Koment - Operacioni ajror i ShBA-ve në Siri

Para pak kohësh Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërmorën një operacion ajror ndaj bazës ushtarake të regjimit të Esadit në Humus.

Koment - Operacioni ajror i ShBA-ve në Siri

Forcat e regjimit të Esadit organizuan një sulm ajror me armë kimike ndaj civilëve në qytetin Idlib të Sirisë. Ndërkaq Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kundërpërgjigjën duke e goditur bazën ajrore të cilën regjimi e përdori për të kryer këtë sulm. Baza ajrore Shajrat në qytetin Humus u godit me 59 raketa të tipit “Tomahawk Land”. Sipas deklaratës së bërë nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes, forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me urdhër të Presidentit Donald Trump në orën 04.45 sipas orës lokale, goditën me raketa një bazë ajrore të Forcave Ajrore të Sirisë.

Siç dihet Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë periudhës së udhëheqjes së Obamas shpalli si “vijë të kuqe” përdorimin e armëve kimike. Edhe pse regjimi i Esadit përdori disa herë armë kimike gjatë sulmeve të tyre, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e neglizhuan këtë. Ky operacion ajror i kryer gjatë periudhës së Trump-it tregon dallimin e udhëheqjes së Trumpi-it nga ajo e Obama-s. Mirëpo se a do të kenë vazhdimësi këto operacione aktualisht nuk dihet.

Ky zhvillim fillimisht në mendje solli pyetjen se a ka ndryshuar politika e ShBA-së ndaj Sirisë apo jo? Në deklaratat e mëhershme të zyrtarëve amerikan thuhej se “prioritet nuk është largimi i Esadit”, ndërsa pas këtij sulmi kjo ndryshoi dhe tani deklarojnë se “Pa largimin e Esadit, nuk mund të bëhet fjalë për zgjidhje politike”. Në deklaratën e saj në lidhje me çështjen ambasadorja e përhershme e ShBA-së në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë tre çështje kryesore në Siri dhe se rrëzimi i Esadit nuk është prioriteti i vetëm i tyre. Fillimisht duan ta mundin DAESH-in, e dyta thonë se nuk mund të shohin paqe në Siri deri sa Esadi është në pushtet dhe e treta thonë se do ta mënjanojnë ndikimin e Iranit dhe pastaj të shkohet në zgjidhje politike.

Kjo situatë e krijuar në Siri u kthye në kërcënim të madh për interesat e ShBA-së në rajon. Me marrjen e detyrës së Presidentit, Trump e shpalli Iranin terrorist. Ndërkaq Irani është vendi që përfiton më së shumti nga situata aktuale në Siri. Mund të themi se operacioni ajror i ShBA-së njëkohësisht ka qenë edhe një mesazh i fuqishëm edhe për Iranin po aq sa për regjimin e Esadit. Mirëpo në qoftë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk dëshirojnë që Irani të zgjeroj ndikimin e tij në rajon atëherë duhet të pengojnë edhe krimet ndaj njerëzimit që kryejnë grupet e armatosura në rajon të lidhura me Iranin.

Këto lloj operacionesh nuk duhen të ndërmerren vetëm ndaj përdorimit të armëve kimike, por duhet të ndërmerren edhe për t’i parandaluar masakrat tjera të civilëve nga regjimi i Esadit. Siç dihet aktualisht në Siri përdoren 26 baza ajrore për vrasjen e civilëve me bomba konvencionale. Prej vitit 2011 e këtej pjesa më e madhe e civilëve në Siri janë vrarë me armë konvencionale e jo me armë kimike.

Turqia dëshiron shkatërrimin e forcave ajrore të cilat janë forca kryesore që përdor Esadit për sulme ndaj opozitarëve dhe civilëve. Turqia e gjen të pamjaftueshme këtë reagim të kufizuar të shoqërisë ndërkombëtare ndaj sulmeve me armë kimike. Ajo fton shoqërinë ndërkombëtare të jetë më e ndjeshme në lidhje me çështjen dhe të përmbush obligimet e saj ndërkombëtare.

Nuk pritet që gjatë periudhës së ardhshme Shtetet e Bashkuara të Amerikës të bëjnë një ndryshim rrënjësor në politikat ndaj Sirisë. Mirëpo mund të themi se do të ketë disa ndryshime. Mund të merren masa shtesë për kufizimin e disa aktiviteteve të regjimit të Esadit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të rrisin përkrahjen e dhënë ndaj Ushtrisë së Lirë Siriane. Në fushën diplomatike mund të ndërmerr iniciativa, të cilat do të vënë regjimin e Esadit në vështirësi.

Siç kuptohet nga deklaratat e para të zyrtarëve të ShBA-së qëllimi kryesor i këtij operacioni është përgjigjja ndaj sulmeve me armë kimike të regjimit të Esadit. Pas operacionit Rusia dhe Irani deklaruan se dënojnë ashpër sulmin me raketa. Ndërkaq Anglia, Franca, Turqia, Arabia Saudite dhe Izraeli dhanë përkrahjen e tyre ndaj këtyre sulmeve. Autoritetet turke, përfshirë edhe Presidentin Recep Tayyip Erdogan, dhanë përkrahjen e tyre ShBA-së. Turqia prej fillimit të krizës në Siri mbanë një qëndrim të qartë ndaj regjimit të Esadit dhe kishte kërkuar largimin e menjëhershëm të tij. Operacioni i Trump-it, qoftë edhe i kufizuar, i ndërmarr drejtpërdrejt ndaj regjimit të Esadit, në Turqi perceptohet si tregues i ndryshimit të pozitës së ShBA-së, ndërsa ky operacion nuk u gjet i mjaftueshëm dhe pritet vazhdimi i tij.

Këto zhvillime do të sjellin shanse dhe kërcënime të reja për Turqinë. Për shkak të jo-efikasitetit të ShBA-së dhe koalicionit ndërkombëtar Turqia me anë të operacionit “Mburoja e Eufratit” zbatoi politikat e saj në Siri. Pa marr parasysh se në cilin drejtim do të evoluojnë zhvillimet në Siri gjatë periudhës së ardhshme, Turqia do të mundohet të garantoj sigurinë e saj pa bërë zgjedhje mes ShBA-së dhe Rusisë.

Autor: Cemil Dogaç Ipek      



Lajme të ngjashme