Koment - Zhvillimet e reja në veri të Sirisë

Ndërkohë që Turqia merret me qasjet e pahijshme diplomatike të disa vendeve evropiane, në anën tjetër jeton edhe emocionet e referendumit popullor. dhe zhvillime të reja në Siri.

Koment  - Zhvillimet e reja në veri të Sirisë

Ushtria e Lirë Siriane e përkrahur nga Turqia korri fitore ndaj DAESH-it në Al Bab. Në këtë mënyrë të gjitha sytë u kthyen nga rajoni ku u zhvillua operacioni Mburoja e Eufratit. Turqia deklaroi se në mesin e objektivave saj në afat të shkurtë është Menbixhi, ndërsa në afat të gjatë Rakka. Qëllimi i kësaj strategjie është spastrimi i veriut të Sirisë nga terrori. Në këtë mënyrë do të formohet edhe një zonë e sigurt ku do të mund të kthehen banorët e zhvendosur të kësaj zone për shkak të luftës. Ndërkohë që Ushtria e Lirë Siriane hodhi hapat e para të saj në drejtim të Menbixhit, tabloja ndryshoi papritmas. Forcat e PKK/YPG-së i dorëzuan pozicionet e tyre në rajon forcave të regjimit të Esadit. Ndërkaq forcat e Esadit dhe disa ushtarë rusë hynë në Menbixh, ndërsa ShBA-ja me heshtje e dha miratimin e saj kësaj situate. Pas këtij zhvillimi në Menbixh ushtria ruse mori nën mbrojtje YPG-në edhe në Afrin. Në këtë mënyrë u bënë përpjekjet për të mënjanuar mundësinë që Turqia, e cila tanimë nuk ka kufij me DAESH-in, të godet YPG-në. Gjithashtu mes ShBA-së dhe Rusisë vazhdon konkurrenca për të vënë nën kontroll PKK/YPG-në.

      Politikat e administratës Trump ndaj Sirisë ende nuk janë të qarta. Mirëpo vazhdon dëshira e Pentagonit që forcat e PKK/PYD/YPG-së ti përdor në luftën kundër DAESH-it. Çështja e Rakka-s ka potencial për të filluar një krizë të madhe mes dy vendeve. Partneriteti që Komanda e Forcave Qendrore të ShBA-së (CENTCOM) e vendosi me PKK-në për të shpëtuar situatën do ti shkaktoj kokëdhimbje ShBA-së në afat të mesëm dhe të gjatë. Në qoftë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i marrin parasysh shqetësimet e Turqisë atëherë mundësia për të arritur sukses në Siri është shumë e vogël. Sikur edhe të arrijë sukses do të jetë shumë vështirë për siguruar stabilitet.

      Ndërkaq Rusia duke premtuar dhënien e autonomisë kulturore mundohet ta tërheq PYD/YPG-në në anën e regjimit të Esadit. Mbështetja e PYD/YPG-së nga ana e Rusisë në Siri nuk është një gjë e re. Marrëdhëniet e PKK-së, pjesë e së cilës është edhe PYD/YPG-ja, me Rusinë kanë një të kaluar rreth 40-vjeçare. Gjatë rrethimit të Halepit, Rusia, regjimi i Esadit dhe PYD-ja vepruan së bashku. Rusia edhe sot       nuk dëshiron që PKK/PYD të mbeten në rendin e ditës të ShBA-së e as të ndonjë vendi tjetër. Hyrja në Rakka me PKK/PYD/YPG-në dhe braktisja e Menbixhit PYD-së janë hapa është shumë të rrezikshme edhe nga aspekti i ShBA-së edhe nga aspekti i Rusisë. Lënia e Rakka-s, shumica e banorëve e të cilit janë arab suni, PYD-së marksiste/staliniste dhe krimet e luftës që do të mund të jetohen këtu, do të mund të ndezin fitilin e një lufte të re etnike, që do të zgjatë me vite.

      Në anën tjetër operacionet në Damask dhe Hama të opozitarëve sirianë nuk janë një lëvizje e thjeshtë. Shumë shpejtë mund të jetohet një konfrontim i ri në Latakije dhe Halepin perëndimor. Ndërkaq nuk duhet nënçmuar edhe kapacitetin e Turqisë për bashkëpunim me aktorët vendor. Turqia me luftën e zhvilluar kundër DAESH-it deri më tani e spastroi vijën e saj kufitare nga kërcënimi i kësaj organizate terroriste. Prioriteti i Turqisë në këtë fazë nuk është DAESH-i, por PKK-ja. Është shumë normale që Turqia të përqendrohet në strukturimin e PKK-së në Siri që paraqet kërcënim të drejtpërdrejt për kufijtë e saj.

      Si përfundim, PKK/PYD është një organizatë terroriste. Kjo organizatë terroriste në njërën anë pretendon se ka ideologji staliniste, ndërsa në anën tjetër ka një gamë të gjerë të aleatëve si Amerika, regjimi i Esadit dhe Gjermania. Në të vërtetë kjo është një tablo surreale. Aktualisht PKK/PYD është duke ëndërruar për të formuar një shtet të pavarur në veri të Sirisë. Para një kohe të shkurtë ajo ëndërronte për të shpallur autonomi në Turqi duke hapur hendeqe dhe duke ndërmarr akte të terrorit. Krahas përkrahjes së faktorëve të jashtëm ëndrrat e PKK-së nuk u realizuan. Historia e Lindjes së Mesme është e mbushur përplot me fundin e hidhur të mashave, të cilat mendonin të arrijnë në objektivat e tyre me projektet e të tjerëve. Së fundmi PKK/PYD-ja me mbështetje periodike dhe të pjesshme të ShBA-së dhe Rusisë nuk mund të mbrohet nga Turqia. Bashkëpunimi turko-rus i zhvilluar kohëve të fundit do të mund të ndikoj në ndryshimin e ekuacioneve të reja të formuara në Siri. Për këtë arsye ndërkohë që Turqia në njërën anë tregon forcën e saj në anën tjetër duhet të zhvilloj diplomaci intensive me Rusinë dhe ShBA-në.

      Aktualisht fronti në veri të Sirisë është bllokuar në një masë të madhe. Të gjithë aktorët presin referendumin popullor të Turqisë. Krahas insistimit të Pentagonit, Presidenti Donald Trump ende nuk mori vendim për bashkëpunim me PYD-në, ndërsa këtë vendim do të mund ta jap sipas rezultateve të referendumit në Turqi.   

Autor: Cemil Dogaç Ipek


Fjalët Kyçe: Turqi , referendum , Siri , PKK , PYD , YPG , DAESH , Menbixh , Rakka

Lajme të ngjashme