i përkasin të djeshmes

Tani duhen thënë fjalë të reja”

Dhe sigurisht pa u shkëputur nga tradita...

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara



Lajme të ngjashme