Analizë - Pazarllëqet politike në shahun e Qipros

Negociatat e deritanishme për një zgjidhje në Qipro tregojnë se ishullin e pret një rrugë e gjatë dhe një lojë e vështirë shahu në diplomaci.

Analizë - Pazarllëqet politike në shahun e Qipros

- Nga Prof. Dr. Mustafa Sıtkı BİLGİN –

Negociatat e Qipros, që filluan më 9 janar në Gjenevë të Zvicrës, vazhduan me pjesëmarrjen e ministrave të jashtëm të vendeve garantuese në 14 janar, por nuk arritën në një rezultat. Pas kësaj u vendos që duke filluar nga 18 janari, trafiku i negociatave të vazhdojë në nivel teknik ndërmjet delegacioneve të specialistëve. Bisedimet ndërmjet  delegacioneve teknike, të përbëra nga ekspertë të palës turke dhe greke të Qipros, vazhduan ditën e enjte deri 26 janar, por edhe nga këto negociata nuk u arrit në një rezultat. Nuk është bërë ende ndonjë deklaratë zyrtare në lidhje me vazhdimin apo jo të negociatave ose datën në të cilën do të zhvilloheshin në rast të vazhdimit.

Sipas informacioneve që jepen në komunikatën me shkrim të bërë nga zyra e shtypit e Presidentit të Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV), Mustafa Akënxhë (Mustafa Akıncı), bëhet e ditur se ndërmjet palëve nuk është arritur ende një kompromis “i vërtetë dhe i arsyeshëm”. Por sipas deklaratës së Akënxhësë, edhe pse nuk është arritur një rezultat, kompromisi për zgjidhje është shumë i afërt. Në deklaratën e Presidentit të Republikës Turke të Qipros së Veriut bëhet e ditur se pala turke ka dhënë një kontribut të madh për të arritur në një rezultat. Gjithashtu bëhet e ditur se në kuadër të njohjes së barazisë politike për turqit në Qipro, edhe pala turke mund ti kthejë palës grekoqipriote një pjesë të territorit.

Por pavarësisht të gjitha përpjekjeve qëllimmira dhe të njëanshme të palës turke, nga deklaratat e pasqyruara në median grekoqipriote dhe atë greke kuptohet qartë se grekoqipriotët nuk heqin kurrë dorë nga tezat dhe pretendimet e tyre dhe nuk i afrohen kompromisit.

Duke u nisur këto deklarata, vihet re se pala grekoqipriote nuk do të pranojë vazhdimin e statusit të Turqisë, si vend garantues në Qipro, dhe qëndrimin e ushtarëve turq në ishull. Pala grekoqipriote, e cila rend gjithmonë pas zhvatjes së kompromiseve politike, jo vetëm që nuk i afrohet në asnjë mënyrë kompromisit, por si bukëshkalë ajo akuzon palën turke se po bllokon procesin diplomatik.

Duke parë se si është duke u pasqyruar ky proces në median evropiane, kjo e fundit vazhdon me standardin e saj të dyfishtë dhe pikëpamjet me paragjykime. Sipas qasjes evropiane sakrificën e vërtetë në çështjen e Qipros duhet ta bëjë pala turke dhe “pala turke duhet ta bëjë këtë sakrificë për të mos rënë në pozicionin e asaj që prish lojën”. Sepse ‘vetëbesimi i tronditur me daljen e Anglisë nga Bashkimi Evropian dhe problemet e shkaktuara prej krizës së refugjatëve” mund të kompensohen me krijimin e Qipros së Bashkuar. Si rrjedhojë, Brukseli ashtu si gjithmonë, dëshiron që barrën t’ia ngarkojë palës turke dhe të mirat t’i ndajë me grekoqipriotët.

Si pasojë pala grekoqipriote në Gjenevë nuk i çuditi aspak analistët e Qipros. Në kuadër të lajmeve të pasqyruara në media dhe deklaratave që erdhën nga autoritetet përkatëse të palëve, vihet re se grekoqipriotët me kërkesat e tyre të ekzagjeruara pothuajse nuk e llogarisin aspak palën turke në ishull. Si për temat e udhëheqjes, qeverisjes dhe ndarjes së pushteteve, ashtu edhe për çështjet e sigurisë dhe garancive, pala grekoqipriote nuk i është qasur asnjë konsensusi dhe për këtë arsye nuk është arritur asnjë marrëveshje.

Nëse do të bënim një vlerësim të përgjithshëm në lidhje me procesin e bisedimeve që vazhdojnë në kuadër të negociatave diplomatike, ka një akord të ndjeshëm dhe rregulla të arta. Rregulli diplomatik i pazëvendësueshëm është zbatimi i principit të reciprocitetit të ndërsjelltë. Në diplomaci hapat hidhen në mënyrë reciproke, në kuadër të përfitimeve bazë dhe pa paragjykuar strategjinë e përgjithshme. Rregulli i dytë i artë i diplomacisë është njohja mirë e infrastrukturës historike të diplomacisë dhe mbajtja e negociatave në këtë kuadër. Pasi një diplomaci e mirë e merr fuqinë nga e kaluara. Një shembull i mirë për këtë është çështja e hapësirës territoriale që zotërojnë sot turqit e Qipros. Në negociatat e zhvilluara në vitin 1975, ndërkohë që Turqia pranoi të zotërojë 33% të territoreve në ishull me qëllim arritjen e një zgjidhjeje të barabartë dhe të përhershme në ishull, Kryeministri i asokohe i Greqisë, Karamanlis bëri të ditur se mund të pranonin vetëm 31%. Kurse sot pala grekoqipriote duke u shprehur për njohjen e 29% të territorit nuk bën tjetër vetëm se mohon këtë të vërtetë historike. Këto regjistrime ruhen në arkivat angleze dhe janë ekzaminuar edhe nga ana ime (nga autori). E parë nga ky aspekt mund të themi se Qipron e pret një rrugë e gjatë dhe një lojë e vështirë shahu në diplomaci.



Lajme të ngjashme