Kriza e Sirisë dhe samiti i Astanas

Bisedimet e paqes për Sirinë të mbajtura në kryeqytetin Astanë të Kazakistanit, nën patronazhin e Turqisë, Rusisë dhe Iranit si vende garantuese, në përgjithësi kaluan në një atmosferë pozitive.

Kriza e Sirisë dhe samiti i Astanas

      Bisedimet e paqes për Sirinë të filluara më 23 janar 2017 nën patronazhin e Turqisë, Rusisë dhe Iranit si vende garantuese, më 24 janar morën fund në një atmosferë pozitive. Duhet të themi se kjo mbledhje u mbajt si rezultat i komunikatës së përbashkët të ministrave të jashtëm të tre vendeve të bërë pas mbledhjes së mbajtur më 20 dhjetor 2016 në Moskë. Bisedimet e paqes në Astanë në të vërtetë janë tregues konkret i vullnetit dhe suksesit të Presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) dhe Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe. E ardhmja e armëpushimit dhe fillimi i procesit politik kanë nevojë për vullnetin e vendosmërisë së Presidentëve Erdoan dhe Putin.

      Në të vërtet pritshmëritë e palëve nga bisedimet e Astanës nuk ishin shumë të mëdha. Sepse qëllimi kryesor i bisedimeve në Astanë ka qenë që armëpushimi i vendosur më 30 dhjetor 2016 të merr një trajtë të qëndrueshme dhe formimi i mekanizmave nën patronazhin e vendeve garantuese për vazhdimin e këtij armëpushimi. Ky armëpushim ka më shumë shanse pasi që prapa tij qëndrojnë vendet garantuese që kanë ndikim më të madh në krizën e Sirisë.

      Në fazën e parë të bisedimeve të Astanës nuk është biseduar në lidhje me çështjet të cilat janë të vështira për tu zgjidhur, por vetëm u përqendruan në armëpushim që do të formoj kushtet për zgjidhje politike. Ndërkaq nga armëpushimi janë përjashtuar organizatat terroriste DAESH dhe El Nusra. Me kërkesë të Turqisë jashtë procesit të Astanës janë mbajtur edhe PYD/YPG. Ndërsa turkmenët e Sirisë u përfaqësuan nga krahu politik dhe ushtarak i Kuvendit të Turkmenëve të Sirisë.

      Palët e bisedimeve të paqes për Sirinë ndodhen ende në fillim të rrugës. Fillimisht duhet të qartësohet agjenda e bisedimeve në fazat e ardhshme. Me sa duket kjo agjendë ende nuk është gati. Turqia, Rusia dhe Irani formuan një mekanizëm tresh për mbikëqyrjen e zbatimit të armëpushimit. Ky mekanizëm është shumë i rëndësishëm për vazhdimin e qëndrueshëm të armëpushimit. Janë disa gjëra që duhen bërë para fillimit të bisedimeve për çështjet politike. Të gjitha palët duhet ti përmbahen armëpushimit, duhet të lejojnë qasjen e ndihmave humanitare për civilët në zonat e mbajtura nën rrethim dhe të lirohen të burgosurit politik.

       Vendet garantuese duhen që gjatë procesit të ardhshëm të ndajnë PKK/PYD/YPG-në, DAESH-in dhe Al Nusra-n nga grupet tjera. Në bisedimet e paqes në Astanë nuk morën pjesë këto grupe. Memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar mes Turqisë, Iranit dhe Rusisë nuk lejon shprehjet si “pavarësi”, “federatë demokratike” dhe të ngjashme në veri të Sirisë, të cilat i kërkon PKK/YPG-ja. Të gjithë e dinë se YPG-ja është krahu i armatosur i PKK-së në Siri. Dihet edhe se Forcat Demokratike të Sirisë përbëhen pothuajse 90% prej YPG-së. Dosja e YPG-së mbi shkeljen e të drejtave të njeriut është mjaftë e madhe. Nëse duhet të rikujtojmë, për shkak të sulmeve të YPG-së me qindra mijëra njerëz u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre në Tel Abyad që ndodhet në veri të Rakka-së me popullatë turkmene, arabëve suni dhe asaj kurde, e cila nuk iu bind. Për këtë arsye PYD/YPG duhet të tërhiqet menjëherë në lindje të lumit Eufrat. Ndërkaq është e nevojshme të parandalohet edhe qëndrimi i kësaj organizate terroriste për një kohë të gjatë në këtë zonë. Mirëpo presim që shoqëria ndërkombëtare të ngre zërin e saj ndaj krimeve të YPG-së, të cilat paraqesin shkelje të dispozitave të Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe të Konventës së Gjenevës mbi të drejtat e civilëve.

            Do të ishte e dobishme nëse në këtë çështje shikojmë edhe nga perspektiva e të drejtës ndërkombëtare. Në marrëveshjen e Ankarasë e vitit 1921, e Lozanës e vitit 1923 dhe në marrëveshjen Turqi-Francë e vitit 1939 nuk është paraparë ndonjë status i veçantë për turkmenët e Sirisë. Kjo rrjedh si pasojë e përkufizimit të asaj kohe të pakicave në baza fetare dhe praninë e turkmenëve të Sirisë brenda kufijve të një vendi me popullatë shumicë myslimane. Prandaj turkmenët e Sirisë janë entitet përbërës dhe nuk kanë ndonjë status të ndarë ligjor. Për këtë arsye objektiva e parë e turkmenëve gjatë procesit të ardhshëm duhet të jetë marrja e statusit ligjor. Në pikën e statusit ligjor mund të merret si shembull edhe “statusi i banorëve lokal” i tartarëve turq të Krimesë së Ukrainës, të cilën e morën në vitin 2014.

        Si përfundim statusi ligjor do tu sjell objektivitet turkmenëve. Ndërkaq gjendja aktuale e turkmenëve në Siri fatkeqësisht është në gjendjen e subjektivitetit. Për deri sa gjendja e subjektivitetit vazhdon askush nuk do të interesohet me turkmenët përveç Turqisë. Sidoqoftë prioritet i turkmenëve duhet të jetë marrja e një statusi. Statusi ligjor për të ardhmen është një lloj “tapie”.

        Si përfundim, bisedimet e Astanës janë një hap i vogël por i suksesshëm i hedhur në drejtim të zgjidhjes së krizës së Sirisë. Mirëpo është shumë e vështirë për të thënë se pas bisedimeve të Astanës edhe zgjidhja politike është afër. Sepse problemet kryesore mes palëve do të dalin në pah me fillimin e negociatave politike. 

Autor: Cemil Doğaç Ipek



Lajme të ngjashme