A është NATO e pazëvendësueshme?

Brenda ose jashtë NATO-s, Turqia është një vend që mund ta gjejë gjithmonë rrugën e saj.

A është NATO e pazëvendësueshme?

A është NATO e pazëvendësueshme?

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Në disa deklarata të kohëve të fundit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) ka filluar të vihet në pikëpyetje ekzistenca e Turqisë në NATO për shkak të sistemeve S-400, Sirisë dhe deklaratave të ashpra të Turqisë ndaj mbështetjes që ShBA-ja u jep organizatave terroriste. Ndihmëspresidenti amerikan, Mike Pence bëri një deklaratë ku tha: “Turqia duhet të vendosë. A dëshiron të qëndrojë si një partnere kyçe në aleancën e suksesshme ushtarake, apo do që të vejë në rrezik sigurinë e këtij bashkëpunimi me vendime të pakujdesshme që do të dëmtojnë aleancën tonë? Kësaj deklarate iu përgjigj zëvendëspresidenti i Turqisë, Fuat Oktaj (Oktay) duke thënë: “Amerika duhet të vendosë. A dëshiron ajo të mbetet një mike e Turqisë, apo do të vejë në rrezik miqësinë duke qëndruar krah për krah me terroristët dhe duke dobësuar kështu mbrojtjen kundër armiqve të aleates së saj në NATO (Turqisë)?”.

Para së gjithash duhet të themi se ata që bëjnë kritika në lidhje me anëtarësinë e Turqisë në NATO, nuk janë autoritetet e Aleancës ose vende të tjera anëtare, por kjo shprehet vetëm nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kontributi dhe kostoja e NATO-s për Turqinë

Vendet fashiste të Evropës humbën Luftën II Botërore. Luftën e fituan vendet demokratike. Pas luftës, në tërë botën filloi procesi i tranzicionit të demokracisë.

E themeluar pas luftës, NATO ishte një aleancë e krijuar nga vendet demokratike.

Turqia, për shkak të kërkesave haptazi të Rusisë në vitin 1945 për ngushticat dhe kërcënimet ndaj Turqisë, kërkonte të merrte pjesë brenda bllokut perëndimor.

Kontributi më i rëndësishëm dhe më i vyer për Turqinë i procesit pas Luftës së II Botërore dhe i NATO-s, është roli në procesin e kalimit të Turqisë në demokraci. Nëse në atë periudhë nuk do të kishin qenë kushtet e jashtme, ky proces mund të kishte ndodhur shumë më vonë. 

Gjatë luftës së ftohtë, NATO ka qenë një garanci për Turqinë kundër kërcënimit rus.

Krahas kontributit shumë të vyer të sipërpërmendur të NATO-s ndaj Turqisë, për këtë të fundit Aleanca ka qenë edhe një kosto negative.

Regjimi tutelë, i institucionalizuar me grushtshtetin e vitit 1960 në Turqi nuk mund të shpjegohet në mënyrë të pavarur nga NATO dhe veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Struktura të llojit Gladio, që u shfaqën në Itali si grupe që kishin lidhje me NATO-n, mendohet gjerësisht se ekzistojnë edhe në vende të tjera anëtare të NATO-s. Dihet ‘memo’-ja (shënimi i shkurtër) në formën “Çunattanë ia dolën me sukses” që iu dha presidentit amerikan të asaj kohe në grushtshtetin e vitit 1980 në Turqi. Së fundmi, edhe tentativa e FETO-s për grushtshteti më 15 korrik 2016, ndërlidhet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga një numër i madh njerëzish. 

Kontributi i Turqisë për NATO-n

Duke filluar nga themelimi, ushtarët turq kanë marrë pjesë në shumë luftëra dhe operacione që janë zhvilluar nën ombrellën e NATO-s. Një nga luftërat më të njohura të këtij shembulli është ajo e Koresë, ku kanë rënë shumë dëshmorë turq. Edhe bashkëshorti i hallës sime ishte një veteran i Luftës së Koresë. Majori Shykur Badatllë (Şükür Bağdatlı), që ra dëshmor për shkak të rrëzimit të helikopterit në vitin 2012 gjatë misionit paqeruajtës së NATO-s (ISAF) në Afganistan, ishte një miku im i afërt. Me këtë rast kërkojmë mëshirë nga Allahu për të dy.

Por kontributi themelor i Turqisë në NATO është legjitimiteti që ka siguruar ajo për operacionet e Aleancës në vendet myslimane. Në disa vende islame, ku NATO kryen sulme të rënda, prezenca e Aleancës kritikohet si një forcë pushtuese ose si një sulm i ri i kryqëzatave. Një NATO pa Turqinë do të përballet akoma edhe më shumë me vlerësime të këtij lloji.

