Pengesa greke në rrugën e Maqedonisë drejt integrimit në NATO dhe BE

Më 17 gusht 2016 u përkujtua 15-vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila i dha fund konflikteve të armatosura në Maqedoni.

Pengesa greke në rrugën e Maqedonisë drejt integrimit në NATO dhe BE

Më 17 gusht 2016 u përkujtua 15-vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila i dha fund konflikteve të armatosura në Maqedoni. Kjo marrëveshje solli përfitime të mëdha nga aspekti i politikës së brendshme të Maqedonisë. Mirëpo problemi rreth emrit që jetohet me Greqinë vazhdon të mbetet një sfidë e madhe në politikën e jashtme të këtij vendi. 

Konfliktet etnike që u jetuan në vitin 2001 në Maqedoni morën fund në saje të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila u nënshkrua me ndërmjetësimin e Uashingtonit dhe Brukselit. Me anë të kësaj marrëveshjeje në vend të ndërhyrjes ushtarake u preferua një zgjidhje politike. Marrëveshja Kornizë hodhi themelet e bashkëjetesës në paqe për ata të cilët vendosën ta lënë prapa të kaluarën dhe të shikojnë drejt të ardhmes. Një pjesë e dispozitave të Marrëveshjes Kornizë iu referua kushtetutës së Maqedonisë dhe pjesa tjetër ligjeve përkatëse të këtij vendi. Megjithatë, në përgjithësi u bënë përpjekje për rregullimin e marrëdhënieve ndëretnike mes komuniteteve të ndryshme në Maqedoni. Gjithashtu me anë të marrëveshjes në fjalë synohej përmirësimi i statuseve ligjore dhe politike të komuniteteve të ndryshme etnike. Kështu që u hodhën hapa të rëndësishme në drejtim të punësimit më barabartë në institucione publike edhe të pjesëtarëve të komuniteteve të ndryshme, gjithashtu u zhvillua edhe e drejta e përdorimit të gjuhës amtare në arsim, gjyqësi dhe fusha tjera. Nga aspekti politik u përvetësua modeli i një shteti të drejt me përfshirjen edhe të grupeve etnike, u ulën tensionimet mes grupeve etnike dhe u rivendos paqja në Maqedoni.

Nëse japim shembuj më konkret atëherë mund të themi se në saje të risive që solli Marrëveshja Kornizë deputetët shqiptarë tani mund të flasin në gjuhën amtare në Kuvendin e Maqedonisë. Përveç kësaj dokumentet zyrtare si kartat e identitetit dhe pasaportat përgatiten edhe në gjuhën shqipe. Në anën tjetër u legalizua edhe arsimi në gjuhën shqipe në Universitetin e Tetovës, çështje kjo që ishte burimi kryesor i tensionimit mes shqiptarëve dhe maqedonasve gjatë viteve të 90-ta, ndërsa universiteti fitoi statusin e universitetit shtetëror. Me anë të kësaj marrëveshjeje u rrit edhe numri i shqiptarëve të punësuar në polici, ushtri dhe institucionet tjera shtetërore. Vështirësitë më të mëdha në përmbushjen e dispozitave të marrëveshjes Maqedonia i jetoi në çështjen e anëtarësimit në organizatat rajonale. Dobësia më e madhe e marrëveshjes në fjalë është mosmarrja në mënyrë të mjaftueshme në konsideratë të të drejtave dhe interesave të pakicave tjera si të turqve, boshnjakëve, romëve me përjashtim të shqiptarëve.

Me kontributin e Marrëveshjes Kornizë në një masë të konsiderueshme u hapë edhe rruga për integrimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe NATO. Ndërkaq edhe në ditët e sotme Maqedonia shpenzon tërë energjinë e saj në politikën e jashtme për arritjen e këtyre objektivave. Kështu që janë plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Mirëpo, Maqedonia për shkak të qëndrimit të Greqisë ende nuk u pranua në këtë organizatë. Në anën tjetër edhe pse Komisioni Evropian mbanë qëndrimin për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, Greqia pengon rrugën e fqinjit të saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Përballë Greqisë, e cila nuk njeh emrin kushtetues të Maqedonisë,  zyrtarët maqedonas pretendojnë se emri “Maqedoni” paraqet identitetin kombëtar të maqedonasve dhe se e drejta sovrane e çdo vendi është që ta përcaktoj vet emrin e tij. Propozimet e bëra për zgjidhjen e problemit të emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë të bëra nga Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Maqedoninë, në përgjithësi u refuzuan menjëherë ose nga Shkupi ose nga Athina zyrtare. Për këtë arsye nuk pritet që brenda një kohe të shkurtë të arrihet në zgjidhjen e problemit të emrit Maqedoni. Nëse duhet rikujtuar, zyrtarët maqedonas pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në vitin 2009 e iniciuan një proces ligjor kundër Greqisë në lidhje me pengesat për anëtarësimin e Maqedonisë në organizatat ndërkombëtare. Edhe pse kjo gjykatë vendosi në favor të Maqedonisë, Athina vazhdon me qëndrimin e saj të ashpër përballë problemit të emrit.

Pengesat e vendosura para Maqedonisë në rrugën drejt integrimit të saj në NATO dhe Bashkimin Evropian do të mund të kenë ndikime negative në rajon në të ardhmen. Për forcimin e procesit të stabilitetit dhe paqes në Ballkan është e nevojshme që procesi i integrimit të këtij rajoni në institucionet euro-atlantike të vazhdoj. Megjithatë edhe tensionimet e jetuara në marrëdhëniet mes partisë në pushtet dhe opozitës në Maqedoni në dy vitet e fundit ngadalësojnë dukshëm bërjen e reformave të nevojshme në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Për zgjidhjen e ngërçit politik që aktualisht jetohet në vend është e nevojshme që sa më parë të mbahen zgjedhjet e drejta. Për të ardhmen më të mirë të vendit partia në pushtet dhe ato opozitare duhen të jenë më të ndjeshme në këtë çështje. 

Autor: Dr. Erhan Turbedar 



Lajme të ngjashme