Koment – Hapat e reja të Turqisë në Siri

Analizë nga Can ACUN, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme në Fondacionin për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA), në Ankara...

Koment – Hapat e reja të Turqisë në Siri

*Nga Can ACUN

Vazhdon të veprojë mekanizma e Astanës, e formuar me qëllim të uljes së tensionimit dhe vendosjes së paqes në Siri. Sulmet e regjimit, Rusisë dhe Iranit dhe vënia nën kontroll e zonave të shpallura si zona të çtensionimit, për formimin e të cilave u arrit në marrëveshje në kuadër të procesit të zhvilluar nën patronazhin e Turqisë, Rusisë dhe Iranit si vende garantuese, , posaçërisht vuri në planë të parë rajonin e Idlibit. Pasi që zona e çtensionimit e Idlibit ndodhet në kufirin me Turqinë kjo është një faktor i rëndësishëm që forcon pozitën e Turqisë. Gjithashtu evakuimi i opozitarëve sirianë në Idlib dhe në zonat e spastruara me operacionin Mburoja e Eufratit nga rajonet nën rrethimin e regjimit, është njëra prej faktorëve që ky rajon të fitojë në peshë nga aspekti opozitarë ushtarak. Rajoni i çtensionimit në Idlib, i formuar në kuadër të procesit të Astanës, ndryshon në krahasim me rajonet tjera të çtensionimit. Pas formimit të 12 pikave të vrojtimit nga ana e Turqisë, 10 nga ana e Rusisë dhe 7 nga ana e Iranit në Idlib përleshjet u arritën të ndalen në masë të madhe. Posaçërisht pikat e vrojtimit të formuara nga ana e Turqisë paraqesin pothuajse një mur që ndalon avancimin e forcave të regjimit përballë opozitarëve.   

Pikat e vrojtimit që ngriti Turqia në këtë rajon me vete sollën edhe vështirësi të shumta nga aspekti operativ. Ndërkohë që mundësia e Turqisë për të bërë dislokimin nga territoret e veta paraqet një avantazh të madh, sulmet e mundshme të elementeve radikale dhe të agjentëve të regjimit e vështirësojnë detyrën e Turqisë për sigurimin e paqes. Kështu që gjatë dislokimit të trupave turke autokolona ushtarake ishte dëmtuar si pasojë e shpërthimit të autobombës. Herë pas here ndaj trupave turke hapet zjarr provokues nga ana e regjimit dhe të grupeve të huaja të milicëve shii të drejtuara nga Irani. Dislokimi i trupave turke përgjatë vijës së frontit me qëllim të ndalimit të luftimeve në Siri është tregues i qartë i vullnetit të Turqisë për të ndaluar luftën në rajon.

Turqia në njërën anë me procesin e Astanës përpiqet ti ndalojë luftimet mes regjimit të Esadit dhe opozitarëve sirianë dhe vrasjen e njerëzve, ndërsa në anën tjetër punon për hapjen e rrugës së negociatave mes palëve dhe të procesit të tranzicionit në Siri. Përveç këtyre Turqia është duke e vazhduar edhe luftën e saj kundër organizatave terroriste, të cilat përfitojnë nga kaosi i krijuar me luftë në Siri. Me operacionin Mburoja e Eufratit, Turqia spastroi vijën kufitare nga organizata terroriste DAESH, ndërsa me operacionin Dega e Ullirit të ndërmarrë më pas spastroi edhe zonën Afrin nga organizata separatiste terroriste PKK/YPG. Bashkëveprimi i Turqisë në këto dy operacione me njësitë vendore siriane, tregoi qartë se ajo ka ndikim në rajon dhe se nuk vepron me mentalitetin e kolonializmit. Ndërkohë që Turqia zhvillon luftë kundër terrorit, ajo në anën tjetër hedh hapa në vendosjen e paqes dhe stabilitetit në Siri.

Si rezultat i operacionit Mburoja e Eufratit janë zvogëluar dukshëm sulmet dhe tentativat për sulmet e terrorit nga ana e DAESH-it në Turqi. Në mënyrë të njëjtë me anë të operacionit Dega e Ullirit sulmet terroriste të PKK-së në rajonin e Hatayit dhe të malit Amanos kanë arritur në pikën e ndalimit të plotë.

Mirëpo Turqia luftën e saj kundër terrorit është duke e vazhduar në rajone tjera. Krahas operacionit që vazhdon në veri të Irakut, janë duke u hedhur hapa të rëndësishme edhe ndaj pranisë së PKK/YPG-së në veri të Sirisë. Insistimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në aleancë me YPG-në pengon dhënien fund terrorit në rajon dhe në të njëjtën kohë kërcënon sigurinë kombëtare të Turqisë. Negociatat mes Turqisë dhe ShBA-së në lidhje me YPG-në dhe posaçërisht në lidhje me të ardhmen e zonës së Menbixhit janë duke vazhduar për një kohë të gjatë. Mos mbajtja e premtimeve të dhëna Turqisë pas marrjes së Menbixhit se YPG-ja do të tërhiqet nga rajoni dhe mbrojtja e YPG-së nga ana e ShBA-së shkaktuan tensionimin e marrëdhënieve mes dy aleatëve të NATO-së. Vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson në Turqi dhe negocimi i çështjes së Menbixhit me homologët e tij turq bëri që të arrihet marrëveshje në parim. Më pas shkarkimi i Tillersonit dhe emërimi i Mike Pompeos në këtë pozitë  nga ana e Presidentit Donald Trump shkaktoi ndalimin e përkohshëm të këtij procesi. Duke u nisur nga deklarata e bërë e ministrit të Jashtëm, Mevlut Çavusoglu, mund të themi se mes dy vendeve u arrit në draft marrëveshje për çështjen e Menbixhit dhe se detajet do të qartësohen në vijim të procesit. Sipas të dhënave të publikuara nga burimet vendore pas deklaratës së Çavusoglus, bëhet e ditur se terroristët e YPG-së kanë filluar me përgatitje për tu larguar nga kjo zonë. Kështu që në kuadër të marrëveshjes së arritur mes Turqisë dhe ShBA-së, YPG-ja do të largohet nga Menbixhi në lindje të lumit Eufrat, Turqia dhe ShBA-ja do të vendosin bashkërisht sigurinë e rajonit dhe të dyja vendet do të përcaktojnë udhëheqjen vendore dhe forcat policore. Edhe pse mes Turqisë dhe ShBA-së u arrit në marrëveshje në lidhje me Menbixhin, prania e YPG-së në lindje të lumit Eufrat do të bëjë që problemet mes dy vendeve në lidhje me çështjen e Sirisë të mos përfundojnë. Por, bashkëveprimi mes Turqisë dhe ShBA-së në Menbixh do të forcojë besimin mes dy aleatëve të NATO-s. Dy vende, të cilat arritën në marrëveshje në lidhje me Menbixhin, është e mundur të arrijnë në marrëveshje edhe në lidhje me rajonet tjera të Sirisë. 

*Ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA) në Ankara.     



Lajme të ngjashme