A është NATO e pazëvendësueshme? Po një NATO pa Turqinë?

E parë nga aspekti i vendeve pararojë në botë në fillim të shekullit të 20-të, bien në sy vende të tilla si: Anglia, Franca, Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia dhe Perandoria Osmane. E parë nga aspekti i vendeve ndikuese në politikën botërore në shekullin e 21-të mund të konsiderohet se bien në sy të njëjtat vende. Atyre në vend të Perandorisë Osmane mund t’u shtohen Republika e Turqisë dhe Kina. Turqia historikisht ka qenë një vend kyç, një vend lider. Mosbërja sot plotësisht e asaj që i takon, nuk ia heq asaj këtë cilësi. Turqia është i vetmi vend në NATO me popullsi myslimane. Ftesa e Turqisë për të qenë bashkëkryetare së bashku me Spanjën në Aleancën e Qytetërimeve dhe ushtrimi i kësaj presidence nga ana e Turqisë vjen si rrjedhojë e trashëgimisë historike që ajo zotëron. Për këtë arsye Turqia nuk mund të sillet dhe nuk mund të shihet si një vend i çfarëdoshëm Perëndimor brenda NATO-s. Mbështetja dhe kontributi i Turqisë në NATO nuk mund të krahasohet me Greqinë, Italinë, etj. Një Turqi që do të paraqitej (dukej) si një vend perëndimor i zakonshëm, nuk do të kontribuonte mjaftueshëm as në NATO dhe as në paqen globale. Për shkak të thellësisë së saj historike, potencialit që ka dhe kontributit që mund ti japë në paqen globale, Turqia duhet të krijojë marrëdhënie të thella dhe shumëanëse edhe me NATO-n, edhe me Rusisë, edhe me Perëndimin, edhe me Lindjen, Veriun e Jugun. Për Turqinë këto lidhje nuk janë alternativa të njëra-tjetrës.

 

Ata që mbrojnë mendimin e pazëvendësueshmërisë së NATO-s për Turqinë, theksojnë kontributin e NATO-s nga aspekti i Rusisë dhe ekuilibrave rajonale. Ata rikujtojnë se një Turqi pa NATO-n do ta ketë më të vështirë përballë kërcënimit rus. Padyshim që këto theksime janë të drejta, por megjithëkëtë, mbështetja e NATO-s ndaj Turqisë kundër kërcënimit të kaluar rus nuk mund të shpjegohet vetëm me nevojën e Turqisë. NATO nuk e ka mbështetur Turqinë për nevojën e kësaj të fundit, por e mbështet atë duke menduar se rritja e ndikimit të Rusisë mund të përbëjë një kërcënim për veten e saj (NATO-n). Pra edhe nëse Turqia nuk do të ishte anëtare, NATO-ja do të ishte e detyruar për ta mbështetur atë deri në një farë mase. Për shembull; sot India nuk është anëtare e NATO-s. Por kundër ekspansionit të Kinës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështetin këtë vend më shumë se çdo vend tjetër anëtar në NATO-s. Shkurtimisht, për të vazhduar pretendimin në nivel global, një NATO që kërkon të rrethojë Rusinë, Kinën ose ndonjë vend tjetër, qoftë anëtare apo jo, është e detyruar të mbështesë vendet e tjera.

Sigurisht që Turqia duhet të jetë brenda NATO-s. Por Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja, ndërkohë që rishënohen kufijtë e Lindjes së Mesme, kur kërkohet të krijohet një shtet terrorist në kufirin e Turqisë, nuk duhet të presë që ky vend të qëndrojë i heshtur. Nuk duhet të ëndërrojnë një Turqi të tillë.  

Vendet të tilla si: Brazili, Indonezia, India, Malajzia, Pakistani e Kina që rrisin gjithmonë e më shumë pozicionin e tyre në politikën botërore, nuk janë anëtare të NATO-s. Brenda ose jashtë NATO-s, Turqia është një vend që mund ta vizatojë (gjejë) gjithmonë rrugën e saj. Le ta përfundojmë programin me fjalët historike të Ismet Inënysë (İsmet İnönü) në një letër drejtuar Johnosit (presidentit të 36-të amerikan Lyndon Baines Jonhson): “Një botë e re bëhet përsëri dhe Turqia e zë vendin e saj atje”. Një Turqi pa NATO-n mund ta vazhdojë rrugën edhe pse humb disa gjëra të caktuara, por një NATO pa Turqinë nuk do të humbë pak.     

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara



Lajme të ngjashme