Koment - Tensioni SHBA-Iran

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, krahas Kinës, vendeve Perëndimore, vendeve të Amerikës Latine e Turqisë, kohët e fundit i kanë rritur së tepërmi politikat tension-shtuese, ndërhyrëse ekonomike dhe/ose ushtarake ndaj Iranit.

Koment - Tensioni SHBA-Iran

Koment - Tensioni SHBA-Iran

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Mendimtari i madh islam, Ibn-i Haldun (Ebu Zeyd Abdurrahman bin Muhammed bin Haldun el Hadrami) i krahasonte shtetet me strukturën e njeriut. Ashtu si njerëzit edhe shtetet lindin, rriten dhe vdesin. Edhe mendimtari Qatip Çelebi kishte një qasje të ngjashme. Dhe me të vërtetë shohim se qytetërime dhe shtete shumë të mëdha të periudhave të kaluara, me kohën dalin nga skena e historisë. Ashtu siç thuhet shpesh; e vetmja gjë që nuk ndryshon në jetë është vetë ndryshimi. 

Edhe në ditët e botës së sotme jetojmë procese të ngjashme. Duket se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë në gjendje të dalin në plan të parë në konkurrencën globale në nivel ekonomik, teknologjik, politik dhe parimor (nga aspekti i drejtësisë, të drejtave të njeriut dhe qëndrimit moral) dhe nuk pritet që të dalë përsëri në plan të parë në konkurrencën globale për sa i përket këtyre fushave. Për këtë arsye, nuk duhet shumë profeci për të parashikuar që Amerika, për të vazhduar lidershipin global do kërkojë të vazhdojë në rritje politikat ndërhyrëse për antiglobalizim, izolim, ekonomi dhe ato ushtarake, të cilat është duke i zbatuar. Historia na tregon se këto lloj politikash proteksioniste kanë dhënë rezultate të rënda shkatërruese dhe nga aspekti i politikave konstruktive, ndërtuese dhe rend-ndërtuese, nuk i kanë nxjerrë vendet përkatëse në plan të parë global.

Ne shohim se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, krahas Kinës, vendeve Perëndimore, vendeve të Amerikës Latine e Turqisë, kohët e fundit i kanë rritur së tepërmi politikat tension-shtuese, ndërhyrëse ekonomike dhe/ose ushtarake ndaj Iranit. Tërheqja e Amerikës në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore, embargot ndaj Iranit, ngrohja përsëri e ujërave në ngushticën e Hormuzit, deklaratat e ashpra reciproke janë treguesit konkretë të tensionit të përshkallëzuar. 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e paralajmërojnë dhe kërcënojnë vazhdimisht Iranin për të mos prodhuar armë bërthamore. Po, në rast të përdorimit të tyre, ashtu si në rastin e Amerikës në Japoni, do t’i vijë fundi jo vetëm njerëzimit, por edhe të gjitha gjallesave dhe sigurisht që zotërimi i armëve të tilla nuk mund të shihet si një gjë e arsyeshme. Por krahas kësaj, sa shqetësuese është fakti që Izraeli, India, SHBA-ja dhe vendet e tjera zotërojnë armë bërthamore, aq shqetësuese është që edhe Irani të zotërojë armë të tilla. Por ‘mëshimi’ vetëm ndaj Iranit, ndërkohë që shpërfillet zotërimi i armëve kimike që ka dhe përdoren nga Izraeli, përveçse është një qëndrim joparimor, por prodhon legjimitet për Iranin.

Ekspansionizmi i Iranit

Vëmë re se Irani është vetëm në rajon përballë kërcënimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Arsye për këtë është politika ekspansioniste e Iranit e bazuar në sektarizëm. Ndërkohë që u shpreh se kryeqytetet e katër vendeve ishin në kontrollin e tij (Irak, Jemen, Siri, Liban), Irani mbeti edhe më shumë i vetmuar.

Irani dhe vendet imperialiste veprojnë me metoda shumë të ngjashme. Duke provokuar vendet përreth tyre, duke dalë në plan të parë, ata ndërhyjnë në politikat e atyre vendeve.

Me qëndrimin sektar dhe politikat ekspansioniste, Irani është duke shkaktuar më shumë shqetësim në rajon se sa Izraeli. Një pjesë e rëndësishme e rrëshqitjes së politikave me bosht Izraelin nga ana e vendeve të Gjirit është për shkak të kësaj politike ekspansioniste dhe ndërhyrëse të ndjekur nga Irani. Sa dëm i shkakton Irani Izraelit në rajon? A i shkakton dëm? Kjo është e diskutueshme. Por këto politika të Iranit janë ndër shkaqet më të rëndësishme për destabilitetin e vendeve myslimane.

Ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Irani mund të kritikohet nga shumë aspekte për ato që përmendëm ose nuk sipërpërmendëm. Por kritika ndaj Iranit nuk nxjerr kurrsesi të drejtë dhe legjitim Amerikën për politikat ose ndërhyrjen e mundshme ndaj Iranit. Pasi SHBA-ja nuk i shikon gjërat nga perspektiva e drejtësisë. Politika e këtij vendi ndaj Iranit formohet si një mjet i imperializmit, që është koncepti themelor i shekullit të 19-të dhe 20-të. Panorama e politikave globale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nën udhëheqjen e Trumpit, të sjellë në mendje së tepërmi zbatimet e sherifit të qytetit ndaj lëkurëkuqeve (indianëve).

Nga ana tjetër e dimë se në asnjë vend të pushtuar nga Amerika dhe vendet e tjera Perëndimore nuk vjen asnjëherë paqja. Si pasojë e këtyre ndërhyrjeve në rajon shkaktohet vdekja e miliona njerëzve, gjakderdhje, lotë dhe emigrim dhe në një mjedis të tillë me kushte të padrejta organizatat terroriste gjejnë mundësinë për t’u prodhuar më shumë. 

Rezultatet e ndërhyrjes së mundshme

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke përshkallëzuar tensionin mund të duan të rrisin fuqinë e tyre dhe ta detyrojnë Iranin të pranojë kushtet e tyre. Ashtu si shpesh më parë, problemi mund të kthehet në konflikt. Urojmë që kjo të mos ndodhë. Por në një botë, ku humbja e zgjedhjeve shihet si diçka më e vështirë se humbja e luftës, jemi të detyruar të mendojmë edhe për mundësinë e konfliktit të armatosur.

Pas vendeve të tjera, një Lindje e Mesme, ku Irani është destabilizuar dhe është shndërruar në një Siri tjetër, asgjë nuk do të jetë si më parë. Do të zhduket tërësisht edhe stabiliteti i fundit dhe thërrimet e fundit të paqes në Lindjen e Mesme. Ashtu si pas Luftës II Botërore, Lindja e Mesme do të kthehet në një rajon, ku vendet imperialiste bëjnë çfarë të duan. Në një gjendje të tillë Turqia do të ndikohet edhe më shumë negativisht nga çështja e Sirisë. Kjo do të thotë se të gjitha vendet do të kthehen në vende të dështuara dhe vendet e Gjirit do të kthehen në vende me udhëheqje kukullash (të cilat drejtohen nga të tjerët) dhe në një Lindje të Mesme në gjendje të tillë nuk mbetet asnjë pengesë përpara projektit të Izraelit të madh. Ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit, ashtu si në çështjen e Sirisë, bën që të ketë vetëm një fitimtar në Lindjen e Mesme: Jo vetë Amerika, por Izraeli. Vendet e Gjirit, që veprojnë bashkë me SHBA-në, madje e provokojnë atë lidhur me kërcënimin e Iranit, kur të eliminohet kërcënimi iranian nuk do të lihen të vetme në liri. Nëse do të dilnin nga kjo gjendje akoma si një shtet më vete, ato do të jenë futur akoma edhe më shumë në darën e Izraelit dhe Amerikës. 

 

Çfarë mund të bëjë Turqia?

Turqia ka një eksperiencë të madhe dhe e di se problemet e rajonit nuk mund të zgjidhen me ndërhyrjen e aktorëve globalë. Ajo e di sipas eksperiencës se këto lloj ndërhyrjesh sjellin destabilitet në rajon dhe e rrënjosin mërinë dhe urrejtjen si dhe e kthejnë rajonin në një moçal terrori. Për këtë arsye dhe duke pasur në qendër drejtësinë, Turqia shfaq një qëndrim parimor në politikat e saj në lidhje me rajonin. Qëndrimi i drejtë ndaj vendeve si Siria, Egjipti, Iraku, Irani etj, është një shembull i qartë i Turqisë. Krahas vazhdimit të qëndrimi parimor aktual, Turqia mund të përdorë të gjitha instrumentet diplomatike për të penguar një konflikt të tillë që do të shkaktojë një problem të përhershëm, që do të ndikojë së afërmi edhe të ardhmen e saj ontologjike (filozofia e ekzistencës). Duke bërë bisedime intensive me vendet e Bashkimit Evropian, Kinën, Rusinë dhe vendet e Gjirit, madje edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Iranin, Turqia mund të kontribuojë në administrimin paqësor të procesit.

Turqia më parë, së bashku me Brazilin, krijoi infrastrukturën e marrëveshjes së bërë me Iranin. Me marrëveshjen e bërë me Rusinë ajo parandaloi kthimin e miliona sirianëve në gjendjen e refugjatëve. Turqia ndihmon në paqen globale të shumë vendeve nga nënkontinenti indian e deri në Ballkan, nga Afrika në Afganistan. Duke qenë se edhe nuk kanë mbetur shumë vende që u qasen çështjeve globale me qëndrim parimor, Turqia, njëkohësisht si kryetare e radhës së Organizatës së Bashkëpunimit Islam, duhet të provojë çdo lloj përpjekje për të penguar edhe luftën në tensionin Iran-SHBA.

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara



Lajme të ngjashme